Kritiku që i dha shpirtin letërsisë

Dita

In Memoriam/Me rastin e 4-vjetorit të vdekjes të kritikut letrar, Adriatik Kallullit  

Adriatik Kallulli kritik i njohur i artit dhe letrave shqipe. Profesor Adriatik Kallulli lindi më 28 gusht 1938 në Bari të Italisë. U diplomua në Fakultetin Histori – Filologji në vitin 1962 dhe në vijim të punës së tij shkencore në fushën e kritikës letrare dhe artistike mori titullin “Doktor i Shkencave Letrare” në vitin 1980, titullin “Docent” në vitin 1985, dhe titullin Profesor në vitin 1995.

Prof. Dr. Adriatik Kallulli është një ndër themeluesit e Akademisë së Arteve. Ka qenë pedagog titullar në këtë Akademi prej vitit 1972 e në vazhdim. Gjatë gjithë këtyre viteve pa asnjë shkëputje, ka mbajtur leksione dhe ligjërata në një varg lëndësh themelore të formimit të përgjithshëm teorik, si Letërsi Shqiptare dhe Histori e Teatrit Shqiptar, Letërsi Botërore dhe Histori e Teatrit Botëror, Teori Drame dhe Njohuri për kritikën artistike, Estetikë dhe Histori e Qytetërimit si dhe ka drejtuar për më shumë se 15 vjet postin e Shefit të Katedrës së lëndëve teorike. Për tre mandate radhazi ka qenë anëtar i Senatit të Akademisë së Arteve dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Fakultetit të Artit Skenik.

Përveç mësimdhënies cilësore, ndihmës së vazhdueshme në hartimin e planeve dhe programeve mësimore, si dhe kontributin e tij të veçantë në udhëheqjen e diplomave dhe dizertacioneve të doktoraturës, ai ka qenë vazhdimisht i angazhuar me përgatitjen e teksteve të Akademisë si: Historia e Teatrit Shqiptar, Historia e Teatrit Botëror, Elemente të Mjeshtërisë së Aktorit, etj.

Kritiku dhe studiuesi i njohur i letërsisë dhe arteve Prof. Dr. Adriatik Kallulli ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve që nga viti 1967. Në të gjitha shkrimet kritike dhe studimet letrare për letërsinë dhe artet, ai ka mbështetur me entuziazëm të gjitha prirjet cilësore e novatore në letërsi e në arte. Veprat e tij përmbajnë studime dhe analiza të çmuara për letërsinë shqiptare, për artin dramatik, për estetikën, si dhe për pikturën e skulpturën.

Ka ndërruar jetë më 28 dhjetor 2011 në Tiranë.

***

 Unë*) i kam dhënë shpirtin letërsisë dhe nuk është e rastit, që jam ndër të paktët intelektualë shqiptarë, që nuk kam as banesë për të jetuar dhe do të dal i vdekur nga një shtëpi me qira.

Ndjehem krenar që, 80% të shkrimeve të mia janë për vepra të denja të letërsisë shqiptare si të: De Radës, Naimit, Samiut, Vaso Pashës, Çajupit, Fan Nolit, Migjenit, Lasgush Poradecit, pastaj edhe të shkrimtarëve që erdhën më vonë, Jakov Xoxës, Petro Markos, Ismail Kadaresë, Kolë Jakovës, Dhimitër Shuteriqi, të Dhimitër Xhuvanit, Naum Priftit, Koço Kostës, Bilal Xhaferit, Dritëro Agollit dhe shumë shkrimtarëve të tjerë. Jeta ime u integrua kryesisht në kryeveprat e këtyre shkrimtarëve. Nëse do të mbeten kryeveprat dhe unë kam shkruar për to, atëherë unë e kam një certifikatë të vlerësimit. Shkrimtarët kanë qenë vëllezërit e mi, miqtë e mi më të mirë, sepse me të gjithë kam pasur miqësi dhe kjo ka qenë pjesa ime më themelore e jetës. Unë, si dhe kolegët e mi, jemi kategori historike. Ndaj them se nuk i kam askujt borxh, përkundrazi kam shkrirë shpirtin tim, kam shkrirë sytë e mi, jetën time. Ndoshta disa shkrimtarëve, nuk u a kam dhënë atë që u takon, sepse unë, dua ta përsëris dhe nuk më vjen turp ta rithem, në fund të fundit,  punoj me një gjysmë syri dhe nuk kam mundur të jap gjithçka që duhet. Por, them me bindje se edhe në këto kushte unë do të laj shumë borxhe artistëve të shquar të gjithë fushave në Shqipëri.

