Gjykata e Durrësit ka zhvilluar sot seancën për caktimin e masës së sigurisë për tre personat e akuzuar si vrasës me pagesë. Masa e arrestit me burg është caktuar për shtetasit Gazmend Dervishi, Bruno Shehu e Dritan Nikolli.
Gjykatësja Anita Mici vendosi me kërkesë të avokatëve mbrojtës që seancat të zhvillohen me dyer të mbyllura për mediat, ndërsa për të tre vendosi “Arrest me burg”. Asnjë prej të arrestuarve nuk kishin caktuar avokat mbrojtës, ndërsa avokati i pranishëm në seancë u caktua nga gjykata.
Në seancë nuk u lejuan as familjarët e tyre. Masat e sigurisë ishin të rrepta, ndërsa shoqëroheshin nga dhjetëra forca policie. Njëri prej të akuzuarve kërcënoi edhe gazetarët në sallë nëse do ta filmonin.
Shtetasit e arrestuar dyshohet se do të kryenin vrasje në zonën e Shijakut. Bëhet fjalë për dy fize që kanë probleme të shumta midis tyre pesë vitet e fundit. Përplasjet kanë nisur në Holandë dhe kanë vijuar edhe në Shqipëri.
Sipas policisë, asnjëherë asnjëra palë nuk është akuzuar drejtpërsëdrejti për ngjarjet që preknin fisin tjetër. Madje, nuk ka pasur as persona të shoqëruar nga fiset në fjalë për plagosjet, atentatet apo vrasjet që kryheshin.
Mësohet se dosja për konfliktet mes dy fiseve është hapur, pasi dyshohet se vrasja që do të bëhej të martën, (e cila u parandalua në kohë) nga 38-vjeçari Gazmend Dervishi, banues në Shkozet; 31-vjeçari Bruno Shehu, banues në Durrës si dhe 38-vjeçari Dritan Nikolli, banues në Sukth ka lidhje pikërisht me këta dy fise. Burime nga Prokuroria e Durrësit dje bënë me dije se konfliktet mes dy fiseve në fjalë lidhen me prishjen e pazareve të trafikut të drogës. /Dita/
