Ambasadori i ri i Italisë në Tiranë, zoti Alberto Cutillo, shprehu sot bindjen e tij se, politika shqiptare do të arrijë të gjejë konsensusin për një reformë efikase në sistemin e drejtësisë.
Në përfundim të një vizite njëditore në Vlorë, ku u takua edhe me drejtuesit më të lartë vendorë, Zoti Cutillo dha një deklaratë për gazetarët, të cilët u interesuan për qëndrimin e Italisë dhe të atij si përfaqësues diplomatik i vendit fqinj, për Reformën në sistemin e drejtësisë dhe qëndrimin e Komisionit të Venecias ndaj saj.
Ai sqaroi se gjatë takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias që kanë ardhur në Tiranë, u ndanë mendime të njëjta për rëndësinë e reformës në procesin e integrimit të Shqipërisë.
“Dje u takuam me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias me të cilët ndamë të njëjtin mendim se, reforma në Drejtësi është shumë e rëndësishme për sistemin gjyqësor, për të gjithë Shqipërinë, është e rëndësishme për të gjithë shqiptarët dhe për Bashkimin Evropian”, citoi Ambasadori i Italisë në Tiranë.
Sipas tij, Bashkimi Evropian ka kërkuar shumë reforma në Shqipëri, por reforma në Drejtësi është më e rëndësishmja. Prandaj dhe, në këtë arsyetim, ai theksoi se, Komisioni i Venecias, ashtu si edhe vendet mike të BE-së, do ta mbështesin Shqipërinë në këtë drejtim, por e rëndësishme është që reformën duhet ta bëjë politika, duhet ta bëjë vetë populli shqiptar.
“Jemi të bindur se politika do të arrijë të gjejë konsensusin dhe modalitetet e nevojshme për të realizuar një reformë efikase dhe në interes të të gjithë popullit shqiptar”, theksoi zoti Cutillo, gjatë prononcimit të tij në Vlorë për gazetarët.
