Pas shiut të pandërprerë që pat rënë një ditë më parë, të shtunën, dita e nesërme, e diela, gdhiu e kthjellët e me diell. Qielli i pastër, pa re; ajri ishte i shndritshëm si xham; uji i liqenit gjithashtu. Duke përfituar nga koha e mirë, diku rreth mesditës, po shëtisnim buzë Drinit me një shokun tim të shkollës, Iqmetin, avokat. Po ecnim në drejtim të kundërt me rrjedhën e lumit, në anën perëndimore të qytetit. Përballë nesh vinte një plak i moçëm me shkop në dorë, i vetëm, që unë nuk e njihja, madje as më kujtohej ta kisha parë ndonjëherë. Kur na u afrua, shoku im e përshëndeti shqip: “Mirëdita, xha Joco!”. Plaku, ndonëse i lodhur nga vitet e i rënduar nga veshët, na e ktheu përshëndetjen, po në shqip: ”Mirëdita!”. Ndërkaq, shoqëruesi im u kthye kah unë dhe më tha: “Xha Jocoja di vjersha shqip!”. Në e parë, nuk e mora shumë seriozisht; pandeha se dëshiron të ma bëjë qejfin mua si “njeri i letrave”. Por shpejt e pashë se kisha gabuar, sapo plaku i papërtuar filloi t’i deklamonte vargjet e mëposhtme:
“Sa të dua o Shqipëri
Sa mall ndjenj e sa dëshirë,
Për ty gas e dashuri
Mu ndë zemrë më ka mbirë.
Se për mua ti o atdhe
Je një lule aqë e vyer,
Sa nuk’ gjendet përmi dhe
Shpirtin tem për t’e ushqyer.
Qindra vjete gjith në zi
Qindra vjetësh i helmuar,
Po një vlerë pate ti
Që s’ka shembëll, s’ësht dëgjuar;
Vala shkuan përmbi ty
Kombe shkelnë pa mëshirë,
Po një s’pati faq’ e sy
Të të shohë prej dheut fshirë.
Se ke trima si më s’ka
Se ke burra të pavdirë,
Droja syrin s’ja u ha –
Sisën tënde kanë pirë!
Mos ki frikë, mos vajto
Mos me kryet, trupin zgjatur,
Tunde krahun u forco:
Dëfto namin që ke patur!”.
I tha pikë për pikë, pa ndërprerë, vargjet e mësipërme, duke na vështruar në sy mua e shokun tim dhe duke u mbështetur te “shoku” i tij, shkopi i pleqërisë, që mbante në dorën e djathtë.
U stepa. Kjo ishte vërtet një befasi e papritur! As që më kishte shkuar mendja se në atë shëtitje të zakonshme, rutinore, do të ndeshja një njeri të shtyrë në moshë, i cili, ndonëse joshqiptar, ishte i gatshëm të recitonte e këndonte shqip mu në mes të qytetit. Si s’e kisha ndeshur më parë këtë plak të mirë dhe si rastisi ta takoja pikërisht në prag të festave të Nëntorit?! Ç’rastësi e bukur!
Ndërsa plakun po e vështroja me habi, si një enigmë, vjershën që e tha përmendsh e “zbulova” shpejt se e kujt ishte dhe ia thashë atij dhe mikut tim. Është vjersha Vlesa e atdheut e Asdrenit. Shoku im u entuziazmua, si zakonisht, me “erudicionin” tim, kurse plakut nuk i bëri përshtypje fare emri i autorit të vjershës, të cilën ai e kishte mësuar përmendsh plot 80 vjet më parë dhe nuk e kishte harruar atë ditë e sot.
Ç’mrekulli të dëgjosh nga goja e një plaku me emrin Jovan, Jovan Tomi Rato, që shkurt e thërrasin Joco, poezinë që fillon me vargun: “Sa të dua o Shqipëri”, mu në mes të Strugës, aty ku “Drini plak e i përrallshëm nis udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri”.
Plaku natyrisht që s’e dinte se e kujt ishte vjersha dhe as që i interesonte. Atij i mjaftonte që e kishte mësuar përmendsh plot tetëdhjetë vjet më parë dhe që e kishte recituar, me dorën në zemër, në Pallatin mbretëror, veprim që e bën edhe tani, për të na demonstruar me vërtetësi përjetimin e vet.
Ndodheshim jo larg nga ndërtesa e ish-Komitetit Komunal, nga ajo ngrehinë famëkeqe ku jo më larg se një çerek shekulli më parë për vargje si këto të shpallnin “nacionalist shqiptaromadh”, të largonin nga puna edhe po qe se ishe punëtor krahu dhe mund të përfundoje edhe në burg, në Idrizovën famëkeqe.
Kush është plaku nga goja e të cilit rrjedhin vargjet e një atdhedashurie të kulluar si ujët e Drinit?
“Kur kam qenë 14 vjeç, thotë, e kam recituar para mbretit në Tiranë. Na shpunë nga Pogradeci në Tiranë dhe aty unë e thashë para Mbretit Zog, me dorën në zemër, siç ishte zakon. Mbreti buzëqeshi dhe më uroi”. Xha Jocoja mbase nuk e di, por ata që e njohin pak a shumë historinë shqiptare, nuk e kanë të vështirë të kujtojnë se kjo ngjarje duhet të ketë ndodhur në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë ose, si thuhej atëherë, të Vetëqeverimit, kur në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë u organizuan kremtime të shumta. Pat ardhur edhe autori i vjershës Asdreni nga Bukureshti për të marrë pjesë në këto kremtime dhe me atë rast në Shkodër qe bërë ajo fotografia e famshme, ku shihen katër shkrimtarët më të mëdhenj të gjallë të Shqipërisë, dy të “Gegërisë” dhe dy të “Toskërisë”: Fishta, Asdreni, Koliqi dhe Lasgushi; dy të parët (Fishta dhe Asdreni), si më të moshuar, të ulur në karrige, kurse dy më të rinjtë (Lasgushi e Koliqi) në këmbë. Fishta me veladonin e tij prej prifti françeskan, kurse tre të tjerët veshur si evropianë, me kostum e kravatë.
Kur shkova në shtëpi, e mora kompletin e Asdrenit prej katër librash, të botuar nga “Rilindja” në vitin 1971 dhe aty, te libri i dytë, Ëndrra e lotë, gjeta poezinë Vlesa e atdheut, të cilën e sollëm të plotë, me drejtshkrimin dhe grafinë e atëhershme, e jo në gjuhën e sotme.
Ç’të themi tjetër për recituesin e poezisë Vlesa e atdheut, xha Jocon? Xha Jocoja është vllah. Emri i tij i plotë është Jovan, kurse “Joco” është emri i tij përkëdhelës, nofka, llagapi, që i ka mbetur që kur ka qenë i ri.
Është nga Belica e Epërme, nga ishte edhe shkrimtari i njohur i humorit, kryeredaktori i “Hostenit” dhe miku i Dritëroit, Niko Nikolla, të cilin e pata njohur në Pogradec në “Ditët e Lasgushit”, në vitin 1996; prindërit e Nikos ishin nga Belica e Epërme, kurse ai vetë kishte lindur në Pogradec, për t’u vendosur më pas në Tiranë, ku jetoi derisa vdiq.
Jovan Tomi Rato është 94 vjeç, por në këmbë të veta, me shkop, natyrisht. Nuk dëgjon mirë dhe që të merresh vesh me të duhet të bërtasësh pak. “Kam rrojtur në Pogradec njëzet e sa vjet”, thotë. Babai i tij, Tomi, kishte pasur pesë djem. Dy prej tyre kishin vajtur në Beograd, kurse tre në Shqipëri. Pas luftës është kthyer në Strugë, ku jeton edhe sot. Më mbeti peng që nuk arrita ta pyesja për vëllezërit e tij: rrojnë apo jo dhe nëse po ku, si? Fati i tyre është si fati i komunitetit të cilit i takojnë: të degdisur nëpër Ballkan: në Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Greqi, Bullgari dhe, natyrisht, edhe në “vendin e tyre amë”, nëse mund ta quajmë kështu, në Rumani.
E pyesim, në të vërtetë e pyet shoku im, Iqmeti:
- Si regjistroheni ju, xha Joco?
- Makedon! – përgjigjet plaku.
Xha Jocoja është vllah, me letra “makedon”, por nuk përjashtohet mundësia të jetë edhe shqiptar, i krishterë, natyrisht, ortodoks, të tillë çfarë ka shumë jo vetëm në zonën e Rekës, por edhe në Strugë, Ohër, Manastir, Shkup, Tetovë, Gostivar dhe në mbarë Maqedoninë.
Vllehtë e Maqedonisë, tradicionalisht, kanë pasur marrëdhënie të mira me shqiptarët, por zyrtarisht janë regjistruar si maqedonë. Xha Tuni, Tun Lipi, një plak i zgjuar, por edhe inatçor, po nga Belica e Epërme, kishte miqësi me dajën tim, Sh. K. Një ditë prej ditësh, aty nga fillimi i viteve ’80, të dy bashkë, nuk di me ç’sebep apo për qejf, i hipin autobusit në Strugë dhe sosin në Prishtinë. Më patën rënë “në konak”. Unë dhe ime shoqe u përpoqëm t’i prisnim si është më së miri, me mundësitë që kishim. Hëngrën e pinë, kuvenduan bashkë, por edhe me ne të tjerët, fjetën atë natë tek unë dhe të nesërmen morën rrugën për andej prej nga kishin ardhur. Më duket se u ndanë të kënaqur jo vetëm daja im, Shebriti, i cili më donte shumë dhe krenohej me mua, nipin e vogël, por edhe xha Tuni, i cili donte të martohej në pleqëri me një grua në Ferizaj, për inat të të birit dhe resë së tij, të cilët, sipas tij, nuk kujdeseshin sa duhet për të.
Në Strugë ka pasur edhe dy kryetarë komune me origjinë vllahe, të cilët nuk mbahen mend për të mirë nga shqiptarët. Përkundrazi, kujtohen për të keq. Sepse, që të dy, ishin antishqiptarë. Njëri quhej Jakov (Jakovçe) Poposki dhe ka vra e ka kthjellë një kohë të gjatë në qytetin buzë Drinit, herë si kryetar komune e herë si sekretar komiteti, kurse tjetri Trajan (Trajçe) Hiohi, që do të ngjitet në postin e të parit të komunës në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë, kur unë isha student. I pari, Jakovçja, kishte një motër të martuar në Tiranë (grua shumë e bukur në rininë e saj), në familjen Sojli, por kjo “krushqi”, për çudi, sikur e nxiste që të ishte edhe më i zellshëm në kufizimin e të drejtave të shqiptarëve: në arsim, në punësim, në politikën sociale, kudo.
E ç’mund të prisje nga një njeri, i cili nuk sillej mirë as me atë që e kishte sjellë në jetë, me nënën e vet?! Nëna e Jakovçes, Spirovica, si e thërrisnin i madh e i vogël, endej fshatrave me një shportë në dorë: shiste penj, rruaza, gjilpëra, karfica për gratë dhe nuset. Ishte e mirëpritur në fshatrat shqiptare, në të dy anët e Drinit, posaçërisht nga gratë, të cilat gëzoheshin kur e shihnin jo vetëm pse u sillte krehra e karfica për flokët, por edhe pse fliste shqip dhe i njihte zakonet e vendit njësoj si ato.
Ndryshe nga Jakovçja, që ishte gati i shëmtuar, Hiohi ishte i pashëm, elegant, me flokë valë-valë e me një palë mustaqe të holla mbi buzë. Ndërsa për të parin di vetëm ato që kam dëgjuar nga të tjerët, për të dytin ruaj në kujtesë një imazh pikant: e kujtoj duke kërcyer valle me lodra në mes të Veleshtës, ke Vakufet, në dasmën e një profesori të Gjimnazit, që pat paraqitur kandidaturën për nënkryetar të komunës. Për këtë post konkurronin në të vërtetë dy shqiptarë: profesori i ri i Gjimnazit, veleshtar, nga fisi i dajve të mi (jo i pazoti në punën e tij) dhe një mësues i moshuar i Matanëdrinit, i cili, më shumë se me profesionin e mësuesit, ishte marrë me politikë dhe do të vazhdonte të merrej deri në fund të jetës. Nuk fitoi as njëri as tjetri, sepse nuk i lëshuan udhë njëri-tjetrit, kështu që edhe nënkryetari i komunës u zgjodh nga radhët e palës tjetër. Pas ’81-shit, profesori ambicioz, sikurse shumica e kolegëve të tij, u përfshi nga vala e diferencimit politik që i ngjante një cunami dhe, pasi u largua fillimisht nga partia dhe pastaj edhe nga puna, iku në Amerikë, ku përfundoi si pastrues a pjatalarës.
Por, marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe vllehve, megjithatë, nuk u lëkundën. Njerëzit e thjeshtë, shqiptarë e vlleh, vazhduan të rrinin e komunikonin bashkë, pavarësisht nga Jakovçet e Trajçet, sepse të dy palët e dinin se ata, sikurse edhe shumë shqiptarë, ishin njerëz të pushtetit, shërbëtorë të regjimit maqedonas e jugosllav, që zhvillonte politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve.
Trajçet e Jakovçet dhe tërë sojsorollopi i tyre janë si rëra që e merr uji, kurse populli është si gurët e lumit që nuk luajnë vendit.
Të gjitha këto m’u kujtuan atë ditë nëntori, në Strugë, buzë Drinit, tek e takova, krejt rastësisht, belicarin plak xha Joco, i cili më la pa mend me recitimin e vargjeve të Asdrenit. I thashë se autori i vjershës që ai e kishte mësuar 80 vjet më parë, në Pogradec, ishte nga Drenova e Korçës; se kishte jetuar në Rumani dhe se në të njëjtën kohë me vjershën Vlesa e atdheut, në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kishte krijuar edhe himnin kombëtar të shqiptarëve: Rreth flamurit të përbashkuar…, por kjo gjë nuk i bëri shumë përshtypje atij. Në kujtesën e tij ishte fiksuar çasti kur si djalosh 14 vjeçar e kishte recituar vjershën para Mbretit në Tiranë.
Jovan Tomi Rato, i quajtur shkurt Joco, vazhdonte të qëndronte para nesh me shkop në dorë, i gatshëm ta thoshte përsëri e përsëri poezinë që fillon me vargun “Sa të dua o Shqipëri!”, po qe se do të kërkonim prej tij.
Në trotuarin e shtruar me pllaka, që shndrisnin nën diellin e nëntorit, plaku 94 vjeçar na i këndoi edhe dy këngë shqip: Lule e bukur porsi dielli… dhe Vemi, o vemi, të cilat i mban mend po ashtu nga koha kur ka jetuar në Pogradec në vitet ’20-’30 të shekullit të kaluar.
Poshtë këmbëve tona Drini vazhdon rrjedhën e tij të përjetshme, Drini i Zi, që rend të përqafojë vëllanë e tij binjak, Drinin e Bardhë, për t’u bërë thjesht Dri’…

Copëzat e këtilla të kujtesës sonë më kujtojnë gurëzit e diamantit me të cilët rregullohen kurorat mbretërore. Njashtu si kurora që fiton vlerë dhe zbukurohet në saje të atyre diamantëve, edhe e kaluara jonë zbukurohet dhe fiton peshën e duhur nga rrëfime të këtilla! Pergezime prof. Agim Vinca!
Vllehet atje ishin makedonci antishqiptare,ketu ishin sigurimsa antishqiptare.