Greqi, historia e një poshtërimi të dhimbshëm.

anazapta

Në 18 tetor të 2009-tës George Papandreou, socialisti i sapozgjedhur kryeministër, shpalli zyrtarisht se bilanci publik grek ishte i rremë. Gjatë vitit 2009 defiçiti arriti shifrën 15,6% e prodhimit të brendshëm bruto (nëse u arkëtua 100, u shpenzua 115,6), nga 6% e parashikimeve zyrtare. Nga ai moment asgjë s’do ishte si më parë dhe Greqia do zhytej thellë e më thellë në reçesionin më të gjatë dhe më të dhimbshëm që prej Luftës së Dytë Botërore.

 

Në prill të 2010-tës politikanët grekë hodhën përtokë armët dhe i dorëzuan të ardhmen e vendit Troikës së përbërë nga Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qëndrore Europiane. Prej asaj kohe, tregjet ndërkombëtare vazhdojnë të kërkojnë më shumë se 10% interes për t’i dhënë Greqisë një hua me skadencë 10 vjeçare, dhe shteti helen u detyrua të zgjidhte: o t’i kërkonte ndihmë treshes, ose të falimentonte dhe ta rifillonte nga e para duke risjellë nga e kaluara dhrahminë e plakur (dhe tashmë pavlerë). Zgjedhja ra mbi opsionin e parë.

 

Troika pranoi dorën e zgjatur të Greqisë por me disa kushte që mund të përmblidhen në këtë shifër: 73 miliardë euro shkurtime, baraz me 35% të GDP-së. Për të kursyer këto para Greqia gjatë tre viteve të fundit ka tkurrur pesë herë pensionet, ka ulur rrogat prej 35% dhe ka pushuar nga puna 120 mijë punonjës publikë. Rezultati? Kolaps: ¼ e fuqisë puntore ngeli në shtëpi dhe 20% e pasurisë kombëtare u bë shkrumb e hi.

 

Ilaçi që grekët po detyrohen të gëlltisin po i vret më keq se sëmundja. “Shtrëngimi i rripit” tashmë po i lë pa frymë.

 

Greqia mbijeton falë kësteve të huasë me përqindje të buta që Troika vendos ti japë herë pas here: në maj 2010, 14,5 miliardë euro; në korrik 2011, 8,7 miliardë; në mars 2012, 130 miliardë. Këto para jepen gjithmonë pasi arka helene ka shpenzuar edhe qindarkën e fundit dhe gjithmonë pasi qeveria greke ka miratuar shkurtime të përgjakshme.

 

Pritej që mbrëmjen e së martës ti jepej drita jeshile këstit të radhës prej 44 miliardë eurosh, por Troika nuk arriti dot të gjente gjuhën e përbashkët rreth një pike themelore. Mbi tavolinën e bisedimeve qëndronte hijerëndë problemi i problemeve. Athina zyrtare, me ritmet e reçesionit aktual, nuk do ia dali ta uli borxhin publik në nivelin 120% të GDP-së, nivel i konsideruar i përballueshëm nga FMN-ja, dhe që mund ti lejojë Greqisë të marrë hua në tregjet ndërkombëtare pa patur nevojë për patericën e Troikës. Me pak fjalë, vetëm kur të arrihet ky nivel, fqinjët tanë do mund të konsiderohen të shëruar.

 

Christine Langarde, drejtoresha e FMN-së, u kërkoi partnerëve europianë që borxhi grek të pësojë një “rekonstruksion”, domethënë ti falet pjesërisht në mënyrë që Greqia të arrijë objektivin e 120%-shit brenda 2020-tës. Zonja Langarde nguli këmbë që taksapaguesit e BE-së, me gjermanët në krye, ti japin lamtumirën një pjese të majme të tortës prej 60 miliardë eurosh të huazuara deri më tani.

 

Natyrisht kostoja politike e kësaj vendimarrje është e papërballueshme për krerët europianë: sidomos për të akulltën Angela Merkel. Në Gjermani do votohet në vjeshtën e vitit të ardhshëm dhe deri atëhere do ketë kaluar shumë pak kohë që shpëtimi i Greqisë me paratë e të tjerëve, të zbehet nga kujtesa e qytetarëve. Propozimi i BE-së ishte më i sofistikuar. Viti 2020-të të mos jetë më linja përfundimtare kur Greqia të eci me këmbët e veta, por afati të shtyhet në 2030-tën. Pyetja lind: po gjatë këtyre dhjetë viteve të tjera, kush do ta paguajë dadon? E thënë ndryshe: është më mirë që Europa ti fali Greqisë 50 miliardë euro tani (kjo është shifra që qarkullon në qarqet e Brukselit), apo të detyrohet të paguajë shumë më tepër më vonë?

Përgjigja mund të gjendet brenda pyetjes, por nevojat e politikës shpesh herë nuk përputhen me rezultatet e logjikës. Greqisë i duhen sa më parë miliardat e premtuara nga Troika që tu garantojë qytetarëve shërbimet minimale të një Shteti, ndërkohë që Angela Merkel ka frikë se kjo lëvizje mund ti kushtojë humbjen e zgjedhjeve të ardhshme.

 

Nëse monedha e përbashkët europiane ka ambicie për të qënë e qëndrueshme dhe e besueshme në sytë e tregjeve ndërkombëtare, ajo nuk mund të lejojë falimentimin e Greqisë. Edhe sikur fatura e shpëtimit të Athinës të ishte e kripur, humbja e saj do shkaktonte një “efekt dominoje” ku pacienti i radhës do e kishte emrin Spanjë.

 

Është ndoshta momenti që Europa të marri vendime politike të qarta: kriza nuk mund të zgjasë përgjithmonë pa shpërbërë themelet e asaj demokracie për të cilën aq shumë është sakrifikuar.

 

Elton Xhanari

PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona.

Rubrikën EUROPA mund ta lexoni çdo të shtunë në DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *