Kamenica, siç del nga studimet më të fundit dhe zbulimet e specializuara në terren, në mesjetën e hershme ka qenë më e zhvilluar se Delvina 5 km më tutje. Ajo ka qenë pika strategjike që kontrollonte rrugën Bregdet – Delvinë – Janinë, nëpërmjet Qafës së Lavanit dhe Kardhiq – Delvinë – Janinë nëpërmjet Qafës së Skërficës. Pukëvili në shënimet e tij shkruan “Nga bregu i detit të huajt nisen për në Janinë, kalojnë nga Borshi, Piqerasi, Lukova, Shën Vasili, Nivica dhe arrijnë në Delvinë”. Kur mbërrin në Palavli, ai shkruan se nuk i ngopeshin sytë “duke shikuar bukurinë e qarqeve të Delvinës”. Në këto qarqe të bukura rreth Palavlisë, ku shtrihet një fushë e gjerë me toka pjellore, në veri gjenden kullota të mira për bagëti, ndërsa klima e butë favorizon rritjen e ullirit, bënte pjesë edhe Kamenica. Rruga që ndërlidhte Finiqin dhe Delvinën me luginën e Kardhiqit dhe më tej me atë të Drinos, kalonte duke ndjekur qafën ndërmjet dy kodrave në jug të fshatit Kamenicë. Kjo rrugë përfundon në qendër të fshatit, i cili është sheshi më i gjerë, në masën e dendur të ndërtimeve. Kësaj qendre i përket dhe toponimi: Qafa e Pazarit. Në pjesën jugore shpati zbret në një shesh të gjerë që përfundon në një kanion të thellë dhe vazhdon të ngrihet në krahun tjetër të kanionit drejt majës së lartë të Ljulies.
Në faqen e pjerrët pranë kanionit tarracat kanë dhënë mundësi për ndërtime të disa banesave dhe kishave si në vendin e quajtur Fiqtë e Lapës dhe te kisha e Jominait. Në anën lindore kodra e Kamenicës zbret duke krijuar mundësinë për t’u lidhur me njëra-tjetrën luginën e përroit Vrisit (Qafëdardhë), përroit Gjovarakës. Më pas kodra lartësohet drejt kreshtës së Malit të Gjerë, kurse lugina e përroit të Vrisit shkon drejt fshatit Varfit. Kodra e Kamenicës në anën veriore ka një pjerrësi shumë të theksuar drejt përroit të Gjovarakës, që e bënë të pamundur ngjitjen drejt fshatit.
Në krahun tjetër të përroit terreni ka dhënë mundësi për ndërtimin e fshatit të ri të Kopaçës. Në perëndim, ashtu si dhe në jug, kodra zbret drejt një sheshi që më pas ngrihet në një kodër të ulët, ku është ndërtuar fshati i Palavlisë, i cili është ndërtuar pas braktisjes së fshatit Kamenicë.
Nga kodra e Kamenicës syri të kapë një hapësirë të gjerë të fushës së Vurgut drejt liqenit të Butrintit, detit Jon dhe ishullit të Korfuzit, kurse më tej drejt perëndimit dhe veriut vargjet kodrinore mbyllin shikimin. Edhe qafa e Skërficës, që e lidh pellgun e Delvinës me luginën e Drinosit, humbet nga vështrimi. Në jug rruga në rrëzë të kodrave të çon drejt manastirit të Mesopotamit dhe Delvinës. Përrenjtë e shumtë që zbresin nga Mali i Gjerë furnizojnë lumin e Kalasës, ku duket se kanë qenë ndërtuar dhe mullinjtë e fshatit Kamenicë. Kushtet klimatike dhe relievi bëjnë të mundur që kjo krahinë të ketë lulëzuar në kulturat e saj kryesore: drithërat, pemët frutore dhe bagëtitë e imëta (dhentë dhe dhitë). Këto burime natyrore dhe afërsia me detin kanë bërë të mundur që të lulëzojë gjatë periudhës antike qyteti i Foinikes. Dëshmi për këtë janë varrezat prehistorike tumulare të Bajkajt.
