Ministria e Shëndetësisë iu përgjigj akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me rimbursimet e barnave.
Në një komunikatë, thuhet se ka qenë Sigurimi i Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) ai që ka ushtruar kontrolle për periudhën qershor–gusht 2015 në subjektin Omega Grup, importues dhe shpërndarës farmaceutik.
“Nga ky kontroll rezultoi një dëm ekonomik prej 346 milionë lekësh (ose 34,6 milionë lekë të reja). Për rrjedhojë, është ndërprerë kontrata e Fondit me Omega Grup, dhe ky subjekt, është kallëzuar penalisht nga FSDKSH-ja në muajin gusht 2015 në Prokurorinë e Tiranës”, sqaron Ministria.
Më tej thuhet se janë ushtruar kontrolle për tre muaj rresht në 215 farmaci dhe 11 depo farmaceutike në të gjithë vendin në lidhje me rimbursimin e ilaçit Ketosteril.
“Si rezultat i këtyre kontrolleve, FSDKSH-ja evidentoi një dëm ekonomik prej 44 milionë lekësh (ose 4.4 milionë lekë të reja)”, thuhet më tej.
“Ndërkohë, është e kotë t’i kujtojmë opozitës situatën katastrofike ku e gjetëm shëndetësinë shqiptare dhe se çfarë kemi bërë e po bëjmë për të rekuperuar dëmet e keqqeverisjes së saj. Arritëm në kohë rekord të shlyejmë borxhin 40 milionë USD që trashëguam nga PD.
Ndërkohë sot, shqiptarët paguajnë 30% më pak për barnat. Sikundër kishim premtuar, ja dolëm të ulim çmimin e barnave duke u kursyer shqiptarëve 70 milionë dollarë në vit. Janë 150 000 qytetarë shqiptarë që përfitojnë tashmë nga 85 barnat e reja që shtuam në listën e rimbursimit në vetëm dy vjet”, thuhet më tej. /Dita/
