Një vajzë vdiq pas heqjes së bajameve. Një djalë vdiq gjatë një operacioni në qepallë. Një vajzë vdiq në koma diabetike të padiagnostikuar. Një gruas i hoqën pa i thënë veshkën e shëndoshë.
Këto janë vetëm pak nga lajmet që media ka njoftuar. Sa të tilla ndodhin çdo ditë në shërbimin tonë shëndetësor?
A ndodhin gabime në këtë shërbim? Sigurisht ndodhin. U bënë mbi dhjetë vjet nga koha kur Instituti i Mjekësisë amerikane konkludoi se në sistemin shëndetësor amerikan çdo vit ndodhin 98.000 vdekje të sëmurësh për gabime mjekësore, të cilat ishin plotësisht të evitueshme. Kjo do të thotë se çdo ditë vdesin 250 të sëmurë që nuk duhej të vdisnin.
Kur i dëgjon këto statistika, gjithkush, bën pyetjen: Po tek ne sa njerëz vdesin çdo ditë si pasojë e gabimeve mjekësore të evitueshme? Ne nuk e kemi këtë statistikë, madje, ne i fshehim këto gabime. Kjo është arsyeja pse gabimet përsëriten. Për të evituar gabimet duhet transparencë, duhet ndershmëri, duhet kurajë.
A do të kishte një industri, një biznes apo një sistem tjetër organizimi, që do t’i pranonte, ose do të lejonte kaq shumë gabime? Përfytyroni sikur këto gabime të ndodhnin në transportin ajror. Kush do të guxonte të fluturonte me avion? Pse atëherë, shkojnë njerëzit nëpër spitale kur bëhen kaq shumë gabime? Sa gjatë do t’i durojmë këto humbje dhe vuajtje, që shumë “ekspertë”, tek ne, i justifikojnë me zë të lartë, duke i konsideruar si ajsbergët që përmbytën “Titanikun”?
Prapa këtyre numrave, shoqëria jonë duhet të shikojë njerëzit e vërtetë, ata që punojnë dhe drejtojnë sistemin shëndetësor. Kjo situatë nuk është thjesht një problem klinik, e as rezultat i mos-kompetencës së doktorëve. Ato janë pasojë negative e sistemit shëndetësor. Shumicën dërmuese të gabimeve mjekësore nuk e kanë bërë kompjuterët dhe aparatet e prishura, por doktorët e mirë. Ata që përpiqen të bëjnë gjërat e duhura, por që punojnë në kushtet e një sistemi shëndetësor të gabuar, ku ata nuk vlerësohen siç duhet.
Sistemi ynë shëndetësor është i fragmentuar dhe i projektuar keq. Ky sistem shëndetësor i papërshtatshëm, ushqen, vazhdimisht, bërjen e gabimeve mjekësore dhe çon në keqpërdorimin, mbipërdorimin, ose nënpërdorimin e mundësive që ka, e duhet të ketë shërbimi shëndetësor.
Shikoni me kujdes këto statistika që flasin për cilësinë e shërbimit shëndetësor :
1- Doktorët amerikanë thonë se, rreth gjysma shërbimit që u japin të sëmurëve është pa përfitime klinike. Çfarë thonë doktorët shqiptarë lidhur me këtë?
2 – Shumica e shërbimit që u jepet të sëmurëve nuk është e bazuar shkencërisht. Vetëm 20 përqind e shërbimit që u jepet të sëmurëve është vërtetuar shkencërisht e vlefshme. Po tek ne sa përqind e shërbimit nuk është e bazuar shkencërisht?
3- Barnat e reja që përdoren në spitale, në 25 përqind të pacientëve jepen me gabime. A ka gabime në dhënien e barnave tek ne?
Pasi lexon këto shqetësime të mjekësisë amerikane, çuditesh se si tek ne, ata që duhet të përgjigjen për shërbimin shëndetësor të popullsisë, nuk i zënë në gojë këto, por vetëm flasin për suksese të papara, që na rreshtojnë në krye të klasifikimeve botërore. Për koncesione dhe për qindra milionë euro barna, nga të cilat një pjesë e mirë vidhet.
Ja dhe disa shifra të tjera:
1- Në shtetin e Massachusetts, ku shërbimi shëndetësor është nw nivelin më të lartë, sipas Commonwealth Fund, vetëm 50 përqind e diabetikëve e marrin kujdesin e rekomanduar. Kjo ndodh me një sëmundje që ka përhapje shumë të madhe dhe vetvetiu lind pyetja: Sa përqind e diabetikëve shqiptarë e marrin mjekimin e duhur kur, akoma, nuk u bëhet të gjithëve testi A1C dhe nuk kanë një makinë për të përcaktuar në shtëpi nivelin e sheqerit në gjak, sa herë e kërkon sëmundja?
2 – Shteti i Massachusetts renditet i tridhjetë e pesti në vend, për përdorimin e spitaleve dhe shpenzimeve të kota që bëhen në to. A ka ndonjë statistikë si renditen spitalet në Shqipëri ? Mbi këto statistika duhet të bëhet edhe vlerësimi i drejtuesve.
3- Infeksionet e fituara në spitalet (infeksionet nosokomiale) i kushtojnë shërbimit shëndetësor të Massachusetts më shumë se 473 milionë dollarë në vit, pa llogaritur rrezikun e shtrenjtë shëndetësor për pacientët e infektuar. Sa janë infeksionet që marrin të sëmurët shqiptarë nëpër spitalet që kutërbojnë nga pisllëku dhe cila është kostoja e tyre?
Pse janë këto rezultate të dobëta në sistemin shëndetësor amerikan, kur për shëndetësinë jepet 16 përqind e GDP, më e larta nga gjithë vendet e tjera në botë? Shpjegimi për këtë është sistemi shëndetësor amerikan i bazuar në kompanitë e inshurancave, që janë institucione financiare që në qendër të punës së tyre vënë fitimin dhe paranë dhe jo njeriun.
Është fakt që vende të tjera të zhvilluara kapitaliste, ku sistemi nuk funksion me inshuranca, shpenzojnë shumë më pak nga GDP-ja për shëndetësinë dhe rezultatet i kanë shumë më të mira. Këtu nuk bëhet fjalë për shëndetësinë shqiptare, që merr vetëm rreth 2.8 përqind të GDP-së dhe funksionon me sistemin e sigurimeve shëndetësore, të cilat marrin pjesën më të madhe të këtyre parave.
Nuk kam parë statistika si ato që përmenda më sipër të publikuara në vendin tonë. Drejtuesit e qeverisë dhe shëndetësisë shqiptare, nuk lodhen duke na gënjyer me sukseset e “mrekullueshme” dhe me prerjen e shiritave për çdo aparat që vjen në Shqipëri dhe për një cope mëlçi që u ngjit në një spital privat. Ata nuk u lodhën duke na thënë se shëndetësia jonë nuk ka gabime, nuk ka të meta.
Lind pyetja: Kush duhet të mbajë përgjegjësi për këto rezultate të pakënaqshme? Natyrisht, përgjegjësi mbajnë ata që punojmë në sistemin shëndetësor, por përgjegjësi më të madhe mbajnë ata, që me taksat e shqiptarëve paguhen për të organizuar shërbimin shëndetësor, siç janë Ministria e Shëndetësisë dhe Sigurimet Shëndetësore.
Por, për sa kohë që doktorëve dhe spitaleve do t’u kërkohet të përmirësojnë atë që është e fundit në shërbimin shëndetësor, pra të bëjnë sa më shumë vizita, sa më shumë analiza dhe sa më shumë operacione dhe të mos u kërkohet të bëjnë kryesoren, të luftojnë të arrijnë rezultate shëndetësore më të mira për pacientët, shëndetësia jonë do të vazhdojë të paguajë gjithnjë e më shumë për shërbimin shëndetësor.
Në shërbimin shëndetësor duhet të jetë primare cilësia, jo sasia. Në shërbimin shëndetësor duhet të paguhen më mirë ata që bëjnë shërbimin cilësor më të mirë, jo ata që bëjnë volum pune më të madh. Në këtë kuadër, bën përshtypje insistimi i vazhdueshëm i Ministrit së Shëndetësisë, që në çdo dalje publike, jep vetëm statistika (ky është profesioni i tij), se janë bërë kaq e aq kateterizime të zemrës, dializa, CT-scan, depistime, madje, më shumë nga më parë. Ai, kurrë, nuk foli për cilësi shërbimi dhe sa nga këto shpenzime marramendëse janë bërë kot.
Të gjithë duhet të kuptojmë, se parimi që kërkon të zbatojë Ministria e Shëndetësisë: “Më shumë shërbim është më mirë, ndaj o burra depistime kot!”, është i gabuar dhe më i shtrenjtë. Parimi që duhet ndjekur duhet të jetë,“cilësia e shërbimit ka më shumë rëndësi”.
Sistemi shëndetësor që kërkon rezultate shëndetësore më të mira, jo vetëm që do të shpëtojë më shumë jetë njerëzish, por do të shkojë edhe më tej, do t’i vejë fre rritjes së papërmbajtur të kostos së shërbimit shëndetësor. Këtu nuk ka vend as për teori e as për zbulime, të gjitha gjërat dihen, ato duhet të zbatohen. Vetëm kështu do t’i vihet fre trendit të papërmbajtur të rritjes së kostos së shërbimit shëndetësor.
Ne duhet të kërkojmë:
-Një sistem shëndetësor që të jetë i aftë ta bëjë “zero” dëmin e evitueshëm, për çdo pacient të veçantë.
-Një sistem shëndetësor ku të gjithë pacientët, duhet të marrin shërbimin e përshtatshëm për parandalimin e sëmundjeve dhe për mjekimin e sëmundjeve të tyre akute ose kronike.
-Një sistem shëndetësor ku të gjithë, pa dallime ekonomike, kulturore, gjinore dhe raciale, të kenë akses të barabartë në shërbimin shëndetësor, me shpenzime të buxhetit të shtetit. Shërbimi shëndetësor nuk është luks, ai është e drejtë e çdo qytetari. Në këtë kuptim, bën përshtypje mos-interesimi i atyre institucioneve që merren me te drejtat e njeriut. Pse nuk ngrenë zërin për të drejtën e qytetarëve për shërbim shëndetësor të sigurtë dhe të barabartë? .
-Mjekët dhe personeli shëndetësor të shpërblehen në bazë të treguesve objektive të performancës dhe me cilësinë e rezultateve klinike. (Sa rëndësi ka numri i ro-grafive që janë bërë, kur përqindja me e madhe e tyre ka qenë e panevojshme, vetëm për të dhënë një shembull).
-Pacientët duhet të marrin mjekimin që u duhet, duke e bërë ata zgjedhjen për mjekimin e tyre, pasi të jenë të mirë-informuar.
-Drejtuesit e shërbimit shëndetësor të të gjitha niveleve, të bëhen avokatë të fortë dhe të qëndrueshëm të kualitetit të shërbimit shëndetësor për të sëmurët.
-Teknologjitë dhe mjekimet e reja, duhet të vlerësohen dhe të krahasohen me alternativat ekzistuese, përpara se të adoptohen.
-Kursimet nga sistemi i kujdesit shëndetësor që vinë nga shërbimi i sigurtë, shkencor dhe efektiv në kosto, do të ri-investohen në atë mënyrë, që të ngadalësojnë spiralen e rritjes së kostos së shërbimit shëndetësor dhe të përmirësojnë shëndetin e popullit.
Përpjekjet për të fituar mbi sëmundjet, për të kursyer jetët, për të përmirësuar shëndetin dhe kualitetin e jetës së gjithkujt, duhet të jenë të vazhdueshme. Kjo bëhet e mundur jo me llafe, por duke përdorur sukseset e shkencës mjekësore, duke rritur ekspertizën e gjithë punonjësve të shëndetësisë, duke përdorur me efektivitet teknologjinë dhe kompetencën manaxheriale. Mbi të gjitha, kjo arrihet me njerëz të dedikuar dhe të pasionuar, që të jenë të gatshëm për të dhënë atë që ofron shkenca e shekullit të njëzetë e një.
Si mjek i vjetër, që i dua dhe më dhimbsen të sëmurët dhe qytetarët e këtij vendi, jam i bindur se sistemi shëndetësor më i përshtatshëm për shqiptarët është sistemi i shërbimit falas dhe i barabartë për të gjithë. Sistemi shëndetësor i Sigurimeve vendos në qendër paranë dhe fitimin dhe jo shëndetin e njerëzve.
Nuk duhet të hutohemi nga propaganda se “nuk ka shërbim falas”, “se kapitalizmi është para dhe llogari”. Askush nuk ka thënë se shërbimi shëndetësor nuk ka kosto. Madje edhe në sistemin që lame, ai kishte të njëjtën kosto si kudo në botë. Barnat, aparaturat, mjetet blihen në tregun e jashtëm, çështja është kush do të paguajë për to. Kur paguan shteti nga taksat, njerëzve nuk u dhëmb koka kur sëmuren, sepse nuk kanë para. Ata vuajnë sëmundjen, por jo mungesën e parave që u duhen për mjekim. Sigurimet shëndetësore i duan paratë në dorë, madje, në radhë të parë duan fitimet e tyre të majmura. Vetëm, çfarë mbetet shkon për të sëmurët. Por shqiptarët nuk i kanë këto para që të paguajnë shërbimin shëndetësor.
Unë u lutem të sëmurëve dhe të shëndoshëve të më besojnë në këto që u them dhe të më përkrahin në këtë përpjekje për një sistem shëndetësor më të përshtatshëm për njerëzit.
Është kjo arsyeja që unë mbështeta programin e Partisë Socialiste për shëndetësi për të gjithë dhe të barabartë. Por kam bindjen, se zbatimi i programit për mjekësinë falas, nuk është vënë në rrugën e duhur. Është filluar me depistimet dhe vetëm për ato flitet. Ato janë mënyra e duhur për abuzime dhe përfitime financiare, po nuk bëjnë asnjë diferencë në shërbimin shëndetësor.
Po jepet me konçension çdo shërbim i sistemit. I besohet më shumë konçesionarit që nuk është specialist, nga sa u besohet mjekëve dhe infermierëve që u dhimbset i sëmuri dhe shërbimi ndaj tij. Gjithkujt i lindin këto pyetje: A do të punojë për fitime konçesionari? Nga do t’i nxjerrë këto fitime ai në shëndetësi? Përgjigja është e thjeshtë: Konçesionari nuk do të punojë pa fitime dhe ato do t’i nxjerrë nga paratë që duhet të shkonin tek të sëmurët. Pra, më pak para do të shkojnë tek të sëmurët nga buxheti i varfër i shëndetësisë ( 2.8 përqindëshi i GDP), sepse një pjesë e tyre do të futen në xhepat e konçesionarëve.
Unë i besoj barazisë sociale dhe shërbimit të barabartë për të gjithë. Na duhet, vetëm, të kemi dëshirën dhe motivacionin për të transformuar sistemin ekzistues të shërbimit shëndetësor, në një shërbim që do të plotësojë aspiratat tona më të larta për kujdesin shëndetësor. Nuk duhet të mendohet më parë, se çfarë do të vjedhim nga paratë që duhet të shkojnë tek të sëmurët.
Jam i bindur, se këtë e bëjnë më mirë mjekët dhe infermierët që duhet të drejtojnë institucionet shëndetësore dhe jo biznesmenët e babëzitur, që rrëmbejnë konçensionet në shërbimin shëndetësor. Si mund të pretendohet se po ndërtojmë një sistem shëndetësor shtetëror falas, kur pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e shërbimeve, u dorëzohet konçesionarëve privatë?!!!!.
Dr. Adem Harxhi
Për Ditën nga New York, Janar, 2016

Zoti Adem, zoti redaktor,
Do te ishte mire qe kur te shkruani duke ju refereuar shembujve, ti zgjidhni ata me kujdes!
Shkrimi fillon: “Një vajzë vdiq pas heqjes së bajameve. Një djalë vdiq gjatë një operacioni në qepallë. Një vajzë vdiq në koma diabetike të padiagnostikuar. Një gruas i hoqën pa i thënë veshkën e shëndoshë”. Me vjen keq, por keto jane histori shume te vjetra dhe nuk mund te lustrojne temen e shkrimit per shendetesine falas.
Kjo teme eshte shume e rendesishme dhe gjate ketyre dy vjeteve ka plot shembuj qe ju mund ti referoheni. Psh, kreu i qeverisë operon nenen ne spital privat, kreu i qeverise e lind femijen jashte shtetit, etj. etj.
Miqesisht
Sinani
NJE PROGRAM I PAZBATUESHEM, NUK KA “RRUGE TE DUHUR PER ZBATIM”, O SHOKET E DITES.
Ia ke fut kot plako! Statistikat e merr nga Amerika dhe te metat i jep vetem me hamendje per mjekesine shqiptare. Here tjeter mos shkruaj per gjera qe s’i njeh. Jo se mjekesia ne Shqiperi shkelqen, por se duket qarte qe ti nuk e njeh gjendjen reale. Ke marre nga interneti ca te dhena dhe thua: po kur ne Amerike ka kaq perqind gabime, po ne Shqiperi? Futja kot se plot do te dale cfaredo te shkruash per Shqiperine! E quan kete popull fare budalla.
Nje shkrim komplet me hamendje dhe i pa bazuar ne asnje evidence zyrtare. Thjesht pa vlere e humbje kohe.
E respektoj sinqeritetin e shqetesimit qe ndjene e qe shpreh se largu kolegu Harxhi lidhur me problematikat e sistemit tone shendetesor. dhe i mirekuptoj disa mangesi e lajthitje naive te tij ne njohjen e perpjekjeve reale arritjeve dhe faktoreve qe determinojne deshtimet per ti evituar apoe zgjidhur e permiresuar ato .
Nderkohe shkrimi i tij nuk sjelle asnje , absolutisht asngje te re, te pa thene , te pa shkruar e botuar e te panjohur ketu pervec sentimenteve qellim mira te nje emigranti nosstalgjik qe ne vend te vij vet te perballet ne terenin e ketushem me to preferon pozicione disi narcistike predikuese
.Nuk po i permend konkretisht me tituj librash dhe eventesh ato sepse disa kane autorsine time por sidooqfte ju falemderoj qe bashkoni zerin me aktivitetet instrumentat , dokuementat dhe perpjekjet e zhvilluara ne synimet per te permiresuar cilesine sigurine
performancen barazine dhe vendosjene standarteve akreditruese per to ne sistemin tone
shendetesor .Mjerisht ato deri sot rezultojne te pamjafushme dhe pa efekshmerinee desheruar . Arsyet besoj i dime por zgidhjet nuk arihen ne menyrene si ju i predikoni . Jane disa faktor qe quhen interesa , inerci , pushtet vendimares , financimi, etike , kulture , rezistence integritet , pazotesi te cilat nuk figurojne ne shkrimin tuaj por me te cilat ndeshemi cdo dite ne ketu . Ne fakt dhe ju atje ku je por qe ju i anashkaloni .Dy sugjerime do ju beja miqesisht per te reflektuar
E para nuk ka sistem shendetesor me zero gabime te evitushme . Kjo eshte utopi Kompleksiteti i kujdesit mjeksor ben qe ne njeren mase apo tjeter ato jane te pashmageshme totalisht Objektivi kudo ne bote eshte minimizimi por jo zerimi i tyre
.Se dyti shendetesi falas nuk ekziston askund . Financimi eshte ose me PARAPAGIM(ne siguracione ose me taksa ) ose me para ne dore .Ju vet e thoni :”Kur paguan shteti nga TAKSAT, njerezit nuk u dhemb koka kur semuret” )Po taksat kush i paguan ? A s i paguajne njerezit ?
A eshte shteti bamiresi? Ky eshte trukim Mandje eshte gabim Sepse u krijon njerezeve iluzion I meson te mos kontribojne ne sistem Kjo vret kulturene solidaritetit Nda ana tjeter them se vleresoni gabim sistemin me siguracione Ai I krahasuar shkencerisht ne te pakten tre studime prestigjoze me sistemin me taksim ai rezulton me i sikseseshem . Natyrisht kjo ne se mireperdoret dhe jo te abuzohet ne te si ne vendin ku ju jetoni