Rinia ime është e mbushur me ngjarje, me motive. Them se lumturia më e madhe është se në gjimnazin që kam kryer, kam pasur profesorë të shkëlqyer si Nard Kraja, bashkëshorti i artistes së madhe Maria Kraja, i cili na recitonte në gjuhën italiane Dante Aligerin, kam pasur përkthyesin e Dantes, Mark Ndoin, që përfundoi keq, jam edukuar nga adhuruesi i madh i gjithë kulturës kombëtare, Mark Gurakuqi, dhe them me plot gojën, se edhe në saje të tyre kam hedhur hapat e para në këtë fushë, hapa, të cilat do të fitonin sigurinë gjatë rrugës së mëtejshme si sudent në fakultetin e Histori-Filologjisë. Këtu pata fatin që të edukohem nga gjigantë të kulturës shqiptare, si historiani i shquar dhe i papërsëritshëm Aleks Buda, kryegjuhëtarin Eqerem Çabej, që poeti ynë i madh, Xhevahir Spahiu, e cilëson rojtarin e rrënjës së fjalës shqipe; pata  Jakov Xoxen, që na jepte teorinë e letërsisë e kështu me radhë.

Unë mund të kem shkruar mbi 1000 artikuj kritikë në shtypin e kohës dhe ndjehem vërtetë i gëzuar, që në këtë rrafsh prej 50 vjetësh unë kam qenë në çdo shkollë të Shqipërisë dhe që më njohin të gjithë mësuesit e letërsisë dhe historisë dhe për gjatë një gjysmë shekulli kam dhënë mijëra ligjërata veçanërisht në Akademinë e Arteve, që unë e quaj shtëpinë time të përjetshme, pastaj në fakultetin Histori-Filologji në atë të Gazetarisë. Deri edhe në Prishtinë e gjetkë.

Mendoj se jam prononcuar për të gjithë shkrimtarët seriozë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe vende të tjera. Në një pikëpamje mua kjo më lumturon.

 

Kalorës të vërtetë

 Gjykime shkurt për disa nga kolosët e mendimit shqiptar

Unë po ju them, se ndjehem shumë i lumtur, që gjatë jetës sime, kam njohur si redaktor dhe si kritik, por edhe si profesori i letërsisë, të gjithë artistët e mëdhenj shqiptarë të fushave të ndryshme.

 

Ismail Kadare, në kuptimet e mia estetike, një pasuri e madhe kombëtare

 

Ismail Kadaresë i kam kërkuar falje jo në formën e një rrëfimi, por duke bërë kritika të tjera.

Dua t’ju them se doktoratën time e kam  titulluar “Kombëtarja dhe universalja tek Ismail Kadare”, një punim, që së shpejti do të dalë si libër. Kjo është një nga punët më të mëdha të jetës sime dhe shumë e vëllimshme si punë. Kam shprehur konsideratën time të madhe ndaj tij në një shkrim për 70-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh, ku e vlerësoj shumë dhe në shumë analiza  të tjera, për të mbërritur tek një shkrim i fundit, që është parathënia e librit “Nëntori i një kryeqyteti”, të cilin ma kërkoi Shtëpia Botuese “Onufri”. Dua t’ju them se nuk ka rëndësi nëse i kam kërkuar ose jo falje Kadaresë, e rëndësishme është që në ndërgjegjen time, në kuptimet e mia estetike, Ismail Kadare, është një figurë e madhe e popullit shqiptar dhe ju them pastërtisht, që unë habitem përse këtij shkrimtari të madh, nuk i japin çmimin “Nobel”. E vërteta është se pak shkrimtarë mund të gjënden si Kadare, që ta kenë krehur, ta kenë pasuruar, që ta kenë neologjizuar gjuhën shqipe duke i lënë kësaj gjuhe ato hapësira mendimi, ato hapësira abstraksioni që vetëm ai i ka dhënë.

Domosdo. Unë kam qenë edhe redaktor i tij, por në të shumtën e rasteve, kam qenë kritik i veprave të tij, i një vargu të gjatë veprash, të cilat mua më kanë pëlqyer dhe i konsideroj të denja dhe të traditës së artë të letërsisë sonë. Studiuesi, adhuruesi i Kadaresë, Tefik Caushi, përmend qindra fjalë neologjizma që ai ka krijuar, secila më e bukur se tjetra, që i gjejmë në një libër, që ka shkruar bashkë me Xhovalin Shkurtajn “Mbi Kadarenë si neologjist i fjalëve shqiptare”.

Ai ka kryevepra të tilla, sikurse janë “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, që është pak ta quash disident, pasi, pikërisht këtu, Kadare, jo vetëm është disident i realitetit shqiptar, por, është disident i të gjithë letërsisë së lindjes. Kështu edhe tek “Pashallëqet e Mëdha”, për të cilën kam shkruar një ese të gjatë prej 199 faqesh, e cila shpejt do të jetë në qarkullim. Kadare shpreh idera të mëdha, të raporteve midis  kryetarit të shtetit, të gjithë nëpunësve të një perandorie  dhe  njerëzve të zakonshëm të një vendi.

“Kronikë në gur” është një kryevepër tjetër. Jo rastësisht të gjithë përkthyesit në botë, kanë thënë fjalët më të mëdha për këtë vepër, që është shumë autentike. Kështu edhe romani “Kështjella”, që është shkruar me një fuqi të madhe filozofike, ashtu edhe vepra të tjera, për t’u ndalur tek drama “Një stinë e mërzitshme në Olimp”, ku ai shtron probleme shumë të mëdha filozofike, ndërsa për të përmendur këtu eseistikën e tij, qoftë me “Eskili, ky humbës i madh”, me Hamletin e Shekspirit, apo për librin për Dante Aligerin e kështu me radhë.

Esenca ime është kjo, që ky shkrimtar pjellor, me 50 libra apo më shumë, nuk ka lënë gjë të realitetit historik dhe realitetit kombëtar shqiptar, pa përmendur, pa interpretuar dhe pa shprehur pikëpamjet e tij mbi këtë gjë. Unë, ti  dhe të gjithë ne, themi: Shyqyr që e kemi të madhin Kadare. Nëse do të vdes, im bir do të më qajë si baba, nëse vdes Kadare, unë do të çjerr faqet, si Lek Dukagjini për Skënderbeun.

 

