Mazhoranca ka rrëzuar dekretin e Presidentit për ligjin e ri të pronave.
Komisioni parlamentar i Ligjeve vendosi të rrëzonte dekretin e kreut të Shtetit, duke lënë në fuqi ligjin e miratuar nga Parlamenti më 4 dhjetor të vitit të shkuar.
Presidenti pretendon se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se cenon sigurinë juridike.
Por, përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, zv/ministri Idlir Peçi tha se ligji i jep zgjidhje çështjes së pronave e pa zgjidhur prej më shumë se 25 vite. Qeveria parashikon dëmshpërblim të pronës në bazë të çmimit kur ajo është marrë dhe jo çmimit aktual të tregut.
Në dekretin e publikuar më 29 dhjetor 2015, presidenti parashtron argumentet kundërshtuese ndaj ligjit të ri të pronave, duke theksuar se “skema e ofruar përmes tij në zgjidhjen e problemit sistemik dhe të përsëritur të mosekzekutimit të vendimeve për kompensimin e pronarëve që kanë një vendim administrativ apo gjyqësor, bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe nuk është aspak efektive, siç kërkohet nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ)”. /Dita/
