Trajneri i Tiranës u shpreh pas miqësores ndaj Korabit, se të tijtë e kishin vlerësuar këtë përballje, për faktin se do të ishte testi i fundit para takimit kundër Flamurtarit, i vlefshëm për Kupën e Shqipërisë.
Për Ilir Dajën, Kupa është një mundësi për të arritur Europën, ndaj vlerësohet maksimalisht nga ekipi i tij. Për sa i përket merkatos, trajneri i Tiranës konfirmoi faktin se bardheblutë janë në kërkim të një sulmuesi dhe një mesfushori qendre, por pa zbuluar emra konkretë.
“Miqësoren ndaj Korabit e kishin vlerësuar për faktin se do të ishte testi i fundit para takimit kundër Flamurtarit për Kupën e Shqipërisë.
Në fazën përgatitore, lojtarët kanë marrë ngarkesën e duhur. Karan dhe Fukui kanë vijuar të stërviten veçmas dhe mendoj se i kanë zbatuar programet përkatëse për t’u rikuperuar sa më parë nga dëmtimet që kanë pësuar. Këtë javë hyjmë edhe në atë që quhet ritmi i kampionatit, pavarësisht se më parë do të luajmë një ndeshje Kupe.
Por duke ditur edhe synimin që ka Tirana, pra arritjen e Europës, Kupa e Shqipërisë është një rrugë për ta plotësuar këtë objektiv. Për sa iu përket afrimeve të dy brazilianëve, nuk mund të flas për një përshtatje të tyre me lojën e ekipit, sepse kanë vetëm tri ditë që i janë bashkuar skuadrës.
Ajo që kam vënë re është se kanë mungesë të kondicionit fizik. Fakti që në dy miqësoret e fundit, Almeida dhe Uillian janë aktivizuar pak minuta, ka ardhur si kërkesë e dy lojtarëve në fjalë, të cilët duke parë gjendjen e tyre fizike kanë kërkuar të luajnë më pak minuta se zakonisht, për të arritur pak nga pak në formën e duhur.
Merkatoja e Tiranës nuk ka përfunduar ende. Kjo pasi kërkojmë një sulmues tjetër dhe një mesfushor qendre. Por do të vijojmë të vlerësojmë edhe afrimet e mundshme nga akademia e Tiranës”, përfundoi trajneri i Tiranës, Ilir Daja.
