Interi ka kaluar me sukses provën e vështirë në fushën e Empolit dhe ka rimarrë vendin e parë në Serinë A. Kryesim që zikaltrit e kanë humbur përkohësisht pas fitores 3-1 të Fiorentinës në fushën e Palermos.
Një gol i Mauro Icardit i ka mjaftuar zikaltërve për të marrë tri pikë shumë të rëndësishme dhe për të bërë një hap tjetër drejt një titulli që mungon prej pesë sezonesh.
Nuk ka qenë një ndeshje e lehtë për milanezët, me ekipin e Giampaolos që ka shkuar disa herë afër golit në pjesën e parë. Por mbrojtja e miqve, më e mira e kampionatit, ka rezistuar duke neutralizuar tentativat e toskanëve. Në fundin e 45 minutave të para ka ardhur goli që ka vendosur ndeshjen në favor të milanezëve. Icardi, tetë gola në kampionat, nuk ka gabuar një metër larg portës, pas asistit të saktë të Perisic.
Në pjesën e dytë ritmi i lojës ka rënë, me Empolin që ka kërkuar të godasë në kundërsulm, ndërsa Interi ka kërkuar të gjejë golin e dytë që do të mbyllte përfundimisht ndeshjen. Një gol që nuk ka ardhur, por gjithsesi zikaltrit kanë arritur të marrin fitoren numër 12 në këtë kampionat dhe të mbrojnë vendin e parë në kuotën e 39 pikëve. Empoli, një nga ekipet surprizë të Serisë A në këtë sezon, është ndalur pas katër fitoresh radhazi dhe ka pësuar humbjen e parë në gjashtë ndeshjet e fundit.