Te Dritëro Agolli shoh rrënjët e popullit tim, shoh Shqipërinë

E kam vlerësuar dhe e vlerësoj si një shkrimtar të papërsëritshëm të jetës së shqiptare. Në një libër të ri, që do të nxjerr së shpejti, ndoshta me titullin “Kalorës të fjalës së lirë”, i kam kushtuar disa faqe nga më të dashurat, nga më të  thellat, nga më substancialet e jetës sime. Tek jeta e Dritëro Agollit unë shoh Shqipërinë, shoh rrënjët, shoh traditën, unë shoh  urtësinë popullore dhe mbi të gjitha, prek popullin shqiptar e gjithçka, që ka kaluar në një shekull të tërë. Për të gjitha veprat e Agollit kam shkruar artikuj dhe do të vazhdoj të shkruaj dhe ndjehem i lumtur si krijues, si shqiptar, që kemi një shkrimtar kaq të madh, një njeri kaq të dashur, që edhe në mes të natës të dalë në rrugë, e ftojnë në shtëpi. Kjo, për shkak se ky njeri i ka falë një dashuri të madhe popullit shqiptar, nuk i ka paragjykuar shqiptarët dhe është i lidhur pazgjidhmërisht me të gjitha shtresat e këtij populli. Agolli, është një shkrimtar i madh, një gazetar i përkryer, një njeri që ka udhëtuar me lloj-lloj makinash kur ishte gazetar, një shkrimtar si ata tribunët e Romës së lashtë, që ka mbajtur hapur derën e shtëpisë dhe ajo Sadia e gjorë e di se çfarë ka hequr nga këto mijëra vizita të njerëzve. Kësisoj, ai në këtë mënyrë e ka rrëmbyer këtë mençuri të popullit shqiptar dhe e ka future në letra. Dritëroi, nuk është një shkrimtar, që shkruan thjeshtë nga emocionet dhe nga talenti i tij. Ai është edhe një njeri me kulturë të madhe, i cili nuk ka lexuar vetëm letërsinë e madhe të Evropës perëndimore, por ka lexuar edhe shkrimtarët e mëdhenj të Lindjes, ai është universal dhe ka kuptuar, që të vërtetat vijnë nga të dy kahjet. Është shumë autentik në të gjithë veprimtarinë e tij, është njëkohësisht edhe një qytetar i gjallë, aktiv, që edhe në këto vite, ai e ka treguar veten me një kurajo të madhe qytetare, duke kritikuar sa majtas djathtas, duke kritikuar edhe njerëzit e shtëpisë së vet. Kështu ai meriton plotësisht të cilësohet si kalorës i emancipimit të shoqërisë shqiptare. Për ta përfunduar, them sërish fjalët: Shyqyr që e kemi edhe këtë shkrimtar e njeri të madh.

 

Të tjerë të mëdhenj….

 

Petro Marko, megjithëse i majtë, s’iu nda burgjeve

Shiko, unë nuk i gjykoj artistët në planin nëse janë ose jo disidentë, sepse në fund të fundit ne kemi edhe shkrimtarë të tjerë, po përmend Petro Markon, i cili ishte shkrimtar me bindje të majta, madje e kish për nder që ishte i tillë, por, kjo nuk e ka penguar atë, që të thotë gjithnjë të vërtetat, që të hajë burgje, persekutime dhe ndalesa botimesh, për të gjitha këto të vërteta, që ai ka shprehur.

Odise Paskali, tronditës në kulturën e tij

 

Kam qenë mik personal me Odise Paskalin dhe kam redaktuar librin e tij “Gjurmë Jete”. Më ka  tronditur kultura, erudicioni i madh, mençuria e madhe, vizionaliteti i madh i këtij skulptori, që Lasgush Poradeci, e ka cilësuar me të drejtë “Mikelanxhelo i Shqipërisë.

Abdurrahim Buza, i madh, me vepra të shkëlqyera

Kam qenë mik fantastik me piktorin e madh, Abdurrahim Buzën. Është një nga piktorët më të mëdhenj shqiptar, që ka krijuar vepra të shkëlqyera.

Fatos Arapi, poet vizionar dhe emancipues

Kam qenë mik i ngushtë dhe botues i 12-13 librave të poetit të madh të Vlorës, Fatos Arapi, i cili mori një çmim ditë më parë në Strugë. Arapi, është një poet vizionar, që ka evoluar brenda krijimtarisë së tij, që prek jo vetëm Vlorën, por tërë Shqipërinë, që nga Lufta e Parë Botërore dhe më tutje. Krijimtaria e tij ka brenda emancipim të madh, tërë zhvillimet historike sociale të shoqërisë shqiptare.

Sabri Godo, jam mahnitur me dy veprat më të mëdha të tij

Unë kam shkruar dhe jam mahnitur nga “Skënderbeu” dhe “Ali Pasha” i Sabri Godos, që përbëjnë dy vepra të mëdha. E them për herë të parë këtë mendim, që, sikur historiani francez i  Universitetit të Sorbonës, Xhorxh Kastelan, t’i kishte lexuar këto dy vepra, do të fliste ndryshe për Shqipërinë dhe nuk do ta linte këtë vend vetëm në disa rreshta edhe pse punoi për 25 vjet.

