Sot mblidhet Komisioni për reformën në drejtësi

redaktor

Sot pritet të mblidhet Komisioni i Posacëm parlamentar i Reformës në Drejtësi i cili duhet të miratojë projektin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, për t’ia dërguar me urgjencë Komisionit të Venecias.

Dhe dakordësia mes socialistëve dhe LSI-së në këtë pikë është e domosdoshme.

Kryeministri Rama tha se nuk kishte dallime mes aleatëve në pushtet për fazat në të cilat do të duhet të ecë procesi, duke saktësuar se konsensusi me opozitën do të duhet të kërkohet mbi variantin përfundimtar të Venecias.

Po dje zoti Meta u takua me drejtuesit kryesorë të partisë së tij. Gjatë ditës ai bisedoi me ambasadoren Vlahutin.

Në takim, Meta ka theksuar se fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias në vlerësimet e Raportit të Ndërmjetëm duhet të mbizotërojë dhe udhëheqë palët deri në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi madhor dhe historik.

Ai ka nënvizuar se “është përgjegjësi e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, dhe e të gjitha forcave politike, që në këtë frymë të ndërveprojnë dhe ndërtojnë konsensusin e domosdoshëm përmes gjithëpërfshirjes, me synimin e vetëm kurorëzimin me sukses të saj”.

Më parë, gjatë një takimi të Euralius-it, misionit europian të asistencës në Drejtësi, ambasadorja Vlahutin, duke folur për reformën në Drejtësi theksoi se “një progres i qëndrueshëm në këtë fushë është kyçi për të ardhmen evropiane të këtij vendi dhe më konkretisht, për hapjen e negociatave të anëtarësimit”.

Ekspertët e Euralius-it kanë qenë direkt të përfshirë në hartimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *