PD informon zyrtarin e lartë të BE-së për reformën në drejtësi

Saimir Lleshi

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Eduard Halimi dhe Zëdhënësja e Grupit Jorida Tabaku, të shoqëruar nga Ekspertët e Opozitës për Reformën në Drejtësi, pritën në një takim Drejtoren për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Evropian (EEAS) Znj. Angelina Eichhorst, me të cilën biseduan rreth Reformës në Drejtësi.

Që në fillim të takimit, z. Halimi e informoi zyrtaren e Bashkimit Evropian mbi qëndrimin dhe vullnetin e Partisë Demoraktike, për të kontribuar në realizimin e një Reformë reale në sitemin e drejtësisë, bazuar në standardet e Komisionit të Venecias, duke e konsideruar këtë reformë si jetike për vendin, në funksion të ndërtimit të një sistemi drejtësie me mekanizma të qëndrueshëm që të luftojë korrupsionin, por nga ana tjetër që garantojnë pavarsinë e sistemit nga politika.

Z. Halimi ndau shqetësimin me znj. Eichhorst mbi veprimet e mazhorancës për të përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me opozitën në realizimin e kësaj reforme.

Z. Halimi u shpreh se pas daljes së Opinionit Paraprak të Komisionit të Venecias, Partia Demokratike kërkoi që të bëhej një draft i përbashkët bazuar në standardet e Venecias dhe se vullneti i mirë do tregohej në rast se do respektoheshin sërish të gjitha rakomandimet e Venecias.

Znj. Eichhorst e konsideroi realizimin e Reformës në Drejtësi si një nga prioritetet kyçe për ecurinë e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, dhe shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në këtë proces. Ajo ndau të njëjtin mendim se palët duhet të bashkëpunojnë në mënyrë të sinqertë në realizimin e këtij procesi, sipas të njëjtin model te aplikuar gjate procesit të miratimit te akteve ligjore dhe kushtetuese për dekriminalizimin. /Dita/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *