Populli do vepra, jo fjalë

Dita

Ç’na u bë peshqesh ky i mallkuar korrupsion?! A thua se lindi në vitet e “tranzicionit”! Shprehem kështu se “demokracia” në Shqipëri ka hedhur vetëm farën dhe filizat e mbirë i shikojmë të venitur. Në të ardhmen nuk jemi të qartë nëse duhet të shpresojmë.

Mjegullnaja e krijuar, pas një tymnaje të hershme, është dendësuar aq shumë, sa që edhe shikimi ynë është i tillë. Dhe kjo për shkak se segmentet e jetës shqiptare janë të mbushur me dukuri destruktive, gati-gati pa rrugëdalje.

– Amani, o vëllezër!- dëgjon një burrë rreth të 40-ave:- Si nuk u vjen keq për popullin? Ne më duket se jemi kot. Më vjen keq për fëmijët, është gjynah. Kemi shpresuar shumë nga këta të majtët që në fillim. Po më shumë besuam kryeqeveritarin aktual. Atëherë (2013) thamë: Tani do të bëhet diçka. Mirëpo… Edhe mund të jetë operuar dhe vepruar në luftën kundër të korruptuarve, por ende ekziston imazhi dramatik i shoqërisë “demokratike”, i cili duket sheshit se është ulur këmbëkryq.

Ky imazh jepet nga vetë qeveritarët, se në mënyrë të përsëritur thonë: “Do të luftojmë korrupsionin”. Populli nuk ka nevojë për fjalë. Ai trishtohet, tmerrohet kur dëgjon nga qeveritarë apo opozitarë të akuzojnë njëri-tjetrin për vila, për shuma marramendëse valute, të mbyllura në bankat e Evropës dhe Botës.

Shpresojmë te ekspertët e vërtetë dhe të besueshëm shqiptarë, sidomos ekspertët ndërkombëtarë për realizimin e reformës në Drejtësi. Po të arrihet kjo, populli do të besojë se Drejtësia (ligji) do ndëshkojë “politikanët” perversë, pushtetarët abuzues; do të besojë në ndershmërinë e politikanëve të ardhshëm.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *