Është e lehtë të flasësh për Skraparin, për kulturën, qytetarinë, mikpritjen, bujarinë dhe besën. Por unë dua të shkruaj për këngëtare që përçojnë folklorin e Skraparit, si Lavdije Sulçe e Diana Ymeri. Arsyeja pse mora penën është se ato po e çojnë përpara këngën popullore të kësaj zone. Po i shihja në televizor dhe mu mbushën sytë me lot. Ndoshta prej moshës po plaken edhe ata këngëtarë që po mbajnë gjallë folklorin. Ndoshta edhe prej mallit për atë Skrapar…Këto dy gra të skalitura që janë pjesë e panteonit të këngës popullore, sigurisht që i njoh mirë, janë mjeshtre të këngës. Bravo u qoftë që kanë amrrë rrugën t’u tregojnë brezave të ardhshëm si kërkohet kënga skraparllie. Ato kanë djersitur në sallat e koncerteve me problemet që kanë sallat tona, por kanë ditur që me mjeshtërinë, talentin, kurajën dhe shpirtin e tyre, të dalin faqebardhë. Dhe unë emocionohem, si një mësuese që sheh nxënësit e saj të rritur që janë bërë të tillë. Do të doja t’i uroj të dyja këto këngëtare, por edhe gjithë armatën e këngëtarëve popullorë të Skraparit dhe gjithë Shqipërisë.
Letër e nënshkruar,
Luljeta Çarçani