E pasur me plot ndërtime karakteristike, që rrethojnë Qafën e Pazarit, duke u shtrirë kryesisht nga kodra e madhe në perëndim të saj dhe më pak në kodrën e vogël në lindje, Kamenica duhet të ketë patur një pamje madhështore. Ndërtimet kanë një dendësi të madhe, por kjo është veçanërisht e theksuar në zonën rreth qendrës së fshatit. Ato janë të orientuara, përgjithësisht nga jugu dhe më pak nga juglindja e jugperëndimi, duke ndjekur pjerrësinë e terrenit. Të vendosura buzë rrugëve, kurse në mjaft raste në zonat periferike jugore dhe perëndimore ndërtimet rrethohen me mure që krijojnë oborre të vegjël dhe duke u lidhur me njëri-tjetrin ose me banesat ata krijojnë një lloj fortifikimi.
Në anën veriore, ku terreni bie në mënyrë të thiktë për shkak të vegjetacionit tepër të dendur është tepër e vështirë për të përcaktuar nëse rrugët përfundojnë deri në fund apo ndërpriten nga shtëpitë, ashtu siç e vërehet në fshatin e vjetër të Qeparoit, ku rrugët nga ana e greminës nuk kanë dalje. Në brendësi të fshatit mungojnë kopshtet, kurse hapësirat e lira vërehen vetëm në pjesën e qafës, ku duket se kanë qenë vendosur dyqanet, e shprehur kjo dhe nga toponimia Qafa e Pazarit.
Në gjendjen e sotme fshati i rrënuar i Kamenicës ruan deri diku mirë një numër të madhe ndërtimesh, ku pjesën dërrmuese e zënë banesat, krahas tyre ruhen dhe disa kisha. Numri më i madhe i tyre ndodhet në pjesën jugperëndimore të kodrës së madhe. Muratura e ndërtimeve për shkak të punimit të mirë dhe lidhësit të fortë, ruhet shpesh, thuajse deri në lartësinë origjinale, ndërsa nga elementet e drurit kanë mbetur vetëm gjurmë. Fshati Kamenicë në pikëpamje të urbanistikës është me tipare të qarta të një qyteti mesjetaro-bizantin.
Kamenica në regjistrat osmanë
Fshati mesjetar i Kamenicës ndodhet në rrethin e Delvinës, 5 km larg qytetit, rrëzë shpatit jugperëndimor të Malit të Gjerë. Ai shtrihet mbi dy kodra të ulëta, me pjerrësi të butë të bashkuara me një qafë prej lindjes në drejtim të perëndimit. Fshati në të kaluarën zinte dy lartësitë e kodrave, qafën që i bashkon ato si dhe shpatin e tyre jugor. Kamenica, megjithëse në një pozicion të favorshëm gjeografik, ka ngelur jashtë shënimeve të udhëtarëve të huaj dhe të vetmit burime me vlerë janë regjistrat kadastralë të Perandorisë Osmane. Në regjistrin e vitit 1431-1432, fshati i Kamenicës i përfshirë në vilajetin e Vajonetës, kishte gjithsej 267 shtëpi (208 me kryefamiljarë, 37 shtëpi me vejusha dhe 22 me beqarë), duke pasur si pronë të fshatit 400 rrënjë ullinj, 1 vresht dhe taksat që paguante fshati ishin 19.740 akçe. Në regjistrin e vitit 1519-1520 fshati i Kamenicës kishte tri lagje: Kakori, Gajdaç dhe Dolodos. Në regjistrin e vitit 1582 fshati kishte 606 familje dhe katër lagje jashtë pjesës kryesore Kamenica (222 familje), Vulur (92), Vragoj (89), Makuri (119), Gandaç (84). Mjafton të përmendim se Gjirokastra, kryeqendra e sanxhakut të Shqipërisë, kishte 163 familje tregon madhështinë e Kamenicës. Problemi më i vështirë për t’u zgjidhur në mungesë të të dhënave është ai i datimit të ndërtimeve të Kamenicës dhe i kohës rreth së cilës u braktis fshati.
“Ç’deshe ti në Kamenicë, mos t’u poqën rrusht’ a fiqtë”!…
Etno-muzikologu Fitim Caushi, mbi shkatërrimin e Kamenicës dhe këngën që lidhet me këtë ngjarje
Është një këngë e vjetër, aq e vjetër sa dhe historia e braktisjes së Kamenicës, një këngë, të cilën shkrimtari ynë i mirënjohur Ismail Kadare e ka vënë jo vetëm në qendër të librit të tij “Autobiografia e popullit tonë në vargje”, por edhe në qendër të vëmendjes, si një monument të vogël buzë një rruge të gjatë krijimtarie për një nga perlat më të rralla të pasurisë gojore popullore. Por, veç shkrimtarit tonë të shquar, me këtë këngë është marrë edhe një studiues tjetër, jo fort i njohur për emrin, më shumë se sa për kujdesin dhe skrupulozitetin shkencor në ato që ka shkruar, që është autori i disa librave, muzikologogu dhe folkloristi, Fitim Caushi. Në librin e tij “Gurët e lashtë të kështjellës së folklorit”, Fitimi, me një analizë tepër të detajuar dhe të hollësishme, argumenton se kënga “Ç’deshe ti në Kamenicë”, e quajtur ndryshe kënga “Hanko pehlivaneja” (Hanko, mos shkel mbi varre,/ se të vdekurit i ngjalle, / të gjallët i vdiqe fare”!…), është një këngë që ka lindur shumë shekuj më parë, dhe pikërisht, në ato vite që është shuar Kamenica, në ato vite që njerëzit kanë marrë arratinë, duke lënë të shkretë këtë qendër të bukur banimi, më të bukurën e trevës së Delvinës dhe rrëzës së Malit të Gjerë, tepër të lashtë dhe me histori që shkon që nga Lufta e Trojës deri Mesjetën e hershme, me një ndërprerje drastike të jetës, tepër të çuditshme, për të cilën janë ngritur hipoteza nga më të ndryshmet që ende nuk kanë gjetur shpjegim, nëse ka qenë presioni për islamizimin e tij, konfliktet e ashpra me perandorinë osmane, ka qenë ndonjë luftë apo inondatë natyrore, që fshati të braktiset në atë mënyrë brenda një dite dhe njerëzit të marrin arratinë. Një hall i madh duhet të ketë qenë shkaku i këtij eksodi masiv. Po ku shkuan? Edhe për këtë ka hipoteza të ndryshme, por ajo që është më bindëse, është se ata kanë shkuar në Kalabri, ku edhe sot ekziston një ngulim me këtë emër.
Por le të lemë këtë argument dhe të hidhemi te kënga, me vargjet e të cilët titullohet edhe ky shkrim. Sipas studiuesit Caushi, kënga ka lindur pas një ose pas disa vjetësh nga braktisja e Kamenicës, kur Hankoja, bijë e këtij fshati, martuar në një zonë të largët, kthehet në Kamenicë të të cilën e gjen të shkretë. Ndaj kënga thotë: “Ç’deshe ti në Kamenicë, mos t’u poqën rrushtë e fiqtë”. Dmth,” këtu s’ka mbetur gjë, madje as rrush e as fiq, të cilat bëhen edhe pa njerëz, ti, ku vete”?!
Megjithatë Hankua shkon te varret e të parëve.
