Një grup turistësh në Dagestan të Rusisë janë sulmuar me armë nga një person.
Një prej tyre humbi jetën, ndërsa 11 turistë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Turistët po vizitonin një kala historike në pjesën jugore të vendit. “Si rezultat i një sulmi me armë, dymbëdhjetë persona janë lënduar, njëri prej të cilëve, ka vdekur”, e ka cituar agjencia RIA Novosti një zyrtar të shëndetësisë.
Mes të plagosurve, katër prej tyre janë në gjendje të rëndë. Agjencia e lajmeve Interfax tha se një grup turistësh rusë po e vizitonin kalanë teksa personi i armatosur i ka sulmuar nga pylli. Policia nuk e ka komentuar rastin por bëhet me dije se janë në kërkim të sulmuesit.
Dagestani është i populluar kryesisht nga myslimanë ndërsa dhuna midis separatistëve, grupeve kriminale, policisë është e pranishme në mënyrë të vazhdueshme. Më të sulmuarit janë myslimanët e “moderuar”, gazetarët, por edhe policët dhe zyrtarët lokalë. /Dita/
