Ministria e Financave ka bërë dje publike se çfarë ka ndodhur me detyrimet e prapambetura dhe se si po monitorohet situata që të mos krijohen të reja.
“Në kuadër të transparencës me publikun, me informacionin e siguruar nga institucionet e përfshira në këtë sondazh, raportet përmbledhëse janë publikuar edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Financave”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
Monitorimi me qëllim parandalimin e krijimit të detyrimeve të reja, ka qenë edhe një detyrim, i cili ndiqet nga FMN.
Duke u ndalur në raste konkrete, si detyrimet e krijuara nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, kjo ministria ka sqaruar se një pjesë e detyrimeve janë shlyer nëpërmjet rialokimit të fondeve nga projekte të cilat kanë një ecuri më të ngadaltë në projektet me një shkallë më të lartë të realizimit të tyre, apo edhe shtimit të fondeve në programin e rrugëve nëpërmjet rishikimit të buxhetit në fund të vitit 2015. Kjo gjë do të reflektohet në raportin që përfshin periudhën janar – dhjetor 2015.
Në lidhje me detyrimet e krijuara nga vendimet gjyqësore, nisur edhe nga vetë natyra e këtij detyrimi, ku procesi gjyqësor nuk ka një afat të përcaktuar kohëzgjatje, institucionet buxhetore nuk janë në gjendje të parashikojnë lindjen e tij apo edhe vlerën përkatëse.
Për këtë arsye, financa tregon se këto detyrime trajtohen me një Udhëzim të veçantë të Këshillit të Ministrave, nr.1 datë 4.06.2014 “Për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të njësive të Qeverisjes së Përgjithshme në llogari të thesarit”, i cili ka në përmbajtjen e tij, parimin e likuidimin të vendimeve gjyqësore, jo më vonë se një vit buxhetor nga data e paraqitjes së tij në institucionet përgjegjëse për shlyerjen e vendimit gjyqësor, si dhe parashikon edhe mënyrën e shlyerjes së tyre në rastet e vlerave të konsiderueshme dhe buxheteve të limituara të miratuara për institucionin buxhetor.
Ministria e Financave bën publike në mënyrë periodike të dhënat e buxhetit si dhe ka rritur shkallën e transparencës, duke treguar një vëmendje të veçantë sidomos monitorimit, me qëllim parandalimin e krijimit të detyrimeve të reja. /Dita/
