REFORMA ‘LU’ PO LIND E VDEKUR

anazapta

Nuk ka dyshim që ambasadori amerikan Donald Lu është sot një nga mbështetësit më të vendosur të “reformës në drejtësi”. Dhe prandaj është e trishtueshme ta shohësh atë të trokasë në derën e Sali Berishës, armikut më të vendosur të drejtësisë në këto 25 vjet tranzicion, për t’i marrë pëlqimin për themelimin e një drejtësie të pavarur!

Po a nuk është kjo njësoj si t’i kërkosh një ujku aprovimin e një “reforme” që jo vetëm e pengon ujkun të shqyejë bagëti por edhe e ndëshkon atë për bagëtitë e shqyera deri më sot?! A mund të shpresosh se ujku mund të japë “konsensusin” për një reformë të tillë?! Afërmendsh jo!

Ndërkaq, Berisha nuk është politikani i rëndomtë që ka bërë një gabim në të kaluarën dhe tani reket ta korrigjojë.

Berisha është autokrati që edhe pse i rënë nga pushteti, nuk ka hequr dorë nga mania e sundimit. Dhe për sundimin nuk ka rrugë më të efektshme sesa kapja e drejtësisë. Por Berisha është edhe shtetari implikuar në dhjetëra skandale korruptive, madje dhe krime të përgjakshme, dhe te drejtësia e pavarur nuk sa si të mos shohë ndëshkimin e vet dhe klanit të tij. Prandaj nuk mund të investohet kurrë për lindjen e saj. Berisha, për shkak të vetë bëmave të Berishës, është i dënuar të jetë kundër reformës në drejtësi.

Berisha nuk ka si lu zoti Lu!

Por, ndoshta, ambasadori Lu po bën politikë për të testuar se sa seriozisht e ka Berisha reformën në drejtësi? Ndoshta! E megjithatë, edhe në një rast të tillë, shpresa se Berisha mund të sillet ndryshe nga çka bërë këtu e 25 vjet është, në rastin më të mirë, mbyllje sysh para realitetit kokëfortë.

Por edhe pohimi i një iluzioni apo naiviteti me… origjinë të mistershme!

Ndërkaq naiviteti apo iluzionet e ambasadorit Lu gjejnë një farë justifikimi në sjelljen e lidershipit të “Rilindjes”. Sepse befas shikon Kryeministrin Rama të shfaqet shumë i kënaqur që më në fund (oh ç’lehtësim!) edhe opozita (lexo Berisha) po shfaqet dakord me reformën në drejtësi dhe është e gatshme të kapë trenin e saj! Dhe kjo pasi kanë denoncuar për vite e vite me radhë, instinktet e pa korrektueshme të autokratit dhe qeveritarit të korruptuar Sali Berisha.

Dhe çdo të thotë, në thelb, deklarata e Ramës? Do të na thotë se mund të bëhen ende reforma me Berishën, se me Berishën mund të themelohet një drejtësi e pavarur që të ndëshkojë Berishën, se Berisha mund të kontribuojë për drejtësinë edhe pse është angazhuar në një zinxhir protestash dhe një skenar destabilizimi të vendit (këto i kanë thënë njerëz të Rilindjes) pikërisht për të penguar reformën në drejtësi.

Edhe Ilir Meta u shpreh pak a shumë si Rama. Janë të gjithë të kënaqur! – tha Meta. Mirë Meta që është i dënuar të bëjë pehlivanin në litarin e tendosur mes PS dhe PD, po Rama ç’pati që i gëzohet kaq shumë “konsensusit”? Apo e drobitën protestat e Lulit?

Mund të më kundërshtojnë duke më thënë se kur flet për “opozitë” Rama nuk ka parasysh Berishën. Por edhe kjo është prapë keq. Sepse do të thotë të pranosh se PD nuk është dominuar nga Berisha, se Berisha nuk ka kult në PD, se Luli nuk është kukull pra, se nuk qëndron më thënia: “Basha është Berisha”!

Shkurt, do të thotë se Rama dhe “Rilindja” duhet të lëpijnë të gjitha ato që kanë thënë kundër autokratit të korruptuar të tranzicionit shqiptar. Do të thotë që pasi morën 1 milion vota që ta ndëshkojnë Berishën, po e rehabilitojnë duke bërë reforma me të.

Në cilin vit jemi? Në vitin 2015 apo në vitin 2008 kur Rama ngazëllehej të bënte reforma autokratike me Berishën duke ndryshuar Kushtetutën? Dhe e pamë se çfarë doli nga ai konsensus “historik”.  Nënprodukt i atij konsensusi (që vetë Rama e ka pranuar si të gabuar) është edhe ky degradim i drejtësisë në atë farë feje saqë të rilindë ajo, duhet një reformë radikale.

Prapë në konsensus me Berishën do ta bëjë “Rilindja” këtë reformë? Edhe ndryshimet e Kushtetutës prapë në konsensus me Berishën do t’i bëjë? A nuk e kanë kuptuar që konsensuset me Berishën nuk mund të jenë veçse pazare kundër shtetit dhe drejtësisë? Se Berisha mund të japë konsensus për padrejtësi po kurrë për drejtësi? A nuk e kanë kuptuar se konsensusi që kërkon Berisha nuk është gjë tjetër veçse krasitja e reformës në mënyrë që në fund të sajë, të dalë një drejtësi e tredhur që nuk ndëshkon po mbron pasuritë korruptive dhe krimet e 25 viteve?

Dikush mund të kundërshtojë: Po si i bëhet kur pa votat e Berishës reforma nuk kalon dot? Përgjigja është: Le të mos kalojë!

Aq më mirë për reformën dhe drejtësinë.

Drejtësia nuk kërkon lëmoshë nga të korruptuarit dhe të kriminalizuarit! Le ta shohin të gjithë se kush nuk e voton reformën edhe pse ajo është e mbështetur fuqimisht nga ndërkombëtarët. Shumica e shqiptarëve nuk do të gënjehet edhe nëse kundërshtimi ndaj reformës do të bëhet kinse në emër të “lirisë apo të drejtave” të kërcënuara të gjykatësve të korruptuar apo të mos “cenimit të sovranitetit” të shtetit. Mos thanë gjë “sovranitet”?! A e dini se aty ku nuk ka drejtësi për qytetarët nuk ka as liri për ta? E si mund të pretendosh për sovranitet aty ku nuk ka liri qytetare?

Liri gëzon edhe gaforrja por gaforre asht! – shkruante Migjeni. Ata që pëllasin për “sovranitetin shtetit” e bëjnë për të penguar reformën  dhe kanë parasysh vetëm një “sovranitet”, atë të botës së krimit që në fakt, sundon sot jetët dhe fatet e shqiptarëve të thjeshtë.

Pra le të mos kalojë reforma nëse Berisha nuk ja jep votat. Madje nuk duhet që reforma të kalojë me votat e berishistëve. Do të qe një provë e vërtetësisë së saj. E kundërta do qe provë e pavërtetësisë së reformës. Sepse do të qe hipokrizi, një tallje tjetër me shqiptarët dhe Kushtetutën.

Rruga e duhur për reformën në drejtësi nuk kalon nga konsensusi me Berishën dhe berishistët por nga disensusi me ta. Asnjë rrugë tjetër nuk është e duhura! Pra ose PD duhet të votojë reformën duke i hapur rrugë ndëshkimit të korrupsionit në radhët e saj (por edhe të së majtës që nuk ka pak korrupsion) ose duhet ta kundërshtojë atë.

Kjo e dyta ka 100 %  gjasa të ndodhë sepse nuk shoh në PD ndonjë korrent a fraksion të dalë vendosmërisht kundër traditës autokratike dhe të korruptuar berishiste. Shumica e tyre ja kanë parë hajrin kësaj tradite. Në këtë rast, me probabilitetin më të lartë të mundshëm, vendi duhet të shkonte në referendum për reformën në drejtësi që, në vetvete, do kishte edhe vlerën e zgjedhjeve të parakohshme.

Dhe le të vendosin shqiptarët nëse duan të qeverisen nga ata që duan drejtësi të pavarur apo nga ata që as e kanë dashur dhe as nuk e duan atë.

Përderisa jo dakordësimi por mosdakordësimi me autokratizmin dhe korrupsionin berishist, është e vetmja rrugë e duhur për reformën në drejtësi, ndaj është alarmante që të shohim Ramën të deklarohet i lehtësuar që më në fund, Berisha po ja hipën trenit të reformës.

Çfarë mjerimi intelektual të ushqesh iluzione!

Sepse Berisha mund t’i hipë trenit të reformës vetëm që t’i çojë vagonët andej nga do ai, nga tunelet e autokratizmit. Dhe kjo është fare pa lidhje me atë që shumë shqiptarë e shpresojnë si rilindje e drejtësisë në Shqipëri.

Për të gjitha këto, është e trishtueshme të shohësh edhe ambasadorin amerikan që për reformën në drejtësi, të kërkojë konsensusin e një politikani të korruptuar që nuk ka dashur kurrë, nuk e do dhe nuk mund ta dojë drejtësinë.

Trokitja e ambasadorit Lu në derën e Berishës, flet edhe për një handikap tjetër.

Është prova se nuk vërehet akoma një mobilizim social në favor të reformës. Në një kuptim të ngushtë ndërkombëtarët nuk janë investuar si duhet që të organizojnë ato forca shoqërore që pikërisht sepse kanë vuajtur nga padrejtësia, shpresojnë sinqerisht në ardhjen e drejtësisë. Dhe këto forca shoqërore nuk mund të gjenden me shumicë në kampet e politikës, në elitat politike apo juridike, që përgjithësisht kanë përfituar nga mungesa e drejtësisë dhe prandaj, duan ta ruajnë këtë statukuo.

Ndaj është e gabuar që mbështetjen kryesore për reformën në drejtësi ta kërkosh brenda kampeve politike ku ndodhen përfituesit më të mëdhenj nga mungesa e drejtësisë.

Por në një kuptim më të gjerë, indiferenca e opinionit ndaj reformës në drejtësi,  është provë e dështimit më afatgjatë të projekteve që kane financuar shoqërinë civile. Ajo nuk është bërë një forcë, një institucion, një pushtet. Dhe këtu nuk është fjala për ca tryeza të rrumbullakëta mbi reformën pra për ca truke me “shoqëri civile” që vetëm i rrumbullakosin hallet e reformës.

Ndërkohë, është fakt se shumica e shqiptarëve duan drejtësi.

Forcat sociale në favor të reformës ekzistojnë. Por janë të pa organizuara. Dhe kjo në politikë do të thotë të mos ekzistosh. Shtresat pro reformës në drejtësi nuk janë për shembull të organizuara në një Koalicion për Drejtësinë e Pavarur siç ishin vite më parë, të mbështetur nga ndërkombëtarët, në “Koalicionin Shqiptar kundër Korrupsionit” të manifestuar nga qeveria e Fatos Nanos. Koalicion që Berisha u kujdes të shpërbëhet sapo u rikthye në pushtet në vitin 2005.

Ndaj sot, në vend se klanet e korruptuara të politikës dhe gjyqësorit të ndjehen të presuara mes veprimit qytetar dhe atij ndërkombëtar që duan realisht drejtësi, ndjehen të ngazëllyera tek shohin që autokratit i trokasin në derë për konsensus.

Një shenjë e qartë se reforma po lind e vdekur.

E si të mos alarmohesh?! Sepse është në lojë e ardhmja e Shqipërisë.

Share This Article
1 Comment
  • Nje tragjedi shqiptaro-amerikane 25 vjecare qe konsiston ne ‘paqen” midis
    UJKUT BERISHE ME GOMARET E RRADHES TE PS:

    nqs do ndiqni me kujdes nje lajm dikur domethenes ne Patok te Kurbinit…mund ta krahesojme me keto aktore ne skenen politike shqiptare si me poshte:

    RROK HOTI……………..donald lu
    UJKU……………………….saleh berishaj
    GOMARI…………………..edi rama
    KERRICI…………………..ilir meta

    Historia e nje fshatari Shqipetar nga Patoku(Rrok Hoti) i cili kapi nje ujk dhe vendosi ta zbuste. Fshatari vendosi ne kafaz nje gomar disa muajsh per te ushqyer ujkun por cuditerish u miqesua dhe nuk e preku.

    Ujku qendroi 10 dite pa ushqim ne kafaz bashke me kerricin dhe u miqesuan.Mbas shume peticjoneve nga organizatat nderkombetare te te drejtave te kafsheve si ALF dhe PETA fshatari u urdherua nga policia ta leshonte ujkun te lire.

    Fshataret perreth thone se ujku megjithese i lire qendron shume prane shtepise se fshatarit
    Uqerit jane nje nga specjet e gjtareve qe jane ne listen e kafsheve ne zhdukje ne Evrope.
    Vetem nga ALN u derguan mijera peticjone ujkut Berishe (sa tani i del ujku dhe gomari ne enderr dhe po konsultohet me psikologun ;DL)

    Wolf and donkey share a cage

    A wolf and a donkey share a cage in the northwestern town of Patok in Albania, about 40 km (25 miles) from capital the Tirana, May 9, 2007. The donkey was brought into the enclosure to be fed to the wolf, which was caught in the northern Albanian mountains four months ago. The animals have since become attached to each other, cohabitating in the cage for the last 10 days, and attracting curious villagers and local media. [Reuters]

    Albanian wolf freed

    students.barackobama.com/page/community/post/heartofthewolforganization/CtjH

    Read more: http://illyria.proboards.com/thread/26875#ixzz3vZuAZTPj

    zoti donald lu ( me sakte ato berishistet e washingtonit qe te kane emruar) mos e trajtoni shqiperine si hauri i rrok hotit te kurbinit..

    eshte koka te dorzoni koken e ujkut tuaj berishe….25 vjet me kete politiken tuaj te paqes UJK-GOMAR jane shume dhe keni kaluar cdo kufi njerzor..

    KA MENYRA ME TE QYTETERUARA PER TE POSHTRUAR NJERZIT E NDERSHEM ME SALUJKUN TUAJ

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *