Turqi kërkon të tjera para nga Bashkimi Evropian për të menaxhuar krizën e refugjatëve nga Siria dhe Iraku. Më shumë se 2 milionë njerëz janë në territorin e saj që prej fillimit të luftës në vitin 2011.
Kryeministri turk Ahmet Davutoglu tha se kjo krizë nuk është e Turqisë, por e BE-së. Nuk dihet se çfarë nënkuptonte ai me këtë.
“Ajo nuk është një krizë e Turqisë, por e Evropës, ndaj Evropa duhet të paguajë për të”, tha Davutoglu.
“Turqia është vendi më i goditur nga ardhja e refugjatëve. Kjo nuk është kriza jonë, por e Evropës dhe është e drejtë që Evropa të paguajë çmimin.
Turqia ka 2,5 mln refugjatë sirianë dhe 300 mijë irakianë. Kemi shpenzuar 10 miliardë për mbajtjen e tyre. 3 miliardët e ofruar nga BE nuk mjaftojnë”, shtoi kryeministri turk.
Ai tha se askush nuk e di se sa mund të zgjasë kjo krizë ndaj kostoja që Turqia duhet të përballojë mund të vazhdojë të rritet. Deklaratat e tij u bënë në samitin e Davosit në Zvicër. /Dita/
