Pas rrëmbimit, dyshohet se Gazmend Çollaku është ‘marrë në pyetje’ për disa orë, përpara se të ekzekutohej me katër plumba në kokë.
Çollaku u rrëmbye më 6 janar në Durrës dhe i gjet i vdekur në një fshat në Krujë.
Sipas gazetës Panorama, ekspertiza e kryer mbi trupin e 34-vjeçarit ka zbardhur detaje nga mekanizmi i ngjarjes.
Besohet se pasi është rrëmbyer në lokalin ku ndodhej me disa miq në Durrës, autorët e ngjarjes kanë pasur komunikim të dhunshëm me Çollakun.
Viktima, sipas ekspertëve, ka pasur shenja të dallueshme të dhunimit gradual, përpara se të vritej.
Sipas aktit të ekspertizës, dhuna ndaj tij ka nisur me tri goditje në kokë me tytën e armës ose me sende të tjera të forta.
Më pas, viktimës nga Shijaku i janë shkaktuar dëmtime në pjesën e duarve dhe të këmbëve, ndërsa ka pasur edhe goditje të lehta në trup.
Ndërkohë ekspertët thonë se shkak i vdekjes ka qenë goditja me katër plumba në kokë, dy prej tyre në pjesën e sipërme të veshit të djathtë.
Analiza tregon se arma, një pistoletë 9 mm, ka qenë e puthitur me kokën e tij, kur është qëlluar.
Ndërkohë policia ende nuk ka një të dyshuar konkret për ngjarjen e rëndë.
