Jeta luksoze e deputetëve, mijëra Euro për dreka, udhëtime jashtë vendit e karburant

Saimir Lleshi

As tymi e gazi lotsjellës nuk i pengoi deputetët  të përfitojnë nga privilegjet që i gëzojnë si përfaqësues të popullit. Për nëntë muajt të vitit të kaluar, deputetët  kanë shpenzuar 62 mijë e 239 Euro nga udhëtimet jashtë vendit. Për akomodim të udhëtimeve zyrtare kanë shpenzuar 33 mijë e 418 Euro. Ndërsa, për dreka zyrtare kanë shpenzuar 55 mijë e 481 Euro.

Bëhet fjalë për deputetët e Kuvendit të Kosovës, që sipas raportit, del se disa prej tyre kishin frekuentuar restorantet dhe hotelet luksoze të njohura në vend. Gjithashtu, për nëntë muaj të vitit 2015 kanë shpenzuar mbi 39 mijë Euro vetëm për telefona, shkruan Kosovapress. Kurse, për bileta të udhëtimit jashtë vendit kanë shpenzuar 41 mijë e 837 Euro. Mbi 4 mijë e 530 euro përfituan nga avancet.

Përfitues të këtyre privilegjeve, që janë të cekura në raportin nëntëmujor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, duket të kenë qenë të gjithë deputetët duke përfshirë ata të mazhorancës, opozitës e të pakicave. Të dhënat e lartpërmendura janë bazuar në raportin për nëntëmujorin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës tek programi i deputetëve që ka kodin 10100.

Ndërsa sa i përket servisit të makinave që përdorin, del se për këtë kategori janë paguar 16 mijë Euro, për karburant mbi 32 mijë euro. Deputetja Duda Balje është shpenzuesja më e madhe e tollonave të naftës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *