Politika shkel “afatet” e Venecias për dokumentin, po përkthehen vërejtjet e PD

Dita

Raporterët e Komisionit të Venecias do të zbarkojnë në Tiranë në 21 janar, për të dëgjuar politikën dhe ekspertët. Mësohet se Komisioni i Posaçëm, ende nuk e ka dërguar materialin ne Venecias, për shkak se vetëm një ditë më parë PD bëri publik vërejtjet e opozitës, të cilat aktualisht po përkthehen për t’iu bashkëngjitur draftit të ekspertëve dhe mendimeve të LSI.

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi, ende nuk i është drejtuar Komisionit të Venecias me dokumentin e plotë për reformën në drejtësi, që do të përmbajë opinionet e ekspertëve, vërejtjet e PD dhe LSI.

Mësohet se dokumenti ndodhet në duart e përkthyesve, të cilët vetëm një ditë më parë morën në dorëzim vërejtjet e PD, raporton Ora News.

Afat përfundimtar se kur do të mund të jetë gati dokumenti për t’iu vënë në dispozicion Venecias nuk ka, por pavarësisht shtrëngimit të kohës, mësohet se raporterët e Komisionit të Venecias nuk do të shtyjnë vizitën e tyre në Tiranë, të parashikuar të mbahet në 21 janar.

Sikurse ishte rënë dakord, të mërkurën raporterët do të kenë takime me aktorët politike dhe ekspertët e reformës në drejtësi, për tu njohur edhe nga afër me parashikimet e tyre mbi nevojën e ndërhyrjeve në Kushtetutë për të bërë të mundur realizimin e reformës në drejtësi.

Edhe pse Komisioni i Venecias duhet të kishte në duar një draft konsensual, politika shqiptare dështoi të gjente gjuhën e përbashkët, edhe pse mësohet se pati një marrëveshje parimore.

Në takimin e 9 janarit, thanë burime pranë aktorëve të tryezës pjesë e së cilës u bënë edhe Ambasadorët Lu dhe Vlahutin, u ra dakord që do të tërhiqej drafti i 29 dhjetorit të Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi, i cilësuar i njëanshëm nga PD.

Kjo marrëveshje parashikonte që të punohej nga ekspertët sëbashku për një draft të ri të unifikuar, me konsensus dhe pikë për pikë sipas Venecias dhe ekspertët do të kishin barazi mes tyre.

Por kjo marrëveshje u shkel dhe politika i drejtohet edhe një herë e përçarë institucionit që vetë ajo e gjen si bekuese të reformës dhe që në mars pritet të japë opinionet përfundimtare për reformimin e drejtësisë shqiptare.

 

 

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *