Ngjarjet e Këlnit, Belgjika reflekton

redaktor

Ngacmimet seksuale, grabitjet dhe dhuna që shoqëruan ndërrimin e viteve në Këln, u pasuan me reflektime politike në Belgjikë. Për të shmangur mundësitë që ky fenomen të ndodhë në terrenin belg, janë propozuar kurse edukimi për respektimin e femrave, ndaj të gjithë personave që vijnë të kërkojnë azil në tokën belge. Kurse të orientuara kryesisht mbi mënyrën e funksionimit të shoqërisë, raportet mes meshkujve dhe femrave, çfarë është e lejuar dhe çfarë është e ndaluar dhe deri ku shtrihen kufijtë e tolerancës.

Por, propozimet dhe masat e qeverisë së djathtë, kanë shkaktuar një revoltë tek ideologët e së majtës. Kjo, pasi konsiderohet e pakonceptueshme se si një ngjarje që ndodh në një vend tjetër dhe për të cilën nuk ka ende një konkludim hetimor, nëse personat që kanë kryer këto akte ishin azilkërkues apo jo, të krijojë një analogji duke shënjestruar kategoritë e azilkërkuesve, dhe duke i paragjykuar ato se, mund të kryejnë një akt të tillë në territorin belg. Një paragjykim, që vjen jo vetëm në një moment të papërshtatshëm, kur vendi përballet me një fluks të lartë refugjatësh, por që fsheh në vetvete një racizëm të pastër, pasi sipas të majtës: “Diskriminimet e rënda kundrejt femrave kryhen nga individë apo grupe të të gjithë origjinave sociale, etnike apo kombëtare dhe se nuk mundemi që në emër të të drejtës së grave, të krijojmë diskriminime të reja.”

Në fakt, ndonëse ngjarje të tilla si ato të Këlnit, Hamburgut, Zyrihut apo Helsinkit, kanë një karakter kriminal dhe organizimi i tyre dyshohet se është i koordinuar, dhe përtej nuancave të përdorimit politik në fusha apo vende të caktuara, BE ka një vëmendje gjithnjë e në rritje ndaj çështjes së ndjeshme të diskriminimit gjinor dhe dhunës ndaj grave.

Një raport i Agjencisë Evropiane për të Drejtat Themelore (2014), i kryer me kërkesë të Parlamentit Evropian, i pari në llojin e tij, ekspozon shifra shqetësuese në lidhje me dhunën ndaj grave në shkallë evropiane. Panorama e abuzimeve sipas raportit shfaqet e rëndë, sa për nga numri i lartë i tyre, por edhe për shkak të denoncimeve shumë të ulëta, që njohin këto fenomene (13-14%). Historikisht shifrat e denoncimeve mbi këto çështje janë të ulëta, kryesisht për shkak të normave të shoqërisë, tabuve, stigmatizimit por edhe për shkak të natyrës së ndjeshme, që ka ky fenomen.

Sipas raportit, që prej moshës 15-vjeçare, një në dhjetë femra, ka pësuar një formë të dhunimit seksual dhe një në njëzetë femra është përdhunuar. Një në pesë femra ka pësuar një formë të dhunimit fizik dhe/ose seksual i kryer nga një/disa partnerë të tyre aktualë apo ish partnerë dhe 1/10 femra ka pësuar përpara moshës 15-vjeçare një formë të dhunës seksuale të kryer nga një i rritur. Anketimi është kryer në 28 vendet e BE-së, ku janë pyetur 42 mijë femra mbi eksperiencat e tyre në lidhje me dhunën fizike, psikologjike, të kryera nga një apo disa partnerë intimë (dhunë shtëpiake), ngacmimet seksuale të llojeve të ndryshme, eksperiencat në lidhje me përdhunimet gjatë fëmijërisë, etj.

Por, ajo çka tërheq vëmendjen përgjatë këtij raporti është niveli i lartë i ngacmimeve seksuale në kuadrin profesional. 75% e femrave pranojnë se kanë qenë viktima të ngacmimeve seksuale në kuadrin profesional, madje edhe kur ato kanë një post superior në krahasim me kolegët e tjerë, dhe 1/4 femra është përballur me akte të ngacmimit seksual përgjatë vitit që paraprin raportin, pra 2013. Femrat që bëjnë karrierë dhe që zotërojnë poste të larta janë edhe kategoria më e riskuar ndaj kërcënimeve seksuale, pasi sipas raportit arsyet lidhen me ekspozimin në mjediset e punës dhe në situatat profesionale ku i nënshtrohen një risku në rritje të dhunës.

Raporti shfaq gjithashtu të dhëna interesante, pasi në vendet me një demokraci të zhvilluar përqindja e femrave, që kanë deklaruar se kanë pësuar dhunë fizike, seksuale, psikologjike nga një apo disa partnerë apo ish partnerë të tyre, apo nga një person tjetër që nga mosha 15 vjeçare, është e lartë, si në Danimarkë (52%), Finlandë (47%) Holandë (45%), Britani e Madhe (44%) apo Francë (44%). Por, edhe në tërësi në 28 vendet e Unionit përqindja është shqetësuese duke arritur në nivelin prej 33%. Gjithsesi, duhet marrë në konsideratë edhe shkalla e ndërgjegjësimit, që ekziston ndaj dhunës dhe formave të ushtrimit të saj, në kultura të ndryshme.

Këto përqindje shfaqen gjithashtu të larta edhe ndaj dhunës (fizike/seksuale/psikologjike, duke përfshirë edhe ndonjë pjesëtar të familjes, apo nga një i rritur tjetër), të ushtruar përpara moshës 15 vjeçare: Finlandë 53%, Estoni 50%, Danimarkë 46%, Francë 47%, Suedi dhe Gjermani 44%, Britani 40% dhe Holandë 35%. Shifrat në tërësi për BE-28 janë të një niveli prej 35%.

Por, çfarë perceptimi kanë vetë femrat për dhunën që ushtrohet në vendet e tyre?

Në total në BE-28, tetë në dhjetë femra (78%) deklaron se dhuna ndaj grave është shumë e përhapur në vendin e tyre. Vëmendje tërheq Portugalia, ku 60% e femrave, janë shprehur se dhuna ndaj tyre është shume e përhapur në vend. Mesatarisht në BE, 39% e femrave deklarojnë se njohin në rrethin e tyre familjar dhe shoqëror gra, që janë viktima të dhunës shtëpiake; 1/5 femra njeh në vendin apo ish vendin e punës apo të studimit, një person që ka qenë viktimë e dhunës bashkëshortore.

Çfarë impakti ka ky numër i lartë ngacmimesh seksuale ndaj femrës dhe si e motivojnë ato sjelljen dhe qëndrimin e saj në këto rrethana ?

Konstatimet janë shqetësuese, pasi konfirmohet se frika ndaj dhunës gjinore, prek dhe godet lëvizjen e lirë të femrave, duke kufizuar daljet, itinerarin, por edhe mënyrën e tyre të të vepruarit, qëndruarit dhe të menduarit. Sipas studimit, 50% e femrave shmangin disa lloj situatash apo vende të caktuara, nga frika se mund të agresohen fizikisht apo seksualisht.

Në lidhje me hapësirën publike, 40% e femrave të pyetura kanë deklaruar se evitojnë vendet e shkretuara apo të pafrekuentuara nga njerëzit; 37% e tyre deklarojnë se evitojnë disa rrugë apo zona; ndërsa 14% evitojnë daljen vetëm. Për sa i përket hapësirës private, 31% e tyre janë shprehur se evitojnë të hapin derën kur janë vetëm në shtëpi; 4% e tyre evitojnë kthimin vetëm në shtëpi dhe 3% syresh evitojnë qëndrimin vetëm me një koleg apo superior në vendin e tyre të punës. Në total, 53% e tyre ka cituar të paktën një prej pikave të mësipërme.

Ndërsa frika që konstatohet se është e një niveli të lartë tek një numër i caktuar femrash, sipas studiuesve lidhet me faktin e mundshëm të një të kaluare ku është përjetuar një eksperiencë agresioni fizik apo seksual, çka sjell detyrimisht si nevojë ndërhyrjen e specialistëve të fushës së shëndetit për të mbledhur informacionet e duhura dhe identifikuar abuzimet e mundshme.

Të dhënat në tërësi, që ofron studimi mbi dhunën ndaj gruas dhe formave të ndryshme të saj janë shqetësuese. Rezultatet e anketimit tregojnë se, një në tre gra, ka pësuar të paktën një prej formave të dhunës fizike dhe/ose seksuale që prej moshës 15-vjeçare, një në pesë femra ka qenë objekt i bezdisjeve seksuale dhe një ndër dy femra, ka qenë viktimë e ngacmimeve seksuale. Rezultatet ofrojnë një pasqyrë të abuzimeve të rënda, që prekin jetën e shumë femrave, por denoncimi i të cilave tek autoritetet përkatëse ngelet i ulët. Kjo është edhe arsyeja se pse dhuna ndaj gruas nuk është reflektuar nga të dhëna zyrtare në raport. Ky anketim ka marrë një vlerë të rëndësishme, pasi është i pari në llojin e tij mbi dhunën e grave në 28 vendet anëtare të BE-së. Raport, që detyrimisht do të shërbejë si shtysë për hartimin e politikave përkatëse për të gjetur një përgjigje në shkallë të gjerë ndaj këtij fenomeni, që nuk prek thjesht hapësirën publike, dhe që po aq thjeshtësisht e gjen përgjigjen në kapitujt përkatës të kodeve penale, por është pjesë e një mentaliteti të gjerë mashkullor që reflektohet në mbarë shoqërinë, shtresat dhe klasat e ndryshme sociale dhe shoqërore. Një mentalitet brenda formave të natyrës patriarkale, që zë rrënjë fillimisht në bërthamën familjare, aty ku nis edukimi i “nënshtruesit dhe të nënshtruarit”, për t’u reflektuar më pas në gjithë hallkat e shoqërisë, duke marrë trajtat e një fenomeni të gjerë social./im.ta/

Share This Article