Viti 2015 pa një ngërç në tregun e pasurive të patundshme, që sipas aktorëve kryesorë të tregut u shkaktua nga tre faktorë: rritja e taksës së shitjes prej 15%, ndalimi i lejeve për ndërtime të reja dhe domosdoshmëria për rikthim të ligjit të vlerësimit të pasurive të patundshme.
Ndërtimi i fshatrave turistikë dhe godinave multifunksionale në bregdet, uli çmimet e tregut për apartamentet verën e kaluar, ndërsa turistët e huaj, kryesisht europianoveriorë, kanë mundësi të arta këtë vit të investojnë në pasuri të patundshme në bregdet…
Pronat e palegalizuara konsiderohen një problem aktual për tregun e pasurive të patundshme, ndërsa edhe zgjatja e procedurave për kredidhënie nga bankat përbën një tjetër pengesë për këtë treg.
Viti 2015 ka pasur thuajse të njëjtën ecuri si një vit më parë për shitjen dhe qiratë në tërësi, ndërsa ka pasur edhe probleme likuiditeti.
Frenimi i shitjeve për shkak të taksës prej 15% (taksa mbi fitimet nga shitja e pasurisë së paluajtshme u rrit nga 10% në 15%, duke filluar nga 1 janari 2015), një ndër parashikimet e fillimvitit 2015 qëndron, mirëpo agjencitë pohojnë se edhe gjendja ekonomike e shqiptarëve ka një ndikim të madh, raporton Monitor.
Të pyetur për çmimet që do të kenë pasuritë e paluajtshme gjatë këtij viti, përfaqësuesit e agjencive tregojnë se nuk priten ndryshime të qenësishme.
Viti 2016 parashikohet se do të ketë të njëjtat çmime si një vit më parë, sidomos sa u përket qirave, ndërsa për shitjet mund të shihen ulje rreth 5%. Ndërsa për kërkesat këtë vit, ata pohojnë se pa u rivendosur ligji i vlerësimit të pasurive të patundshme, në rritje do të jetë kërkesa për qira.
Megjithatë pohohet se tregu edhe në 2016-n nuk do të ketë tendencë në rritje të çmimeve.
Ndërkohë bregdeti ka parë një “rilulëzim”, teksa interesi në rritje i europianoveriorëve, nga ku kryesojnë norvegjezët, për blerje apartamentesh të vijës së parë në qytete si Saranda, Vlora etj., mendohet se do të vijojë edhe këtë vit.
