Nuk munda dot-o miq…
Nuk munda dot-o miq,
t’ju ndizja dritë të gjelbër,
se kishim shumë armiq,
dhe ishin shumë të egër.
Nuk munda dot aspak,
t’ju nxirrja ju prej territ,
gjithkund kërkojnë gjak,
sot bijtë e Luçiferrit.
Nuk munda dot-o miq,
t’ju ndizja dritë të gjelbër,
ma zinte çdo udhëkryq,
një ujk-a një kuçedër.
Në dallgë e në furtunë,
e shkova gjithë jetën,
armiqtë ishin shumë,
unë isha Një i Vetëm!
Dhe nuk më bëri dritë,
as Dielli-as Hëna,
dhe shtigjet natë e ditë,
të gjitha qenë të zëna.
Më shkoi e gjitha kot,
kjo jetë-jetë qeni,
për ju-më-s’bëj gjë dot,
pra bëni si të bëni!
Lëvizni vetë nga pak,
nga sytë largoni gjumin,
pështyni mbi batak,
mos rroni tok me llumin!
Tiranë, 1994
Po luftës nuk i trembem
Tani nga pabesia,
as vuaj e as çmendem,
unë jam njeri i paqes,
po luftës nuk i trembem.
Unë të afroj buqetën,
ti më vërvit çomangen,
unë jam njeri i paqes,
o luftës nuk i shmangem.
Unë ndez qiri për jetën,
që koha s’mund t’i fiki,
se jam njeri i paqes,
po luftës nuk i iki.
Unë thur ëndrra magjie,
po ti magjitë m’i shemb,
unë jam njeri i paqes,
po lufta nuk më tremb.
Ti zhytesh në mes llumit,
unë Zotin shkoj takoj,
se jam njeri i paqes,
po luftën e fitoj!
Tiranë, 1994

Ti do te mbetesh i pavdekshem o talent dhe trim i rralle!i