Katër shtetas kanë mbetur të plagosur në dy aksidente të ndryshme në Shkodër.
Në aksidentin e parë, një automjet tip Audi ka përplasur një motoçikletë, duke shkaktuar plagosjen e dy shtetasve, përkatësisht shtetasin me iniciale F.N, 61 vjeç, si dhe i biri me iniciale P.N, 32-vjeç. Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Mjedë-Kryebushat.
Në pranga përfundoi shtetasi Zef Bardhuku 28 vjeç, banues në Shkodër, drejtues i mjetit që shkaktoi aksidentin.
Në një aksident tjetër, dy shtetas u plagosën, pasi automjeti me të cilin udhëtonin ka përfunduar në kanal. Policia tha se të plagosurit janë dy 27-vjeçarë pasagjer në një automjet tip “Opel”.
Policia arrestoi drejtuesin e mjetit Andis Koreja, 18-vjeç, banues në Shkodër. Në momentin e aksidentit, i riu ishte në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër në ngarkim të shtetasve në fjalë. /Dita/
