Çmimi i naftës ka pësuar sërish ulje në tregjet ndërkombëtare, duke rënë poshtë 30 dollarëve për fuçi brenda javës.
Kjo vjen në kohën e shqetësimeve se Irani mund të rinisë eksportet e naftës. Tregu, ndërkohë, është i mbifurnizuar, ndërsa kërkesa është e dobët.
Nafta e papërpunuar Brent, e cila përdoret si pikë ndërkombëtare e referimit, ka rënë në 29.46 dollarë për fuçi.
Irani mund të rinisë eksportet nëse Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore konstaton se Republika Islamike ka frenuar programin e saj bërthamor. Kjo agjenci mund të publikojë raportin sot, pas një takimi që po mbahet në Vjenë. /Dita/
