Alqi, si e sheh bojkotin e PD ndaj zyrtarit kyc te integrimit në BE? Ka domethënie të vecantë kjo sjellje, shihni dicka më shumë se inati i zakonshem i “të pakontrollueshmit” Berisha?
Nuk besoj të jetë misterioze arsyeja. Konferencën “Just BE” mazhoranca aktuale e injoroi si kundëpërgjigje ndaj ndryshimit të tonit të reagimeve të komisionerit Fyle, lidhur me ngërçin e politikës shqiptare. Nëse deri vonë, në reagimet e zyrtarëve të Brukselit vihej re njëfarë barazlargimi ndaj palëve të politikës së Tiranës dhe një “shpërndarje” e fajit për situatën aktuale ku kryefjala ishte “krimi” i mosmiratimit të dy ligjeve dhe një rregulloreje, së fundi Fyle pat deklaruar se janë zgjedhjet e pakontestueshme, prova e madhe dhe e vërtetë e progresit të vendit në rrugën e integrimit. Pa harruar pastaj kërkesat eksplicite të Brukselit për zbardhjen e dosjeve kyçe të drejtësisë që i dimë të gjithë, si dhe luftën e munguar ndaj korrupsionit. Këta qëndrime që nuk i vijnë për mbarë mazhorancës, aq më pak para zgjedhjeve, morën si përgjigje një bojkot provincial e fëminor që, tek e fundit, na turpëron të gjithëve.
Qeveria ka dështuar për marrjen e statusit për tre herë rresht. U quajt “qeveria e integrimit”, tani bojkoton zyrtarët e integrimit e megjithatë kërkon një mandat të tretë…
Tezat e PD-së në këtë drejtim janë artikuluar me kohë: “Opozita ka mbajtur qëndrim bllokues dhe e ka dënuar Shqipërinë, për interesa të ngushta partiake, por megjithatë qeveria ka bërë hapa të mëdha, shqiptarët do ta dënojnë opozitën me votë për këtë sjellje, etj etj”. Dikush edhe mund t’i besojë këto teza, padyshim militantët së pari, por shumë të tjerë jo. Them se meraku ynë nuk mund të jetë se me ç’teza do të dalin partitë, por se ç’duhet bërë realisht për ta merituar integrimin: Shtet vërtet ligjor dhe të së drejtës, zgjedhje vërtet të lira e të ndershme, luftë korrupsionit, bakshishit, çdo ngjyrimi të kësaj natyre dhe, ajo që e harrojmë duke u turrur pas termave, mirëqenie reale për njerëzit. Nëse e bëjmë këtë, integrimi është thjesht formalitet.
*Kryeredaktor i revistës Klan
