Twitter-Berisha, ngrijnë marrëdhëniet

Alqi Kociko

 

Gojët e liga thonë se një zhvillim dramatik ka përjetuar javën e kaluar politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë.

Mësohet se themeluesi i kompanisë amerikane të internetit, Twitter, Biz Stoun shpalli dje ngrirjen e menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, duke theksuar se ky veprim drastik u ndërmor pasi ky shtet është treguar bukëshkalë me Twitter-in.

“Ju kemi respektuar, ju kemi duruar sa më s’ka, por deri këtu; pilafi nuk mban më ujë. Mësojuni deputetëve tuaj si të sillen”, deklaroi Stoun.

Mësohet se shkaku i këtij akti ishte deklarata publike e deputetit Sali Berisha, i cili pohoi për mediat e Tiranës se ka besim të plotë e të pakufishëm tek kompania rivale e Twitter-it, Facebook, sa i përket marrjes së opinioneve të besueshme nga populli. “Facebooku, ai është mjeti i vërtetë i testimit të urrejtjes popullore ndaj kësaj qeverie të poshtër”, deklaroi Berisha.

Kuptohet që ky pohim radikal së pari shkaktoi hutim dhe rrëmujë në vetë qeverinë shqiptare. Kabineti ndërpreu punën dhe tentoi të kërkojë më kot sqarime informale nga zyra e Berishës. “Facebook-u, vetëm ai thotë të vërtetën!”, deklaroi Berisha prerazi.

Është fakt që kjo besnikëri e shpallur e ish kryeministrit ndaj Facebook-ut, ishte një goditje e fortë anti-reklame me rrezatim global për rivalët e Twitter.

Në kohën kur Biz Stoun krenohej botërisht se goditja e avionit rus në Siri, ashtu si dikur lajmi për eliminimin e kryeterroristit Osama Bin Laden qarkulluan së pari në rrjetin e tij social, i erdhi kjo goditje e beftë nga ky cep i Ballkanit, që ja uli menjëherë vlerën e aksioneve të Twitter në bursë.

Stoun jo vetëm shpalli ndërprerjen e marrëdhënieve me shtetin shqiptar në bllok, me PD-në në veçanti, por kaloi edhe në mallkime personale ndaj deputetit kapricioz: “Mr. Berisha, I wish that you take my fleas”, bërtiti para kamerave amerikane Stoun, çka mediat e Tiranës e përkthyen pak a shumë “Doktor, më marrç pleshtat”.

Share This Article
12 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *