Na duhet Intelpoli

redaktor

Intelpol – po e sajoj këtë fjalë si shkurtim të sintagmave: “politikë intelektualësh, “politikë intelektuale”. Do të përpiqem që, pa e përmendur, ta ve në punë gjatë shtjellimit të impaktit që ushtron arti mbi politikën dhe anasjelltas. Ashtu sikurse ndërveprimi art-politikë nuk është diçka e re, madje gjatë kohërave është zhvilluar vazhdimisht, edhe ndërthurrja mes tyre, si dy fusha komplementare, mund të thellohet, çka na e kanë dëshmuar veprat e mendimtarëve të shquar, si Xhovani Sartori, Rejmon Aaron, Robert Dahl, Aleksis dë Tokvil, Mirçea Eliade etj. Objekt i studimeve të tyre ka qenë treshja art-politikë-pushtet.

Dikur paradigma zanafillore që ka lidhje me politikën, artin e masmediat pasqyrohej në marrëdhëniet: gazetar-publik, artist-publik, politikan-publik. Në ditët tona, në gji të shoqërisë demokratike, ku formimin e opinionit e bën masmedia, kanë lindur ndërfaqe (interfaca) që pasqyrojnë marrëdhëniet gazetar-producent-paraqitës-publik; kompozitor-producent-artist-publik; tekstshkrues-konsulent-politikan-publik.

Nga sa më sipër dalim në përfundimin që pikërisht ndërfaqja është ajo që transformon “teatrin” politik. Dikur, në periudhën e anonimatit, ndërfaqet përfaqësonin shtyllën mbështetëse, ndërsa tani, në epokën e identiteteve, shpërthimi i kanaleve të komunikimit i ka zhvlerësuar ndërfaqet. Letërsia shërben si piar humanist. Kështu shpjegohet fakti që liderë të shumtë politikë kanë shkëlqyer në lëmin e artit. Por ndonjëherë impakti i artit dhe i kulturës mund të jetë fatal, siç është rasti i politikës çnjerëzore të praktikuar nga Adol Hitleri, i cili shkroi edhe librin “Mein Kampf” (Lufta ime, Provokimi im, Beteja ime), një nga burimet më komplekse dokumentare për vrullimet ideologjike në prag të Luftës së Dytë Botërore, me elemente autobiografike e me përshkrimin e motiveve dhe metodave të marrjes së pushtetit, por edhe të pikësynimeve të mëpasme, fill pas hipjes në kolltuk. Diktatori ushtroi një impakt të pazakontë në kohën e daljes së librit të vet skandaloz përmes shpalosjes së disa ideve të thjeshta dhe populiste, njëherazi çnjerëzore dhe revanshiste, që krijonin përshtypjen sikur i zbutnin hallet e gjermanëve të poshtëruar nga kushtet që iu imponuan pas Luftës së Parë Botërore. A mos vallë fama e këtij libri i detyrohet edhe gërshetimit të artit me politikën në karakterin jashtëzakonisht kompleks të Hitlerit?

Le të marrim një shembull tjetër dhe pikërisht atë të të famshmit Uinston Çërçill, kryeministër dhe politikan britanik, i cili nuk u shpërblye me Çmimin Nobel për Paqe, ashtu siç pritej nga të gjithë, për kontributin në disfatën e Gjermanisë naziste dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Çuditërisht, sikurse pohojnë të gjithë jetëshkruesit e Çërçillit, Komiteti Nobel vendosi ta nderonte Uinston Çërçillin për veprimtarinë e tij letrare. Kjo tingëllon gati-gati zbavitëse po të mbajmë parasysh që Uinston Çërçilli ishte edhe piktor i përkushtuar. Kështu, në vitin 1953 Sër Uinston Leonard Spenser Çërçill e mori Çmimin Nobel për “përshkrimin madhor njëherazi biografik e historik, dhe për gojtarinë e përkryer në mbrojtje të vlerave njrëzore”. Në të vërtetë, Çërçilli e fitoi Çmimin Nobel për veprën me titull “Lufta e Dytë Botërore”.

Shembuj të tillë, që nuk janë të pakët, dëshmojnë se politikanët, gojtarë të pakrahasueshëm dhe diktatorë, mund të jenë edhe njerëz të artit.

Veprimtaria e një politikani parakupton shumë fjalime, – për të promovuar dhe mbështetur pikësynimet e veta, – por edhe hedhjen e mendimeve në letër. Nga ky këndvështrim është normale që një politikan të botojë libra. Ish-udhëheqësi i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik Leonid Brezhnjev, me “Trilogjinë” e tij (Toka e Vogël, Rilindja, Selinoja), që shënoi rekord editorial në epokën sovjetike, përbën një shembull të qartë të ndërtretjes politikë-shkrim. Paçka se në atë periudhë pati shumë barcaleta që hidhnin dyshimin se “Trilogjia” nuk u shkrua nga Brezhnjevi, por nga qatipët e tij.

Në kontekstin e përpjekjeve që bëjnë disa shtete, ndër to edhe Shqipëria, për t’u integruar në Evropë, vlen të përmendet vepra ‘’Six battles that shaped Europe’s Parliament“ („Gjashtë luftra që përvijuan Parlamentin e Evropës”), një nga librat më të freskëta dhe me informacion tejet të gjerë e të larmë, të ish-sekretarit të përgjithshëm të Parlamentit Evropian, Xhulien Pristli. Po këtu mund të citojmë edhe emrin e ish-kryeministrit të Belgjikës, kryetarin e Partisë Popullore Evropiane Vilfrid Martens, politikan i njohur, i përmasave botërore. Libri i tij autobiografik, që ka dalë tani së fundi në shumë gjuhë e që mban titullin “I struggled; I overcome!”, përshkruan veprimtarinë e vet të gjerë në procesin e ndërtimit të Bashkimit Evropian dhe të zgjerimit të tij në hapësirën ish-komuniste.

Pas gjithçka thamë deri këtu, mendoj se është momenti të shtrojmë pyetjen: Ç’metamorfozë pësojnë intelektualët atëhere kur futen në politikë? Në këtë rast lëvizja nga njëra fushë në tjetrën bëhet në të dy kahjet: liderë politikë që bëhen shkrimtarë dhe shkrimtarë që bëhen liderë politikë.

Ka ndodhur edhe që ndonjë intelektual të këqyret si armë kundër pushtetit. Në regjimet antidemokratike veprimtaria letrare përparimtare bllokohej dhe “burgosej” bashkë me shkrimtarin përkatës. Tek ne gjenden edhe të tillë që janë parë me sy të keq ose janë ndëshkuar rëndë edhe nga regjimi i Zogut, edhe nga fashizmi, edhe nga komunizmi.

Intelektualët shqiptarë kanë dhënë ndihmesë të madhe në ruajtjen, pasurimin e demokratizimin e vlerave tona mbarëkombëtare. Një gjë është e sigurtë: Kur një intelektual merret me politikë duhet të jetë i guximshëm dhe me ndërgjegje të pastër, zëdhënës besnik i dëshirave të popullit.

Megjithse përfaqëson një tjetër lloj përvoje njerëzore, krejt të ndryshme nga politika, arti ka edhe një përmasë politike, çka mund të kuptohet në mënyra të ndryshme po të mbajmë parasysh (para)gjykimet politike të artistit. Një përgjigje e mbarëpranueshme për çështjen e marrëdhënieve midis artit dhe politikës është vështirë të jepet, përsa kohë ekziston një larmi praktikash artistike, nga artet figurative deri në kinematografi, nga teatri deri në letërsi. Në vendin tonë kjo përmasë politike e artit duhet këqyrur si përdorim i energjisë artistike dhe politike të njeriut të penës, të penelit apo të pentagramit, për t’i shërbyer kombit dhe afirmimit të vlerave të tij në Evropë e në botë.

Gjatë kohërave arti i politikës është përkufizuar në trajta nga më të ndryshmet. Për disa e vërteta qëndron në aftësitë për të qeverisur me zgjuarësi. Por këtu mbetet për të sqaruar edhe se ç’përfaqëson vetë zgjuarësia. Për të tjerë politika është arti që bën të mundur dallimin e miqve nga armiqtë, gjë që, në të vërtetë është tepër e vështirë, tepër relative dhe tepër e ndryshueshme në kohë e në hapësirë. Aristoteli, mbi dy mijëvjetsha më parë, e ka bashkëshoqëruar politikën me etikën, duke theksuar se drejtësia dhe barazia përbëjnë virtytet më të epërme. Në rastin tonë, në politikë gjërat ende nuk janë sqaruar sa duhet, si në rrafshin teorik, ashtu edhe në atë praktik. Jo rrallë politikanë të të dy kahjeve artin e politikës e shohin si art të shantazhit ndaj kundërshtarit.

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *