ESSE / SHQIPTARI DHE GURI I SIZIFIT

redaktor

Sa herë kujtoj narracionin e ”Mitit të Sizifit”, mendja më shkon tek shqiptari dhe jeta e tij plot vuajtje dhe sakrifica në shekuj. Mes kësaj historie, sa fantastike, aq dhe reale, lartësohen figurat e dy heronjve, sa të zakonshëm aq dhe të jashtëzakonshëm. Ata janë Sizifi dhe shqiptari, të cilët nga vuajtjet dhe sakrificat i ngjajnë njeri-tjetrit, si dy binjakë të çuditshëm, edhe pse vinë nga kohëra dhe vise krejtësisht të ndryshme.

Njeri nga thellësitë e mitologjisë së lashtë greke dhe tjetri nga historia e gjallë e një populli të shumëvuajtur dhe të stërmunduar në shekuj. Ajo që i bën këta heronj kaq të ngjashëm me njeri-tjetrin, është pesha e rëndë e gurit mitologjik,që u gjakos supet dhe u sfilit pandërprerë shpirtin. Që lexuesi ta shohë më mirë me sytë e mendjes këtë ngjashmëri të plotë midis fatit të këtyre dy heronjve, po rikujtojmë brendinë e “Mitit të Sizifit”. Ashtu si dhe Prometeu, Sizifi është heroi mitologjisë së lashtë greke. Ai me bëmat e tij përçon tek njerëzit mesazhin e stërmundimit të madh fizik, për të arritur qëllime të mëdha. Por, fatkeqësisht, këto qëllime, edhe pse heronjtë rropaten e sfiliten tërë jetën, nuk realizohen kurrë.

Pas rënkimeve të tmerrshme të Sizifit, ndjen sfilitjen e shqiptarëve, të cilët edhe pse me supe e këmbë të gjakosura, në kthesa të rëndësishme të historisë, nga që i ka munguar prijësi i duhur, nuk ka mundur të orientohet drejt për të arritur në kohë qëllimet e mëdha. Që të bindesh për vërtetësinë e këtij fakti, mjafton t’i hedhësh një vështrim historisë së luftës dhe jetës së popullit shqiptar nga shpallja e Pavarësisë e deri në ditët tona. Dihet se Shqipëria, pas shumë sakrificash, më 28 Nëntor të vitit 1912 shpalli Pavarësinë. Por ç’ndodhi pas një viti!? Fatkeqësisht, ajo që u ndërtua për vite të tëra, me shumë mund e sakrifica, u rrënua për disa muaj, Viti 1913 i gjeti trojet tona të kafshuara nga dhembët e lukunive të pangopura të fqinjëve tanë, nën heshtjen e plotë të fuqive të mëdha të botës. Si rezultat, padrejtësisht, disa troje të majme të Shqipërisë mbetën jashtë hartës së saj, ndërsa shumë shqiptarë, të shpërndarë si zogjtë e korbit nëpër botë, mbetën pa nënë e pa strehë. Dhe fatkeqësisht, këto plagë vazhdojnë të mahisin edhe sot e kësaj dite. A nuk ngjajnë vuajtjet e Sizifit me stërmundimet e shqiptarëve për ta bërë vendin të lirë dhe demokratik!? Edhe pse shqiptarët, për unifikimin e kombit, trojeve dhe gjuhës kanë bërë shumë, ata janë kërcënuar vazhdimisht me presione dhe shtrëngata gjaku. Edhe pas ngjarjeve të tilla të mëdha historike si Kongresi i Lushnjës, Lufta e Vlorës, agresionet pushtuese si ai i Fashizmit më 7 Prill të vitit 1939, e kanë pushtuar Shqipërinë. Nëse Mujo Ulqinaku me trimat e tij bënë rezistencë, Lartmadhëria e tij rrëmbeu floririn dhe ja mbath nga sytë këmbët, për të shpëtuar lëkurën e tij. A nuk i ngjan stërmundimit absurd të Sizifit qëndresa e këtyre shqiptarëve, me armë pa shul e pa municion, përballë pushtuesve të armatosur gjer në dhembë !?

