Dy doganierë kanë përfunduar në pranga, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Bashkë me ta është arrestuar edhe një efektiv policie si dhe një shtetas tjetër. Ata kanë bashkëpunuar midis tyre për të kaluar mallra kontrabandë në pikën e kalimit kufitar të Qafë Botës në Sarandë.
Në pranga përfunduan shtetasit Erjon Barjami, 54 vjeç, banues në Sarandë (doganier – përgjegjës i grupit të turnit), Kristaq Naço (doganier – i kontrollit fizik të zhdoganimit), Hysni Bazaj, 59 vjeç, banues në Sarandë (efektiv i Policisë Kufitare – kontrollor) si dhe Antonil Zenelaj, 39 vjeç, banues në fshatin Vllahimë – Vlorë (drejtuesi i mjetit).
Policia ka shpallur në kërkim, shtetasin Migjen Nushi, 34 vjeç, banues në Vlorë (doganier – i kontrollit fizik të zhdoganimit).
Rreth orës 17:00, në aksin rrugor Qafë Botë – Sarandë, Shërbimet e Antikontrabandës kanë ndaluar një automjet tip “FURGON-BENZ” në pronësi të shtetasit Antonil Zenelaj.
Në bazë të këtij operacioni, gjatë një kontrolli të ushtruar në këtë automjet, këto shërbime kanë konstatuar se mjeti ishte i ngarkuar me goma të përdorura, të cilat rezultonin të pa zhdoganuara.
Gjatë hetimeve të kryera, rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin kanë bërë të mundur kalimin e mallrave të ndaluar në pikën e kalimit të doganës.
Materialet i kaluan Prokurorisë në ngarkim të 5 shtetasve të mësipërm për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kontrabandë me mallra të ndaluar”. /Dita/
