Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka kërkuar në fund të vitit të shkuar liderit sirian, Bashar al Assad, që të linte detyrën. Kështu pohoi dje e përditshmja “Financial Times”, që rrëfen se kolonel-gjenerali Igor Sergun, kreu i shërbimeve inteligjente ushtarake, udhëtoi në Damask për t’i kërkuar Assadit që të hiqte dorë nga pushteti.
Ishte një nga misionet e fundit të Sergun, që vdiq papritmas më 3 janar. Sipas kësaj medie, presidenti sirian refuzoi në mënyrë kategorike kërkesën ruse, duke shfaqur një zemërim të hapur. Detajet e takimit, pohon media britanike, janë siguruar nga dy zyrtarë të shërbimeve të inteligjencës perëndimore. Kremlini ka mohuar përmes zëdhënësit të tij zyrtar, që ky informacion të jetë i saktë.
“Kjo nuk ka ndodhur”, u tha gazetarëve në Moskë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Sipas “Financial Times”, Moska po kërkon prej kohësh një zëvendësues për Assadin. Ideja fillestare është që të mbajë sektorin alevit në pushtet por në të njëjtën kohë të ndalë Assadin, në mënyrë që të ishte e mundur që të gjendej ndonjë lloj marrëveshjeje me rebelët sirianë. Abdelaziz Al Kheir, një disident i rëndësishëm alevit (komunitet të cilit i përket edhe Asadi) ishte një nga njerëzit që për një moment u mendua se do të zinte vendin e Assadit.
Sipas “Financial Times”, ai ka udhëtuar në Moskë dhe në Pekin në 2012-ën, duke zhvilluar bisedime paraprake me autoritetet e dy vendeve. megjithatë në kthimin tij në Damask, Al Kheir u zhduk pasi u kap në aeroport nga autoritetet siriane.
“Një shenjë që Assadi nuk do të lejonte Rusinë të zgjidhte presidentin e ardhshëm”, thotë Joshua Landis, një nga ekspertët kryesorë në botë mbi çështjen e Sirisë. Artikulli sugjeron se Moska po kërkon një dalje nga situata aktuale duke qenë se operacioni ajror rus vazhdon, por paqja duket ende e largët. /DITA
