Plani i qeverise për të ngritur e menaxhuar një sistem të mbledhjes së TVSH-së nga privati është kundërshtuar nga sipërmarrja vendase.
Në një reagim për median, Konfindustria vëren se dhënia me koncesion ose PPP një subjekti privat, mund të sjellë në keqpërdorim të bazës së të dhënave të bizneseve nga ky subjekt. Krahas kësaj, sipas Konfindustrisë, në rrezik është edhe buxheti i shtetit, i cili duhet të paguajë, për çdo rast kur të ardhurat nuk rriten 11%, dhe për çdo përplasje të mundshme ligjore me kompaninë në gjykatat ndërkombëtare.
Duke mbështetur përdorimin e teknologjisë së lartë Konfindustria kërkon që “në rastin e menaxhimit të sistemeve fiskale përfshi edhe TVSH-në, mënyra më e mirë në shërbim të interesit publik në afatgjatë do të ishte varianti i blerjes dhe përdorimit shtetëror të platformave informatike”.
Sipas Konfindustrisë, dhënia e këtij roli privatit, për më tepër në një kohë të gjatë “rrezikon krijimin e një monopoli “de jure”, pengon konkurrencën e lirë dhe bën të pamundur shfrytëzimin e sistemeve teknologjike më të përparuara, që mund të prodhohen nga subjekte të tjera në të ardhmen”.
Kjo shoqatë biznesi i bën të qartë Ministrisë së Financave se sektori i teknologjisë informatike zhvillohet me ritme shumë të larta, çka nuk përjashton mundësinë e një platforme edhe më të mirë pak vite më vonë. /Dita/
