Ministria e Financa u dërgoi medieve një deklaratë të plotë të zëvendësministres së Financave, Irena Beqiraj në lidhje me idenë për dhënien me koncesion të mbledhjes së TVSH-së.
Ministria e Financave e cilëson “partneritet publik-privat” dhe jo “koncesion” nismën për t’ia dhënë një kompanie private mbledhjen e taksave.
Ajo deklaron se është arritur në këtë përfundim pas studimeve të kryera dhe se partneriteti do të jetë i suksesshëm.
Deklarata e plotë e zëvendësministres së Financave, znj.Irena Beqiraj
Ministria e Financave në vijim të angazhimit të saj për përmirësimin e treguesve fiskalë, rritjen e mirëadministrimit në fushën tatimore dhe doganore, si dhe duke iu përgjigjur rezultateve që tregoi operacioni kundër informalitetit katër muajt e fundit të vitit të kaluar, dëshiron sot të paraqesë para publikut dhe mediave, bizneseve të huaja dhe shqiptare, dëshirën e saj dhe nismën e ndërmarrë prej saj për një Partneritet Publik Privat, në fushën e administrimit tatimor.
Ajo që u vu re në të gjithë periudhën e operacionit antiinformalitet, në të gjitha analizat tona të thelluara që edhe po vazhdojnë është se, në hapësirën tonë ekonomike kryhen dy lloj transaksionesh bazë (nëse do t’i quaja kështu), transaksionet biznes me biznes, të cilat deklarohen me anë të faturës tatimore dhe të cilat raportohen vetëm një herë në muaj në administratën tatimore, në datën 10 të muajit pasardhës si dhe transaksionet biznes me individ, (ose siç i quajmë ndryshe shitjet me pakicë), të cilat deklarohen në administratën tatimore nëpërmjet kuponit fiskal që lëshohet nga kasat dhe këto deklarohen në fund të ditës, nëpërmjet një mbylljeje manuale.
E theksoj mbyllje manuale dhe jo automatike. Pra mbetemi përsëri në dëshirën e biznesit që do t’i deklarojë shitjet ditore apo jo. Pra, kemi një diferencë, jo vetëm në kohën e transmetimit të të dhënave ose deklarimit të të dhënave në administratën tatimore për bizneset e mëdha, por edhe për ato që quhen biznese të shitjes me pakicë, gjë që na krijon probleme në kryqëzimin e të dhënave dhe në vërtetimin nëse të gjitha transaksionet janë paraqitur saktësisht si tek blerësi ashtu edhe tek shitësi. Na krijon probleme në gjurmimin e mallrave, jo vetëm të sasive, por edhe të vlerave të tyre nga dogana deri tek tatimet.
Kemi vënë re se kemi shumë raste se kemi kupona të falsifikuar ose të ngjashëm me kuponin tatimor, por që nuk janë të lëshuara nga kasat fiskale.
Në mënyrë që të përmirësojmë të gjithë këtë, Ministria e Financave dëshiron që të ketë një platformë të re teknologjike, e cila mundëson transmetimin në kohë reale, jo vetëm të kuponit tatimor, pra jo vetëm të transaksioneve me pakicë, por ajo që është më e rëndësishme, të transaksioneve me shumicë, që janë transaksionet biznes me biznes.
Marrja e këtyre të dhënave në kohë reale, instalimi i faturës elektronike, e cila është një kërkesë bashkëkohore që ndihmon administratën tatimore në punën e saj të përditshme, (por është edhe një kërkesë e biznesit sepse ul edhe kostot e të bërit biznes); gjurmimi i mallit dhe edhe mundësia e Lotarisë së Kuponit tatimor në kohë reale, mendojmë se do të jenë elementët bazë të një platforme, që do të ndihmojë administratën tatimore, jo vetëm në mbledhjen më të mirë të taksës së TVSH-së (ose ndryshe taksës së qarkullimit), por do të çojë në një përmirësim direkt edhe të deklarimit të sigurimeve shoqërore, në një përmirësim indirekt edhe të deklarimit të TAP, apo edhe të tatimit mbi fitimin.
Ministria e Financave ka bërë një studim fizibiliteti shumë të detajuar, nga i cili kanë dalë edhe termat e referencës, që do të shpallen shumë shpejt. Do të shpallim tenderin e hapur ndërkombëtar, ku ftojmë të gjitha bizneset private, shqiptare apo të huaja, të marrin pjesë në këtë tender.
Duke falenderuar edhe gazetarët, me të cilët patëm edhe një bashkëbisedim të drejpërdrejtë ku autoritetet e Ministrisë së Financave ju përgjigjën me detaje të gjitha pyetjeve që ata kishin si për formulën e ndarjes së riskut, për ndarjen e fitimeve etj., jemi të sigurt që ky do të jetë një Partneritet Private&Publik (PPP) i suksesshëm që, mbi të gjitha, ka vënë në bazë rritjen e kapaciteteve të administratës tatimore dhe interesin publik.

Juve ju ka ngelur ora te Saliu….
Jua dhente zoti tek kalamojt. Mos bofshi hajer ju dhe gjith ata qe po e shesin Shqiperine.