Britania e Madhe drejt Marrëveshjes me BE

redaktor

Britania e Madhe duket se po shkon drejt arritjes së Marrëveshjes me Unionin Evropian. Jo më larg se fundjavën e kaluar kreu i Komisionit Evopian, Junker do të shprehej i bindur mbi gjetjen e një Marrëveshje me kryeministrin britanik Kamerun, në lidhje me kërkesat e tij për rinegocim: “Jam më se i sigurt se, do të kemi një marrëveshje. Jo një kompromis, por një zgjidhje, një zgjidhje të përhershme në shkurt”. Një deklaratë e cila nuk mund të shikohet e shkëputur në kontekst nga konfirmimet e palës britanike se, marrëveshja do të arrihet së shpejti.

Ky lajm sigurisht që i vjen për shtat kryeministrit britanik Kamerun, i cili kërkon mbajtjen e një referendumi mbi vazhdimin e anëtarësimit britanik në BE. Referendum, që mund të organizohet vetëm pasi Kamerun të ketë mbyllur kapitullin e negocimeve për ripërcaktimin e marrëdhënies së vendit të tij me Unionin.

Kërkesat e Kamerun për negocime u shprehën përgjatë nëntorit të kaluar. Më problematike nga të gjithë kërkesat e deklaruara, shfaqej ndalesa ndaj migrantëve, që vinin nga vendet e BE-së, pra qytetarëve të Unionit, për të përfituar nga kuadri i të drejtave sociale, në rast se ato nuk kishin përmbushur kriterin e qëndrimit 4-vjeçar në territor dhe kontributit përgjatë kësaj periudhe. Kërkesa të refuzuara që në fillimet e saj, kryesisht nga Komisioni Evropian, pasi në thelb bien ndesh me principin e lëvizjes së lirë, një prej lirive themelore të Bashkimit Evropian.

Por, teksa kancelaria gjermane Merkel, është shprehur në favor të gjetjes së një marrëveshje, liderit britanik Kamerun i duhet mbështetja e të gjithë vendeve të BE për kryerjen e një marrëveshje të tillë.

Nisja e një turi diplomatik me synim bindjen e vendeve të ish Lindjes komuniste, të cilat njohin edhe një migrim të lartë në Britani, nuk rezultoi shumë e suksesshme, çka edhe pritej duke marrë parasysh edhe deklarimet e forta të këtyre vendeve menjëherë pas rikonfirmimit të Kamerun pas zgjedhjeve të fundit. Gjithsesi, këto qëndrime u rikonfirmuan sërish, duke ngushtuar hapësirën për manovrim të palës britanike. Polonia e refuzoi në parim këtë propozim, ndërsa Hungaria nëpërmjet liderit të saj konservator Orban, u shpreh se hungarezët nuk janë parazitë, apo migrantë dhe se kontribuojnë më tepër në sistemin e taksave britanike, se sa përfitojnë nga sistemi social i saj. Në fakt, një qëndrim i përbashkët i vendeve të Visegradit V4 ishte i nevojshëm, pasi pjesa më e madhe që mund të preken nga reforma e kërkuar nga Kamerun janë pikërisht qytetarët e këtyre vendeve. Rreth 55 mijë hungarezë punojnë aktualisht në Britani, sipas Viktor Orban, edhe pse shifrat jozyrtare flasin për qindra mijëra hungarezë. Pa përmendur numrin e lartë të migrantëve polakë.

Por, përtej divergjencave që shfaq kjo pikë, mospëlqimet e palës hungareze shkojnë edhe ndaj terminologjisë së përdorur nga kryeministri Kamerun. Në logjikën e drejtuesit autoritar hungarez Viktor Orban, nuk mund të konsiderohen “migrantë”, qytetarët hungarezë që jetojnë në Britani, pasi ato nuk janë “parazitë”, por qytetarë me të drejta të plota të BE-së, të cilët punojnë duke kontribuar në sistemin social britanik. Kontestime frazash, të cilat mund të lexohen vetëm në filtrin e filozofisë së drejtimit autoritar të liderit konservator të Hungarisë Orban dhe qëndrimit të hapur të tij kundër frymës së tolerancës dhe të bashkëjetesës me migrantët, ndaj të cilëve ngriti edhe murin e parë të konsideruar si muri i turpit.

Liderët e BE-së do të mblidhen në Bruksel më 18-19 shkurt, ku do ndër të tjera do të diskutohet edhe çështja e marrëveshjes me Britaninë e Madhe. Gjasat janë që të shkohet drejt arritjes së marrëveshjes, dhe pas saj konservatorët në pushtet të lobojnë për qëndrimin e Britanisë së Madhe në Union, përgjatë referendumit që pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm. Ndër katër çështjet më të rëndësishme, tre prej tyre janë futur në një kuadrat të zgjidhshëm, por edhe çështja e katërt, që lidhet me kuadrin e përfitimit social mund të shkohet drejt një dakordësie edhe vetëm duke pranuar një limit kohor, për të mos kërkuar këtë të drejtë që ditën e parë të hyrjes në territorin britanik. Ide e mbështetur jo vetëm nga Berlini, por e pranuar edhe nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, në disa çështje të njohura si Alimanovic kundër Gjermanisë, ku theksohet se qytetarët e BE-së nuk mund të lëvizën nga një vend i Unionit në tjetrin dhe të kërkojnë përfitime nga sistemi social, në rast se, ato nuk shfaqen të angazhuar në kërkimin e një pune. /DITA

Shkrime te tjera:

Unioni oferta të përzemërta Britanisë së Madhe

Kur Britania e Madhe kërcënon

Britania e Madhe drejt “divorcit” me Gjykatën e Strasburgut

 

 

Share This Article