Hanko, mos shkel mbi varre,
me fustanin zvarre-zvarre,
se të vdekurit i ngjalle,
të gjallët i vdiqe fare!..”,
Kështu thotë kënga. Domosdo, dhimbja është e madhe. Aty brenda në këta varre janë të afërmit e Hankos, që s’dinë se çka ndodhur, por që “gëzojnë”, që pas kaq vitesh vjen pranë tyre një e gjallë. A nuk kanë ata të drejtë të ngjallen në këtë rast!?…Por kënga ka edhe vargun tjetër, po aq të fortë sa edhe të parin, që thotë se ndërsa të vdekurit i ngjalle, “të gjallët i vdiqe fare”. Kush ishin të gjallët? Ishte vetë Hankoja që nuk mund t’i rezistojë kësaj gjëje. Ishte ndoshta shoqëruesja e saj, që natyrshëm mund t’i ketë thënë Hankos, “mos më, se na vdiqe kështu duke qarë përmbi varre”! Por mund të kenë qenë edhe të tjerë që e kanë parë Hankon atje dhe janë prekur, kanë ndjerë dhimbje, duke thënë: “na vdiq, na mbaroi kjo”! Ndaj poeti popullor këto dy raste i ka përgjithësuar me mesazhin e fuqishëm se “edhe të vdekurit ngjallen, por edhe të gjallët vdesin” në ngjarje të tilla, në histori të tilla, siç është ajo e Kamenicës…
Studiuesi Fitim Caushi mendon se kënga për Hankon që komenton Kadareja, mund të ketë ekzistuar para shekullit të 17-të, pra mund të ketë lindur dhe është kënduar përpara elegjisë që ballafaqohet këtu për Hanko korbën. Ndërsa pas fatkeqësisë së madhe të Kmenicës, pas braktisjes së saj gjatë shekullit të 17-të, kur fshati ishte krejtësisht i braktisur në një gjendje shkretie dhe e gjithë zona përreth kishte ndjerë thellë ndjesinë e kësaj shkretie, kënga e Hankos është më një tjetër kontekst, elegjiak. Dhe e tillë do konsideruar, thotë Caushi. Mund të ketë ndodhur edhe tjetra, me qenë se vargjet e këngës tingëllojnë fort, ato janë “përkthyer” si një dëshirë erotike. Për një studiues të kujdesshëm, çdo gjë është e mundshme. Ndaj dhe studiuesi Fitim Caushi i pranon të dyja mundësitë.
Kamenica
Nën vëmendje të arkeologëve
Për Kamenicën është shkruar që në vitin 1970 nga Aleksandër Meksi. Në atë kohë pati një ide të vijonte projekti me zbulimet arkeologjike, por sa u evidentua ekzistenca e fshatit, projekti u ndërpre. Këtë fat kanë harrese patur edhe disa fshatra të lashta në luginën e lumit të Vlorës, të organizuara si qytete të vogla, siç është fshati i dokumentuar që shekullin i 9-të, Brataj apo Grehoti. Pas 40 vjetësh kthehen në Kamenicë arkeologët, të cilët kanë hedhur dritë mbi historinë e këtij fshati-qytet. Sipas tyre, Kamenica është një nga perlat më të bukura mesjetare që ruhet deri më sot më Mesdhe. Është një fshat që ruhet plotësisht me rrugica, me dyqane, me punishte, por për fat të keq është pak i studiuar dhe pak i vlerësuar.
Ndër zbulimet më të rëndësishme që ka bërë grupi arkeologjik i kryesuar nga arkeologu Skënder Muçaj përmenden dy nga rezidencat kryesore të fshatit, ku njëra është ajo e kishës, dhe tjetra e pronarit administrativ të fshatit. Është dokumentuar gjithashtu në mënyrë sipërfaqësore edhe një lagje tjetër, ku duken gjurmët e banesave, ku është një kishë e një manastir, etj. Është bërë tashmë edhe dokumentimi grafik,duke u ruajtur materialet e para sipërfaqësore që do të studiohen për të parë periudhën se kur ka filluar ky fshat dhe se kurrë ka përfunduar.
Në Kamenicën e sotme të rrënuar ka banesa me dy, tre, katër kate. Ka një urbanistikë të përcaktuar. Ka ndërtesa në këmbë që vetëm çatitë u mungojnë dhe ruhen me shenja të qarta të 3 dhe 4 kateve nëpër muret e tyre. Janë elementë që datojnë deri në shekullin e XII dhe kanë vijuar deri në shekullin e XVI-XVII. Edhe pse janë braktisur që nga shek. i XVII, muret qëndrojnë ende në këmbë, për arsye të teknikës së përsosur të ndërtimit. Në qoftë se sot shohim dhe mrekullohemi para Mangalemit të Beratit, thotë arkeologu Muçaj, në Kamenicë është një shumëfish i lagjes së Mangalemit. Fizionomia e këtij fshati është i së njëjtës periudhe mesjetare, ku arkitektura e kësaj periudhe ka marrë edhe tipare orientale.
Mendimi i arkeologëve pas këtij zbulimi është që të hapen mjedise të vizitueshme dhe nëse ky fshat do të ruhet i gjithi do të ketë interes të madh për turistët.

po kamenica e korces ?
Ka dhe ne kosove Kamenice. Kush ia di kuptimin?