Skuadra e Tiranës ka mbyllur dje në mënyrë të parakohshme kampingun e vendosur në një kompleks në plazhin e Durrësit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi bardheblu, sipas të cilit, vendimi për të ndërprerë qëndrimin në kampingun dimëror u kushtëzua nga moti i keq që dëmtoi terrenet stërvitore të kompleksit ku ishte vendosur skuadra 24 herë kampione.
Vetëm 3 ditë zgjati kështu faza përgatitore e bardhebluve, të cilët u grumbulluan në Durrës, pasditen e datës 6 janar, për të mbyllur përgatitjet pasditen e djeshme, më datë 9 janar, plot 9 ditë para planifikimit.
Kujtojmë se edhe një vit më parë, përgatitorja e bardhebluve u vendos në të njëjtin destinacion, me motivin formal, për të patur kushte ideale stërvitore, ndonëse në përfundim nuk munguan ankesat nga të gjitha palët, përsa i përket kohës së limituar në dispozicion për përdorimin e fushës me bar, hyrje-daljet e futbollistëve nga kompleksi, vizitorëve të shumtë, si dhe problemet me miqësoret.
Drejtuesit e konsideronin kompleksin e përzgjedhur si ideal përsa i përket kushteve të stërvitjes. Sipas njoftimit zyrtar të klubit bardheblu, “Përgatitjet do të vijojnë me ritëm të larte.
Dy seanca stërvitore dhe dy ndeshje miqësore për tu luajtur në ditët në vazhdim janë programuar në axhendë. Terrenet në kompleksin “Skënder Halili” dhe stadiumi “Selman Stërmasi” do të jenë në dispozicion të Tiranës. Gjithashtu shumë shpejt do të zyrtarizohen përforcimet e nevojshme për skuadrën”.
