Megjithëse u formua një qeveri e re, mijëra shtetas moldavë dolën sërish në sheshin kryesor të kryeqytetit Kishinjev për të protestuar.
Ata kërkojnë dorëheqjen e qeverisë të sapoemëruar dhe zgjedhje të parakohshme. Protesta është organizuar nga dy parti pro-ruse dhe një lëvizje anti-korrupsion, pro Bashkimit Evropian, “bashkime” këto paksa të çuditshme.
Një kundër-protestë në mbështetje të qeverisë, u anulua për të shmangur kështu një përplasje të mundshme çka mund të kishte pasoja të mëdha. Sipas agjencisë AP, të paktën 15,000 persona kanë marrë pjesë në protestë.
Zemërimi publik ndaj asaj që shumë moldavë e konsiderojnë klasë të korruptuar politike, ka shpërthyer pas emërimit të Pavel Filipit si kryeministër, më 20 janar.
Shumë moldavë thonë se Filip, anëtar i Partisë Demokratike në pushtet, është nën kontrollin e oligarkut kontrovers, Vlad Plahotniuc.
Por, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se do të punojnë me qeverinë e re dhe do ta nxisin atë të zbatojë reformat evropiane. /Dita/
