Ata janë gjenerata e dytë. Të rinj, ambiciozë, të shkolluar jashtë, por mbi të gjitha trashëgimtarë biznesesh.
Po flasim për fëmijët e sipërmarrësve shqiptarë.
Përgatitja e kësaj “armate” ka nisur herët, që me edukimin e tyre në shkolla të mira. Kryesisht i është besuar modelit anglosakson, por edhe atij italian apo përtej oqeanit. Pothuajse të gjithë janë rikthyer për të vazhduar stafetën.
Mund të themi se tashmë ka nisur të fryjë një erë e re, ajo e fillesave të kulturës së trashëgimisë.
Megjithatë, si çdo gjë, edhe në këtë rast medalja ka dy anë, atë pro dhe kundër të kalimit të trashëgimisë te fëmijët.
Në botën e pasur, ku flitet për miliona euro e dollarë ka edhe raste kur prindërit refuzojnë kategorikisht t’ia kalojnë pasurinë e fituar fëmijëve të tyre.
“The Guardian” rrëfen për zgjedhjen e John Roberts, administrator i deleguar i “ao.com”, kompani shitjesh online e specializuar në tregtimin me pakicë të pajisjeve elektronike për kuzhinën.
Ai nuk ua la pasurinë fëmijëve por vendosi ta dhuronte të gjithën (500 milionë sterlina) për bamirësi.
Ky nuk është rasti i vetëm.
Nigella Lawson, gazetare angleze, pasi ishte bërë e pasur, deklaroi: “Jam e bindur për faktin se fëmijët e mi nuk duhet të kenë siguri financiare”.
Ylli i rokut, Gene Simmons, gjithashtu deklaroi se “fëmijët e mi nuk do të bëhen kurrë të pasur me paratë e mia”, ndërsa aktori Jackie Chan tha duke iu referuar djalit të tij: “Nëse është mjaftueshëm i zoti do të jetë në gjendje të bëjë vetë para, në të kundërt do të shpërdoronte të miat”.
Ekziston edhe një e mesme e artë, kur bëhet fjalë për fëmijët, të mund t’iu lësh një pjesë të pasurisë.
Mjaft interesant është ky fenomen në ekonominë e dytë më të madhe të planetit, që është Kina. Të rinjtë milionerë, gjenerata e dytë njihen me termin “fuerdai”.
Sipas statistikave, 85% e sipërmarrjeve në Kinë janë biznese familjare, themeluesit e tyre po arrijnë moshën e pensionit. Rreth 75% e këtyre sipërmarrjeve do të përballet me çështjen e trashëgimisë në 5-10 vitet e ardhshme.
Por vetëm një e pesta e këtyre fëmijëve ka deklaruar se do të donte të trashëgonte këtë pasuri.
Të tjerët mendojnë për gjëra të tjera, më së shumti sesi të zënë hapësirat e kronikave të stilit të shthurur të jetës.
Po në Shqipëri?
Klasa e re e biznesit shqiptar, që lindi pas periudhës së gjatë të komunizmit, krijoi edhe kulturën e sipërmarrjes, shpesh me klishetë e tranzicionit mes dy periudhave, por me guximin për të sjellë diçka të re.
Ekspertët thonë se prindërit, shpesh nuk e kuptojnë se aftësitë që ata kanë grumbulluar gjatë shumë viteve, ndonjëherë dekadave, nuk janë të lehta për t’iu transferuar fëmijëve vetëm në pak vjet. Prandaj duhet të pyesin veten nëse kanë bërë një inventar të plotë dhe të ndershëm të kompetencave të kërkuara për pozicionin e shefit që do të donin të merrte fëmija i tyre.
Nga kërkimet për rastet kur sipërmarrësit ua kanë kaluar menaxhimin fëmijëve të tyre, rezulton se investimet në edukim kanë qenë të larta, në shkollat më të mira perëndimore që garantojnë jo vetëm nivelin e njohurive, por edhe atë të përgatitjes njerëzore.
Fakti që shpesh për edukimin e fëmijëve është zgjedhur sistemi anglosakson, tregon se pritshmëritë e sipërmarrësve shqiptarë kanë qenë të larta.
Ndërtuesi Hajredin Fratari tregon se përfshirja e djalit të tij në menaxhimin e kompanisë ka sjellë vizion të ri. “Ai shpesh ka ndryshuar edhe projektet e mia”, thotë Fratari për revistën ekonomike Monitor.
Fratari e ka angazhuar djalin e tij me punët e kompanisë qysh kur ai ishte edhe një student në Londër dhe kthehej me pushime në Shqipëri.
Ekspertët thonë se çdo sipërmarrës duhet ta konsiderojë mundësinë të vendosë fëmijën e tij në disa pozicione të ulta brenda firmës, përpara se të marrë drejtimin ose pronësinë e firmës. Një tranzicion gradual lejon një veprim korrektues, në rast se do të ishte i nevojshëm.
