RAPORTI/ Vlera në para e sektorit të energjisë në Shqipëri

Saimir Lleshi

Ministria e Energjisë publikoi sot një raport për prodhimin e naftës, gazit dhe nxjerrjen e mineraleve për periudhën 2013-2014. Bazuar në të dhënat e raportuara nga AKBN dhe ERE, prodhimi i gjeneruar nga këta sektorë është vlerësuar në 777 milionë USD për vitin 2013 dhe 815 milionë USD për vitin 2014.

Bazuar në rezultatet paraprake të publikuara nga INSTAT, sektori i energjisë dhe burimeve përbënte 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2013 dhe 2014. Sektori i naftës dhe minierave së bashku përbënin 5% të PBB-së, ndërkohë që sektori i energjisë përbënte rreth 2% e PBB-së. Sipas burimeve të INSTAT, prodhimi i naftës bruto përbën rreth 68% të prodhimit të energjisë parësore, ndjekur nga energjia elektrike me rreth 20%.

Prodhimi i naftës bruto përbën rreth 67% të prodhimit të përgjithshëm nga të tre sektorët për të dy vitet. Përafërsisht, 87% e naftës së prodhuar është nxjerrë nga fushat e naftës në Patos-Marinëz.

Kromi mbetet minerali kryesor i nxjerrë dhe përpunuar në vend me rreth 72% të prodhimit total minerar në vitin 2013 dhe 76% në vitin 2014. Minierat e Bulqizës, gjeneruan rreth 45% të kromit në vitin 2013 me mbi 110 licensa aktive në prodhim. Ky kontribut u rrit në 53% në vitin 2014.

Prodhimi i hidroenegjisë paraqitet me vlerë relativisht më të ulët. KESH kontriboi me rreth 88% të sasisë së prodhimit vendas në vitin 2013 dhe 72% në vitin 2014. Rënia e prodhimit të energjisë vjen si rezultat i faktit se viti 2014 u karakterizua me një sasi shumë më të vogël reshjesh krahasuar me një vit më parë.

Kontributi i prodhimit të hidroenergjisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto vjen më i ulët në 2014 ndikuar edhe nga dy faktorë. I pari privatizimi në 2013 i HEC-ve të Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Së dyti, KESH ka detyrimin ligjor për të shitur me çmim të subvencionuar energjinë për konsumatorët tarifore tek OSHEE. Nëse prodhimi i KESH do të matej me çmimin e siguruar në eksport të energjisë, vlera e prodhimit të hidro-energjisë do rritej më shumë me mbi 200% në të dy vitet.

Kontributi i të tre sektorëve në Buxhetin e Shtetit gjeneruar nga taksat dhe të ardhurat kryesore nga industria përllogaritet në 3.9 % (12.9 miliard lek) në vitin 2013 dhe 3.5% (12.7 miliard lekë) në vitin 2014. Në taksat kryesore janë përfshirë: renta minerare, tatimi mbi fitimin, të ardhurat nga privatizimet, dividentët etj. Ky kontribut do të ishte edhe më i madh, nëse do të përfshiheshin të gjitha taksat e paguara nga sektorët në buxhet. /Dita/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *