Parlamenti komunist kinez ka miratuar një ligj të ri kundër terrorizmit. Ligji në fakt thellon kontrollin e shtetit në të dhënat ndaj qytetarëve.
Ai kërkon që firmat kineze të teknologjisë të dorëzojnë çdo të dhënë që qeveria e konsideron të arsyeshme, ndërsa lejon ushtrinë kineze të ndërmarrë operacione anti-terroriste jashtë vendit.
Ligji i ri, i miratuar sot, po ashtu kufizon të drejtën e mediave për të raportuar mbi detajet e sulmeve terroriste. Ligji hyn në fuqi më 1 janar.
Ligji është kritikuar ashpër nga organizatat e të drejtave të njeriut si dhe nga Perëndimi pasi i hap rrugë ndërhyrjeve të mëdha të qeverisë në rrjetin e internetit, duke cenuar lirinë e shprehjes.
Zyrtarët kinezë kanë thënë se ligji i ri kundër terrorizmit është i nevojshëm për shkak të kërcënimit në rritje, megjithëse Kina ka raste sporadike të goditjeve terroriste. /Dita/