Bilal Xhaferri, një penë deradiane në kulturën shqiptare

Nuk mund të rri pa shprehur konsideratën time të lartë, krejt të panjohura, për shkrimtarin e madh, që vjen nga Çamëria, Bilal Xhaferrin, një penë deradiane në kulturën shqiptare me poezitë e tij “Njerëz të rinj, tokë e lashtë” dhe me romanin e tij të shkëlqyer” Kreshta e Krujës”. Është vërtetë një humbje e madhe, për Shqipërinë, që ky njeri vdiq dhe ne nuk dimë se çfarë shkroi në Amerikë, ku veprën i a dogjën në rrethana misterioze.

 

*) Mendime të shprehura në një intervistë dhënë gazetares Zenepe Luka në maj 2009; botohet me lejen e saj.

Një punë kolosale, e bërë me dashuri

 

Tani që jam në këtë moshë dhe kam akumulime të mëdha, më vjen çudi se si brenda dhjetëra e dhjetëra dosjeve, që janë të futura në shtëpinë time, në një mënyrë shumë të vështirë, pasi aq është hapësira e shtëpisë, por që kam shënime të shumta për të gjithë shkrimtarët e Shqipërisë. Veçse një dashuri shumë e madhe e ka realizuar këtë punë kolosale, që kam aty, në arkivin e shtëpisë sime, që e konsideroj thesar të vërtetë. Jam i lumtur që disa prej shkrimtarëve shqiptarë, unë i kam respektuar për veprat e tyre, për  krijimtarinë e tyre.

Lidhur me personin tim, dua të them se unë e kreva misionin tim gati gjysmëshekullor si kritik, në një periudhë kur arti, kultura e shkruara, ishin rreptësisht të kontrolluara dhe njeriu kishte vështirësi të mëdha, për të shprehur ndjesinë e tij, për të shprehur atë që ai mendonte thellë. Madje, kishte vështirësi për ta ndërtuar thellë brenda vetes së tij aftësinë, që jam unë i denjë për të thënë mendime të thella apo jam një gjë e rëndomtë në këtë shoqëri.

 

Fatkeqësi, por tashmë s’ka kritikë letrare në Shqipëri!

 Shpreh një mendim timin krejt personal. Kritikën letrare në Shqipëri e asgjësuan gazetat dhe mediat, që nuk duan njerëz të fuqishëm në shtypin e median e tyre, por duan njerëz, që mashtrojnë opinionin publik, që dalin edhe dy-tre herë në javë dhe nuk thonë asnjë gjë. Një kritik letrar, që është i vetëdijshëm për emrin dhe kapacitetin e tij, nuk mund të prononcohet më shumë se njëherë në muaj, le të jetë ky edhe një gjeni i madh i iluminizmit. Kjo, për faktin se, që të lexosh një libër sëpaku duhen 10 ditë, që ta rilexosh, (Belinski i madh kështu shprehet se nuk mund të bësh një kritikë pa e lexuar dy herë), duhen edhe 10 ditë të tjera. Që të meditosh dhe pastaj  ta shkruash kritikën, duhen edhe dhjetë ditë të tjera. E pra, kjo nuk bëhet nga askush.

Shikoni se çfarë turp ndodh ndonjëherë në mediat tona. U botua një libër, që nuk e dimë nëse është libër historik, apo roman, u shkruan për të dyqind artikuj, a më shumë dhe njerëzit diskutonin nëpër studio, pa e lexuar librin. Librat që unë lexoj, janë të nënvizuar me 50 shënime nëpër faqet e tyre. Më kuptoni drejt. Unë nuk them se janë fikur dritat e kritikës, përkundrazi, them se kritika letrare do të zhvillohet. Përse e them këtë? Sepse, sikurse thoshte shkrimtar i madh gjerman, Breht, kritika ndërton dhe rrëzon shtete. Demokracia, nuk mund të konceptohet, pa kritikë. Këtu ka njerëz të shumtë, që shkruajnë,  dhe nuk thotë një fjalë për ta. Sot ka plot vajza gjimnaziste, apo studente, që shkruajnë poezi e prozë të shkëlqyer, që kanë brenda një emancipim shpirtëror, kanë një rrëfim të guximshëm, por kritika nuk është marrë me këtë krijimtari, veçanërisht të pas viteve 90-të.

 

  

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *