Më 4 tetor 2011, pas shumë debatesh dhe me vendim të qeverisë së atëhershme, kaloi në Kuvend ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Ish-kryeministri Berisha kërkoi që varrezat e makinave të largoheshin 5 kilometra nga rrugët nacionale. “Janë kodrat e ndryshkut që janë ngritur kudo nga automjetet e hedhura. Ato do të zhduken me një shpejtësi të madhe”, deklaroi atëherë Berisha.
Pas kësaj fushate mediatike dhe një aksioni shtetëror, pjesa më e madhe e pronarëve të këtyre varrezave makinash e zhvendosën aktivitetin, ose makinat e vjetra u sekuestruan.
Por, sapo aksioni përfundoi, disa muaj më pas ato u rikthyen pranë rrugëve. Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, mjaft i debatuar, mbeti në letër dhe i pazbatueshëm në pjesën më të madhe të tij edhe sot.
Inspektoriati i Mjedisit ka deklaruar se deri në fund të janarit të vitit 2016 nuk do të ketë asnjë subjekt që merret me grumbullimin dhe trajtimin e mjeteve të dala nga qarkullimi 1 kilometër nga rrugët nacionale të vendit.
