Serbët e veriut me kushte për integrim

Saimir Lleshi

Në Mitrovicën e veriut, 378 pjesëtarë të ashtuquajturës “Mbrojtjes civile” kanë nënshkruar kontratat për marrëdhënie pune me institucionet e Kosovës, përkatësisht me ministritë e ndryshme të Qeverisë së Kosovës.

Deri më tash ata kanë vepruar në kuadër të strukturave të Serbisë në veri të Kosovës, e që nga institucionet e Kosovës janë konsideruar jolegale.

Nënshkrimi i këtyre kontratave ka ndodhur në Zyrën administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut, konfirmon për Radion Evropa e Lirë, shefja e kësaj zyre, Adrijana Hoxhiç.

“Do të thotë, 378 persona janë shpërndarë të hënën nëpër sektorë të ndryshëm, në kuadër të institucioneve të sistemit të Kosovës. Unë po shpresoj që tash e tutje 378 familje do të kenë të ardhura të rregullta përmes sistemit të Kosovës”, ka thënë Hoxhiç.

Më herët, kontrata të ngjashme i kanë nënshkruar rreth 100 pjesëtarë të së ashtuquajturës “Mbrojtje civile”.

Përmes një komunikate për medie, ministrja e Qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, ka theksuar se personat që kanë nënshkruar kontratat të hënën, “do të jenë të përfshirë në listën e pagave të buxhetit të Kosovës që nga 1 janari 2016” dhe se “tash është radha te Serbia që t’i ndalë pagat për këta pjesëtarë dhe të shfuqizojë ligjërisht këtë strukturë jolegale”.

Sipas saj, e gjithë kjo ka qenë e paraparë me marrëveshjen nga dialogu i Kosovës me Serbinë, në mars të vitit 2015, dhe se “ky është një hap shumë i rëndësishëm në shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të vendit”.

Institucionet e Kosovës me vite kanë bërë përpjekje për t’i shuar strukturat paralele të Serbisë në Kosovë.

Bajram Gecaj, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se integrimi i pjesëtarëve të së ashtuquajturës “Mbrojtje civile” në institucionet e Kosovës, është vetëm një hap i radhës në drejtim të shuarjes së këtyre strukturave.

“Ne kemi pasur edhe të strukturave gjyqësore dhe policore. Kemi pasur sukses të plotë në inkuadrimin e policisë në Policinë e Kosovës. Tash nuk ekziston më strukturë policore. E njëjta është edhe në gjyqësi. Pra, këta janë hapa të vazhdueshëm. Por, shuarja e plotë e strukturave paralele do të ndodhë atëherë kur të materializohet Asociacioni (i komunave me shumicë serbe)”, ka thënë Gecaj.

Rangjel Nojkiç, njohës serb i zhvillimeve në Kosovë, i cili vjen nga pjesa qendrore e vendit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se integrimi i pjesëtarëve të së ashtuquajturës “Mbrojtje civile” është zgjidhje e mirë dhe se kjo do të kontribuojë në uljen e tensioneve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe ndërmjet veriut të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës.

Ai pret që deri në fund të këtij viti të integrohen edhe pjesëtarët e strukturave të tjera të Serbisë, të cilat ende veprojnë në Kosovë, me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ato ekzistojnë dhe do të ekzistojnë deri në momentin që nuk do të zgjidhet çështja e statutit të Asociacionit të komunave serbe. Kur të zgjidhet statuti i Asociacionit, ato organe të përkohshme do të shuhen”.

“Supozoj se kjo është mënyra për ta zgjidhur këtë problem. Pra, kjo është mënyra se si duhet të bëhet transferimi; që ata njerëz që kanë punuar në ato institucione, dalëngadalë të transferohen në institucionet e Kosovës, ndërkohë që Asociacioni është institucion i Prishtinës”, ka theksuar Nojkiç.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *