Teksa çmimi i naftës brent në tregjet ndërkombëtare ka shënuar nivelin më të ulët të 14 viteve të fundit, me vetëm 32.89 dollarë për fuçi, tregu shqiptar ka reaguar në mënyrë kaotike.
Pikat e vogla të shitjes me pakicë të karburanteve po e shesin aktualisht një litër naftë me 150-155 lekë, ndërsa grosistët e mëdhenj e kanë mbajtur çmimin e pandryshuar me ndryshimet e fundit në tregjet e jashtme, duke e shitur një litër naftë 168 dhe 169 lekë.
Monitor raporton se disa pika karburanti kanë ulur konsiderueshëm çmimin me gati 131.7 lekë për litër përgjatë javës së parë të vitit, duke ofruar çmimin 150-155 për litër, duke i shkuar në të kundërt trendit të uljes së çmimit në tregun vendas i cili diktohet nga grosistët.
Burime nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve u treguan skeptikë nëse do të reflektonin këtë ulje në çmimet e pakicës për shkak të rritjes së tarifës së rilicencimit. Në fillim të dhjetorit, Këshilli i Ministrave vendosi të shumëfishojë pagesën për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, dhe vajrave lubrifikantë, duke e bërë atë 5 milionë lekë, për Bashkinë e Tiranës, dhe 2 milionë lekë, për bashkitë e tjera.
Më parë, tarifat ishin përkatësisht 30 mijë lekë dhe 20 mijë lekë. Sipas operatorëve të tregut, të paktën në vitin e parë, kjo tarifë do të ndikojë në 510 lekë në çmimin e naftës, pasi tregtuesit do e kalojnë këtë kosto te çmimet finale, që paguhen nga konsumatori. Sot rreth 67% e çmimit të naftës e përbëjnë taksat, sipas operatorëve. Rritja me 10 lekë për litër e taksës së qarkullimit në janar të këtij viti ka bërë që çmimet aktualisht të luhaten me 160-168 lekë për litër, 10 lekë për litër më shumë në krahasim me periudhën kur nafta ishte në të njëjtat nivele në bursat ndërkombëtare, rreth një vit më parë.
Edhe uljen e fundit në tregjet globale, operatorët e tregut pritet ta shfrytëzojnë për të amortizuar pikërisht rritjen e kostos së rilicencimit. Çmimet e naftës kanë arritur nivelin e tyre më të ulët në 14 vjet, pasi konflikti mes Arabisë Saudite dhe iranit mendohet se po e bën edhe më të pamundur arritjen e bashkëpunimit ndërmjet eksportuesve kryesore për të reduktuar prodhimin. Dëshmia e ngadalësimit të rritjes ekonomike në Kinë dhe Indi ka ushqyer frikën se edhe kërkesa e fortë në vende të tjera mund të mos jetë e mjaftueshme t’i japë fund mbiofertës së naftës së papërpunuar që ka rezultuar nga një prodhim pranë niveleve rekord gjatë vitit të kaluar.

Pse nuk thuhet qe po veprojne cmimet monopol dhe po rrjepin qytetaret, duke hedhur ne treg edhe nafte te paperpunaur dhe ankohen per taksa e akciza, kur kontrobanda vazhdon me ritme te pandalshme. Pergjegjesia eshte e Qeverise Rama, sic shikohet bashkepunimi i tyre me mafiozet e hidro-kar-bureve eshte ne muajin e mjaltit. Ne Amerike sot nje gallon benzene kushton 3.4 $ (jo nafte) pra 1 liter benzine shitet me 111, 8 lek te reja, po te besh llogari edhe pagen e nje qytetari amerikan me ate te shqiptareve nuk ke se cfare te thuash dhe te tregosh.