Shumëkujt prej emigrantëve shqiptarë në Greqi, duhet t’i kenë mbetur në mendje ato pamje të një emisioni televiziv grek, kur në pranverën e vitit 1999 nisi sulmi ajror i NATO-s kundër Serbisë së Sllobodan Millosheviçit. Përballja mes arvanitasit Aristidh Kola, i ftuar në emision, dhe deputetes së majtë Liana Kaneli, ishte ajo mes forces së qetë të argumentit se përse populli grek duhet ta mbështeste kauzën e Kosovës së martirizuar dhe jo makinën vrastare të Millosheviçit, dhe tërbimit frenetik të një gazetare-politikaneje që i kishte mbetur ora në realitetin e gjysmë shekulli më parë. Shumëkush e pyeti asokohe Kolën, ndër të paktët ithtarë dhe mbrojtës të patundur të identitetit arvanitas, përse nuk u tregua edhe ai agresiv ndaj Kanelit. Ai u përgjigj se e vërteta nuk ka nevojë për ulërima. lronia e historisë, e pamëshirshme në kësi rastesh, e donte që Kaneli të sulmohej live në televizion, nga një deputet i Agimit të Artë, mbi 12 vjet më vonë nga ky incident.
Mbase Aristidh Kola e ka parë nga lart me qesëndi dackën që hëngri Kaneli nga një rrugaç parlamentar; mbase jo. Sepse ligësinë ai nuk e duronte dot, pasi nga ajo i erdhi e keqja. Një vit e gjysmë pas sulmit të NATO-s, ai u shua në moshën 56 vjeçare në një spital të Athinës në vjeshtën e vitit 2000. Shëndeti iu fik pak nga pak nga simptomat e leuçemisë në gjak. Ai vetë qe i bindur se e kishin helmuar, por nuk e humbi gjakftohtësinë.
Puna e shoqatës së Arvanitasve të Greqisë vazhdon edhe sot, por nga vitet 70-të e në vazhdim kur nisi veprimtaria e Aristidh Kolës, vështirësitë padyshim ishin gjigande. Ndaj dhe të lexosh sot artikuj dhe studime të tij dhe arvanitasve të tjerë në revistën “Besa”, si ky shkrim i vitit 1984, e kupton se çfarë guximi nevojitej, dhe çfarë pengesash duheshin marrë parasysh. Jurist, historian, publicist, iniciator i njohjes së traditave dhe kuJturës arvanitase, i bashkëpunimit me gjithë diasporën arbëreshe e shqiptare, ky mik i madh i shqiptarëve u perceptua nga qarqet radikale si armik i Greqisë, kur në fakt ky ishte një keqkuptim i madh, dhe i qëllimtë. Sepse ai e donte Greqinë si gjënë më të shenjtë; por donte Greqinë e vërtetë, atë të njerëzve me prejardhje e fe të ndryshme, që luftuan së bashku për t’i kthyer lavdinë e dikurshme, e për të jetuar në paqe e mirëqenie.

E verteta ka vdekur ne shqiperi per shume tema.
SHOQATA E ARVANITASVE TË GREQISË ME VDEKJEN E ARISTIDH KOLËS KA VDEKUR, NUK EKZISTON, NUK KA ASNJË ADRESË.