Ka ndërruar jetë në moshën 69 vjeçare këngëtari i famshëm David Bowie. Lajmin e bëri të ditur i biri në Twitter. Këngëtari vuante prej një kohe të gjatë nga kanceri.
“David Bowie ndërroi jetë në paqe sot, i rrethuar nga familjarët e tij, pas një beteje të guximshme 18-mujore me kancerin”, tha i biri, regjisori Duncan Jones.
Këngëtari kishte nxjerrë në treg albumin e tij më të ri ditën e premte, ndërsa performanca e tij e fundit “live” ka qenë në Nju Jork, në një koncert bamirësie në vitin 2006.
David Bowie është bërë i famshëm në vitin 1972 me “The Rise and Fall of Ziggy Stardust” dhe “Spiders From Mars”. Këngët e tij më të njohura përfshijnë “Let’s Dance”, “Space Oddity”, “Heroes”, “Under Pressure”, “Rebel, Rebel, Life on Mars” dhe “Suffragette City”.
