Shtyhet për tre muaj afati për kartat shëndetësore

Saimir Lleshi

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të shtyjë afatin e shpërndarjes së Kartave të Shëndetit.

Afati është shtyrë deri më 30 prill të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe, qytetarët mund të përdorin ende Librezën Shëndetësore, deri në pajisen përfundimtare me Kartë Shëndeti.

Vendimi për zgjatjen e afatit të pajisjes me Kartën e re të Shëndetit, është një masë për të lehtësuar mbingarkesën dhe fluksin që është vënë re së fundi, pavarësisht, se vetëm për periudhën 5-11 Janar 2016, është realizuar shpërndarja e 48 mijë kartave në të gjithë vendin.

Kjo ka bërë që të shtohet numri i sporteleve në Qendrat Shëndetësore, të cilat tashmë punojnë me dy turne dhe me kapacitet të plotë.

Ndërkohë, gjatë vitit 2015 janë shpërndarë rreth 700 mijë Karta Shëndeti në të gjithë Shqipërinë për të gjitha kategoritë përfituese të skemës së sigurimit shëndetësor. Karta e Shëndetit është një nga projektet më të rëndësishme të FSDKSH, e cila u vu në zbatim duke filluar nga Janari i vitit 2015, për të zëvendësuar gradualisht librezat e vjetra shëndetësore.

Ky proces u aplikua fillimisht në disa qendra shëndetësore në Tiranë, për t’u shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë. Karta e Shëndetit përmirësoi dukshëm cilësinë e punës së mjekëve dhe farmacistëve, me përfitim të drejtpërdrejtë për pacientët. /Dita/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *