Romët dhe radikalët, baza e dyshuar bullgare që mbështet ISIS

Saimir Lleshi

Në një mëngjes të ftohtë më 25 nëntor 2014, lagjja e romëve në qytezën Pazardjik në jug të Bullgarisë u zgjua në mënyrë të pazakontë. Rreth orës 6 të mëngjesit, forcat speciale të policisë me mjete të blinduara hynë në rrugët me baltë, ndërsa agjentë me maska dhe të armatosur rëndë bastisën disa ndërtesa, përfshirë edhe xhaminë Ebu Bekër.

Një imam vendas, Ahmed Moussa, qe i pari që u ndalua nga policia. Në fund të ditës, 26 vetë u arrestuan në një operacion të përbashkët të Agjencisë Shtetërore për Siguri Kombëtare (SANS) dhe prokurorët që po hetonin shpërndarjen e propagandës të militantëve islamikë. Policia kërkoi më shumë se 40 shtëpi në lagjen Iztok dhe në vendndodhje të tjera për materjale që mbështesnin ISIS, grupin e dhunshëm islamist që kontrollon një pjesë të madhe të Sirisë dhe Irakut.

Një grup burrash me mjekër në oborrin e xhamisë shprehu zemërim ndaj gazetarëve. “Ne nuk kemi fare të bëjmë me ISIS. Unë i njoh ata aq shumë sa ju njoh edhe ju,” tha një burrë i gjatë. Një copë letër qe ngjitur në festen e tij ku shkruhej në arabisht: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut” – një frazë që përdoret edhe në flamujt e zinj të militantëve të ISIS, por që është gjithashtu një nga shtyllat e besimit islam.

Shtatë muaj më vonë, në korrik 2015, prokurorët ngritën akuza kundër 14 myslimanëve, – përfshirë Moussa – nga Pazardjik dhe nga zona përreth, përfshirë Plovdiv, Asenovgrad dhe Startsevo, duke i akuzuar ata për nxitjen e urrejtjes fetare përmes predikimeve dhe për nxitje lufte përmes shpërndarjes së propagandës së ISIS.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN siguroi aktakuzat dhe mundi të zbulojë detaje të reja mbi akuzat kundër grupit, përfshirë pretendimin se Moussa dhe dy të tjerë kanë ofruar mbështetje për xhihadistët e huaj që kanë udhëtuar drejt Sirisë.

Tre nga të akuzuarit i kanë pranuar akuzat. Njëri nuk ka bërë deklaratë. Të tjerët, përfshirë Moussa dhe të dyshuarit e përmendur në këtë artikull, janë deklaruar të pafajshëm.

Gjyqi, i cili është vonuar për arsye procedurale, do të përcaktojë nëse Moussa dhe të akuzuarit e tjerë kanë shkelur ndonjë ligj. Por historia e Moussa dhe shokëve të tij është më e gjerë se kaq – për atë se si Salafizmi, një degë fondamentaliste e Islamit që aderon në mënyrë të rreptë te traditat dhe praktikat e kohës së Profetit Muhamed, ka ngulur rrënjë në bashkësinë e tyre në Iztok, një vend ku kjo rrymë nuk kishte fare ndikim.

Dekada të tëra neglizhence nga shoqëria bullgare dhe institucionet i ka lënë shumë romë të ndjehen të margjinalizuar dhe ka krijuar një terren pjellor për fondamendalistët fetarë, sipas banorëve vendas dhe ekspertëve, në bashkësitë rome dhe në radikalizëm.

Për dy vjet, Bullgaria i ka përkushtuar vëmendje dhe burime të konsiderueshme ndërtimit të një gardhi përgjatë kufirit për të mbajtur jashtë refugjatët dhe migrantët nga Lindja e Mesme. Por për një kohë shumë më të gjatë, ajo ka qenë duke ndërtuar mure mes vetë bashkësive të saj.

Të akuzuarit, ndërkohë, janë ende duke pritur të dalin në gjykatë. Një gjykatës vendosi më 2 dhjetor 2015 se gjyqi nuk do të vijojë për shkak se aktpadia fillestare qe e paqartë dhe se përmbante shkelje procedurale. Prokurori dorëzoi menjëherë një aktpadi të ndryshuar në përshtatje me shqetësimet e gjykatës, gjë që do të thotë se tani gjyqi mund të fillojë rreth vitit 2016.

Tri nga të akuzuarit kanë pranuar akuzat. Njëri nuk ka bërë deklaratë fajësie apo pafajësie. Të tjerët, përfshirë Moussa dhe të dyshuarit e tjerë të përmendur në këtë shkrim, janë deklaruar të pafajshëm.

Predikuesi dhe ndjekësit e tij

Moussa, 40 vjeç, është predikues karizmatik salafist me dy dënime të mëparshme për përhapjen e urrejtjes fetare (shih kohështrirjen).

Të 13 njerëzit e tjerë të akuzuar nga prokurorët pas bastisjeve të vitit 2014 dyshohen se janë anëtarë të rrethit të ngushtë të Moussa. Shumica, si edhe vetë Moussa, nuk kanë punësim të rregullt, kanë vetëm arsimin bazë dhe organizojnë aktivitete fetare në bashkësitë e tyre.

Lagjja e Moussa, Iztok, gjendet në zemër të Pazardjik por megjithatë ndjehet e ndarë nga pjesa tjetër e qytezës. Infrastruktura është e varfër dhe transporti publik nuk kalon aty. Shumica e 20 mijë banorëve të saj flet turqisht si gjuhë e nënës. Shoqëria bullgare në përgjithësi i konsideron ata si romë, megjithëse ata shpesh e identifikojnë veten si turq, ose thjeshtë si myslimanë. Në të shkuarën ata nuk qenë besimtarë të zellshëm, pjesërisht për shkak se religjoni u shtyp gjatë kohës së komunizmit. Ata praktikonin një formë idiosinkratike të Islamit që gërsheton edhe elementë të kristianizmit dhe paganizmit.

“Kur ne dëgjonim kukuvajkën të qajë, besonim se dikush do të vdiste. Këto qenë llojet e besimeve që ne kishim,” thotë një burrë nga kjo bashkësi. “Kjo nuk është islamike”.

Siç e thotë Abdullah Salih, kryemyftiu i rajonit Pazardjik: “Ata patën lindur si myslimanë. Ata thonin se janë myslimanë por nuk vepronin si myslimanë në jetët e tyre të përditshme. Ata kanë filluar të mësojnë që nga ajo kohë.” /Birn/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *