Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht në Prokurori, katër ish-drejtues, pesë juristë dhe pesë hartografë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Shkodër. Auditimi është kryer për periudhën Janar 2013 – Qershor 2015. Ata akuzohen për shpërdorim detyre.
Sipas KLSH-së, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 5.8 milion lekë.
Ata kanë regjistruar pasuri me AMTP në të cilat nuk përcaktoheshin kufizimet si dhe AMTP të fotokopjuara dhe të panoterizuara; kanë regjistruar pasuri me Sekuestro Konservative duke lëshuar certifikata pronësie, çka ka rezultuar më pas dhe në shitjen e këtyre pasurive; kanë bërë regjistrimin e pasurive në mungesë të urdhrit të Regjistruesit; kanë bërë regjistrimin e pasurive me leje ndërtimi me mospërputhje ndërmjet sipërfaqes sheshit të ndërtimit dhe certifikatës pronësisë; kanë bërë regjistrimin e pasurive llojit “Pyll” duke ndryshuar zërin kadastral nga Kullotë në Pemëtore.
KLSH ka rekomanduar Kryeregjistruesit të ZQRPP Tiranë, fillimin e procedurave administrative për dhënien e masës disiplinore, nga “Vërejtje” deri “Ndërprerje të marrëdhënie të punës”, sipas shkallës së përgjegjësisë, për 20 nëpunës të ZVRPP Shkodër. /Dita/
