Parlamenti i Gjeorgjisë ka zgjedhur të martën ish-ministrin e Jashtëm, Giorgi Kvirikashvili, si kryeministër të ri të vendit.
Kvirikashvili u propozua nga koalicioni që të jetë kryeministër, pas dorëheqjes që dha javën e kaluar kryeministri i deritashëm, Irakli Garibashvili.
“Parlamenti me 86 vota për dhe 28 kundër e ka votuar edhe qeverinë e re”, ka njoftuar kryetari i parlamentit gjeorgjian, David Usupashvili.
Një ditë para se të votohen nga Parlamenti, Kvirikashvili dhe ministrat e caktuar, janë pyetur nga ligjvënësit në lidhje me bisedimet me Rusinë rreth Kaukazit, rreth Gazpromit por edhe marrëdhëniet e përgjithshme me këtë vend.
Kvirikashvili, 48 vjeçar, i cili deri më tani ka qenë në pozitën e zëvendëskryeministrit të parë, ka thënë se Gjeorgjia do ta vazhdojë rrugën e saj euro-atlantike.
Ai tha se Gjeorgjia do të vazhdojë “të jetë pragmatike ndaj Rusisë” për aq kohë sa Rusia e njeh “sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë”.
Giorgi Kvirikashvili i ka përfunduar studimet Master për financa në Universitetin e Illinoisit në Shtetet e Bashkuara. /Dita/