Luftoi shqiptari për çlirimin e vendit dhe rritjen e mirëqenies me sloganin utopik, “Të punojmë sipas mundësisë dhe të marrim sipas nevojës”, por frytet e saj nuk i shijoi kurrë. Edhe pse partizanët e thjeshtë mbajtën peshën e sakrificave të Luftës,”Perënditë” mbi këto sakrifica thurën intrigat vrastare dhe ëndrrat për pushtet e jetë përrallore. Mundi dhe sakrifica e sizifëve të vërtetë shkoi kot, sepse demonët e shkatërrimit lëshuan mbi to “djallin”, për të çliruar vdekjen dhe varfërinë, të cilët do të gjakosnin lirinë e vërtetë dhe do të varrosnin shpresën.

Shqiptari, ashtu si dhe Sizifi, me peshën e gurit të rëndë mbi supe, punoi për gati gjysmë shekulli, me bindjen se do të ulte nga qielli mrekullinë, por shpejt u zhgënjye. Edhe ato që mundi t’i bënte me shumë mund e sakrifica për gati 50 vjet, u shkatërruan brenda një dite nga thirrjet absurde, të frymëzuara nga teoria absurde e “Terapisë së shokut”, thelbi i së cilës ishte shkatërrimi i gjithçkaje. Shqiptarët të bindur se me rënien e sistemit monist, do të këputeshin njëherë e për gjithmonë prangat e robërisë dhe të varfërisë, iu përveshën punës me ëndrrën e madhe se do ta bëjnë Shqipërinë si gjithë Evropa”. Po ç’ndodhi në të vërtetë!? Ajo që u arrit me punë e djersë brenda dhe jashtë vendit, për gati 10 vjet me radhë, u gëlltit nga gojët e shqyera të piramidave mashtruese. Kjo makutëri e shfrenuar e riktheu vendin tonë dhjet vjet pas. Si rezultat Shqipëria tjetërsohet në një tokë e djegur, që hante bijtë e vetë. Edhe pse shpresa e njerëzve rënkonte nga pesha e gurit të varfërisë, ajo kurrë nuk dha shpirt. Atë nuk e zhuritën as flakët vrastare të fabrikës së vdekjes në Gërdec. Atë nuk e vranë as plumbat e derdhur lumë mbi viktimat e pafajshme të 21 Janarit, të cilët vriten me duar në xhepa, vetëm se kërkonin më shumë liri dhe drejtësi.

A nuk i ngjan stërmundimit të Sizifit ëndrra e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian!? A nuk ngjan kjo ëndërr pëlhurës së Penelopës, e cila nuk mbaroi së thururi kurrë, sepse ajo që thurej ditën, shthurej natën. Stërmundimi i shqiptarëve nuk mbaroi me rrëzimin e diktaturës. Edhe sot e kësaj dite,pas 25 vjetësh, ky gur i rëndë vazhdon të dërrmojë supet e gjakosur dhe këllqet e deformuar të shqiptarëve që kanë vuajtur tërë jetën. Të zhgënjyer nga politikat e gabuara dhe të rrënuar nga papunësia e varfëria e tejskajshme, largohen për një jetë më të mirë, nga vendi, duke mallkuar politikanët, varfërinë, ndoshta dhe ata që i lindën dhe i rritën.

Ndërsa pesha e rëndë e gurit të Sizifit vazhdon të dërrmojë e dërrmojë pa ndërprerë supet e gjakosur të shqiptarit. E megjithatë ai, ashtu si heroi i mitologjisë, vazhdon të qëndrojë mbi fatin e vetë. Shqiptari, ashtu si dhe Sizifi, edhe pse i mohojnë “perënditë”, vazhdojnë të rendin me këmbë të përgjakura dhe me shpirt të sfilitur, me gurin e rëndë mbi shpinë, i cili çdo ditë pjell varfëri dhe pasiguri, rrënim shpirtëror dhe padrejtësi.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *